giovedì 30 aprile 2009

HISTORIA E SHQIPERISE ( ZHVILLIMI I IDEOLOGJISË DHE I KULTURËS SË RILINDJES KOMBËTARE & TURQIT E RINJ 1908 - 1910 )

K R E U IX


ZHVILLIMI I IDEOLOGJISË DHE I KULTURËS SË RILINDJES KOMBËTARE
(VITET 80 TË SHEK. XIX - 1912)




Epoka e Rilindjes karakterizohet nga zhvillimi i një ideologjie e kulture të re me karakter kombëtar e demokratik, nga përpjekjet që rilindësit e shquar bënë për ruajtjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, për zhvillimin e letërsisë dhe çeljen e shkollave në gjuhën amtare si mjete për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit shqiptar e afirmimin e tij kombëtar.
Një hov të mëtejshëm në këtë periudhë të Rilindjes mori zhvillimi i mendimit politik, shoqëror e filozofik, që u përpunua nga iluministët e mendimtarët më të shquar në bazë të përgjithësimit të përvojës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të luftës së armatosur të popullit shqiptar kundër robërisë osmane e politikës pushtuese të shteteve fqinje. Ky mendim politik e shoqëror dhe në tërësi programi politik i Rilindjes u përgjigjeshin detyrave të bashkimit e të çlirimit kombëtar, që objektivisht shtroheshin për zgjidhje para shoqërisë shqiptare. Por ato karakterizoheshin gjithashtu nga një frymë e theksuar demokratike, shprehnin aspiratat e gjithë popullit për liri, pavarësi dhe përparim ekonomiko-shoqëror e politik të vendit.
Një rol të madh në përpunimin e mendimit politik e shoqëror të Rilindjes luajtën shtypi patriotik dhe letërsia artistike, që morën gjithnjë e më shumë karakter politik, përmbajtje kombëtare e frymë luftarake.


1. MENDIMI POLITIKO-SHOQËROR, SHKRIMI
DHE SHKOLLA SHQIPE


Pashko Vasa (1825-1892)


Radhitet ndër njerëzit e mëdhenj të Rilindjes që hodhën themelet e ideologjisë së saj dhe u shquan në fushën e mendimit e të veprimit politik dhe në atë të krijimtarisë letrare. U lind në Shkodër ku kreu mësimet e para. Pasi kreu studimet e mesme në Venedik, punoi si sekretar i konsullatës britanike në Shkodër, por shpejt e braktisi atë detyrë dhe rreth vitit 1847 u hodh në Itali, ku mori pjesë në luftën çlirimtare të italianëve kundër zgjedhës së huaj. Por lufta e sakrificat e tij për çlirimin e Italisë u shpërblyen me intriga e përndjekje që e çuan në burg. I zhgënjyer, shtrëngohet të vendoset në Stamboll, ku më pas zuri vende me rëndësi në administratën osmane. Por kjo nuk e pengoi të lidhej me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve dhe të bëhej një nga figurat kryesore të saj. Veprimtarinë më të dendur e zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin u përpoqën për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe për zgjimin e vetëdijes kombëtare. Në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahas Abdyl Frashërit, u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit. Më 1878 ai u gjend në Kosovë. Duke qenë në epiqendër të ngjarjeve, që shënuan fillimin e një epoke të re në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri e për shtet të pavarur kombëtar, ai u bë një nga veprimtarët më aktivë për organizimin e Lidhjes dhe për njohjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare. Me anë të disa memorandumeve drejtuar qarqeve diplomatike angleze e austro-hungareze dhe sidomos me anën e memorandumit të njohur të 20 qershorit 1878, shkruar padyshim me dorën e tij dhe drejtuar përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse në Kongresin e Berlinit, Pashko Vasa, ndër të parët politikanë e diplomatë shqiptarë, i bëri të pranishëm opinionit ndërkombëtar faktin se “po lind një çështje e re, çështja shqiptare”.
Është autor i disa veprave me karakter politik e historik, me të cilat mbrojti çështjen shqiptare dhe përpunoi bazat e ideologjisë kombëtare. Ndër to veçohet vepra “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, botuar në frëngjisht në Paris, më 1879, në të cilën, krahas të dhënave historike për popullin shqiptar dhe për qëllimet e luftës së tij, parashtroi me një forcë të rrallë kërkesat themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Programi që projektoi Pashko Vasa në këtë vepër për të ardhmen e Shqipërisë është një program kombëtar, iluminist, që ka në themel të tij idenë e bashkimit të të katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, dhe të forcave të gjalla të kombit, idenë e zhvillimit të potencialeve krijuese të popullit, të shfrytëzimit të burimeve ekonomike të vendit, zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkollës shqipe. Pashko Vasa është një reformator dhe një statist vizionar kur shkruan se është e domosdoshme që “t’i jepet Shqipërisë një organizim i fortë, homogjen, kompakt, në pajtim me nevojat e saj dhe me karakterin e popullsisë së saj”, që “të vihet në gjendje, me anë reformash radikale, për të zhvilluar forcat e veta intelektuale, pasurinë dhe fuqinë ushtarake”.
Në këtë vepër janë shkrirë argumenti shkencor i historianit, shpirti i poetit dhe forca e propagandistit të ideve kombëtare, i cili pasi parashtron fakte për lashtësinë e shqiptarëve, për tiparet e karakterit të tyre burrëror e të panënshtruar, shpreh vendosmërinë e këtij kombi për të jetuar i lirë në trojet e veta. “Ne do të parapëlqenim ta qanim Shqipërinë të vdekur, - shkruan ai, - sesa ta shihnim të copëtuar në dobi të fqinjëve. Nuk duam që populli shqiptar të bjerrë tipin e vet karakteristik, doket e veta, gojëdhënat e veta dhe gjuhën e vet”.
Penës së Pashko Vasës i përkasin edhe dy veprat historike në frëngjisht: “Skicë historike për Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë” (1872) ku përshkruan pashallëkun e Shkodrës nën Bushatllinjtë dhe “Bosnja e Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut” (1865).
Pashko Vasa ishte një nga themeluesit e veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Ai është autor i disa veprave që u shërbenin përpjekjeve shkencore për shkrimin e shqipes dhe për mësimin e saj. Më 1878 ai pati botuar në frëngjisht një libër me titull “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe”, ku paraqet projektin e vet për një alfabet të shqipes. Me këtë libër ai përuronte debatin e gjatë për çështjen e alfabetit, si një nga pikat kyçe për një zhvillim të njësuar gjuhësor e kulturor e për pasojë edhe politik të shqiptarëve.
Si një nga anëtarët më aktivë të “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”, Pashko Vasa është edhe një nga bashkautorët e të parës vepër të botuar prej saj, i “Alfabetares së gjuhës shqipe”, që hidhte bazat e literaturës didaktike të shkollës kombëtare shqipe. Atje ai botoi prozën “Shqypnia dhe Shqyptarët”, e cila u drejtohej shqiptarëve që duhej të mësonin historinë e tyre.
Autor i disa veprave letrare në gjuhë të huaj, i prozës memorialistike në italisht “Burgu im” (1850), i romanit me temë nga jeta shqiptare “Barda e Temalit” (1890) në frëngjisht, i lirikave italisht “Rose e spine” (“Trëndafilë dhe gjemba”, 1873), ai mbeti i njohur si poet me veprën poetike “Mori Shqypni” të krijuar më 1880 në ditët e Lidhjes së Prizrenit. Poezia qarkulloi si fletë fluturuese dhe i mrekulloi atdhetarët me forcën e ideve e të artit të saj. E ndërtuar mbi bazën e kontrastit poetik midis të kalurës së lavdishme të shqiptarëve dhe mjerimit ku i kishte hedhur robëria osmane, vjersha tingëllon si një kushtrim lufte. Ajo është një manifest poetik i Rilindjes, një nga kryeveprat e poezisë shqipe të kohës. Por mbi të gjitha ajo mbeti një pikë referimi për të gjitha kohët me idenë e bashkimit të shqiptarëve të të tri besimeve, duke vënë mbi fetë shqiptarinë që autori e quan “fe të shqyptarit”.
Ky laicizëm i ndërgjegjes kombëtare është një nga arritjet e mëdha të Rilindjes.

Sami Frashëri (1850-1904)

Një kontribut të madh në përpunimin e në zhvillimin e mëtejshëm të mendimit politiko-shoqëror e filozofik shqiptar dha ideologu i shquar i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri.
Mësimet e para Samiu i mori në fshatin e lindjes, në Frashër, kurse ato të mesme i kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më 1871 u vendos në Stamboll, ku filloi punën krijuese letraro-shkencore dhe veprimtarinë në të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë ai u lidh edhe me lëvizjen përparimtare politiko-shoqërore turke.
Gjatë kësaj kohe e veçanërisht në vitet e Lidhjes së Prizrenit e më vonë, Samiu u dallua edhe si mbrojtës i vendosur i të drejtave të popullit shqiptar, si një organizator e udhëheqës i shquar i lëvizjes politike e kulturore kombëtare shqiptare.
Samiu ishte një nga themeluesit e kulturës në gjuhën shqipe që lulëzoi në gjysmën e dytë të shek. XIX. Ai shkroi 5 tekste për shkollën e parë shqipe, më të mirat ndër ato që ishin botuar deri atëherë. Një vlerë të veçantë ka “Shkronjëtorja e gjuhësë shqip” (1886), një nga gramatikat më të mira, hartuar në të kaluarën. Në të Samiu dha sistemin gramatikor të gjuhës shqipe, përpunoi kategoritë e saj themelore dhe formuloi terminologjinë përkatëse, një pjesë e së cilës i ka qëndruar me sukses kohës.
Ai u dallua si një punonjës i palodhur në fushën e letërsisë e të shkencës. Rezultatet e studimeve të tij i botoi turqisht me emrin Shemsettin Sami ose Sh. Sami Frashëri. I dha kulturës turke mbi 40 vepra, shumica orgjinale, disa përkthime, një pjesë të të cilave mbetën të pabotuara. Në listën e gjatë të veprave të Samiut ka shkrime letrare, novela e drama, fjalorë e tekste shkollore, broshura për popullarizimin e njohurive shkencore, studime mbi gjuhësinë e letërsinë turke e arabe. Samiu i dha popullit turk të parin fjalor normativ dhe etimologjik të turqishtes (Kamus-i-Turki) dhe të parën enciklopedi të historisë e të gjeografisë të botuar në 6 vëllime (Kamus-ul-alam). Ai drejtoi gjithashtu disa organe shtypi, gazeta e revista, si “Feneri” (1873), “Kopështi” (1873), “Mëngjesi” (1876), “Zëdhënësi i Lindjes” (1878) dhe “Java” (1881).
Në gjithë pasurinë letrare e publicistike dallohet kryevepra e tij në gjuhën shqipe “Shqipëria ç’ka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?” (1899), e cila me të drejtë është çmuar edhe si manifesti politik i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Idetë e orientimet e kësaj vepre, së bashku me ato të fjalëve të urta të botuara në turqisht dhe të të gjithë veprës së tij të gjerë shkencore, e bëjnë Samiun një nga dijetarët më në zë që ka nxjerrë historia e popullit shqiptar, atdhetarin e madh dhe humanistin e shquar të kulturës kombëtare shqiptare.
Në veprat shqipe mbizotëron motivi i luftës çlirimtare kundër sundimtarit osman, kurse veprat turqisht i përshkon fryma e luftës kundër absolutizmit despotik dhe dogmatizmit klerikal të Perandorisë Osmane. Ato synojnë të shembin të njëjtën kështjellë, pushtetin shtypës e feudal të sulltanëve për të çliruar njëkohësisht si popullin shqiptar, ashtu edhe atë turk.
Përballë despotizmit të sulltanëve osmanë Samiu vinte demokracinë dhe lirinë. Liria për Samiun ishte gjëja më e shtrenjtë që i ka dhënë njeriut natyra dhe që askush nuk ka të drejtë t’ia shkelë. Gëzimi më i madh, që mund të ndiejë njeriu në jetën e vet, shkruante Samiu, është çasti kur rifiton lirinë e humbur.
Përballë obskurantizmit mesjetar Samiu vinte dituritë të mbështetura në shkencat, të cilat kanë që të gjitha një vegël, një mjet, mendjen, inteligjencën njerëzore. Dituria ishte për Samiun rruga e lirisë. Prej diturisë rrjedhin mirëqenia dhe të gjitha të mirat e kësaj bote; “njerëzit, - shkruante ai, - kanë një detyrë të madhe: të njohin natyrën dhe të vërtetën e materjeve që gjenden në botë veçanërisht mbi lëmsh të Dheut tonë, të dinë të përfitojnë nga cilësitë e atyre materjeve dhe t’i shtien ato në punë për mirëqenien e mbarë rruzullimit”.
Prandaj gjëja më e mirë për njeriun është të përpiqet të fitojë dituri, “argëtimi më i mirë për njeriun është studimi dhe shoku më i mirë, libri”. Të gjitha këto pikëpamje të Samiut dhe e gjithë puna që ai ka bërë për përhapjen e diturive në masat popullore e bëjnë atë një nga iluministët më të mëdhenj të asaj kohe në Shqipëri dhe në tërë Perandorinë Osmane.
Si iluminist, si mbrojtës i diturisë dhe i shkencës, Samiu ishte kundër obskurantizmit mesjetar të monarkisë teokratike, që mbisundonte në atë kohë në Perandorinë Osmane dhe shfrytëzonte për të ruajtur pushtetin e saj edhe fanatizmin e qarqeve të caktuara konservatore klerikale, të kryesuara nga Shejhylslami. Por kritika ndaj obskurantizmit e fanatizmit fetar të mbjellë nga kleri i lartë dhe sulltani Kalif, nuk e bëri Samiun të vinte në dyshim vlerën e përgjithshme të fesë e të besimit fetar.
Në planin fetar ai mbeti në kuadrin e deizmit, d.m.th. në kuadrin e pranimit të zotit si fuqi e mbinatyrshme që krijoi gjithësinë dhe tokën tonë, të cilat, me t’u krijuar, ekzistojnë e zhvillohen në bazë të ligjeve të tyre. “Çdo gjë që ekziston në natyrë, - shkruante ai, - gjithë trupat qiellorë u shtrohen një ligji dhe një rregulli”.
Në qoftë se në rrjedhjen e ngjarjeve nuk ndërhyn vullneti i zotit, në qoftë se ato ecin sipas ligjeve të tyre të brendshme, atëherë, sipas Samiut, forca vendimtare është “mendja”, “inteligjenca” e njeriut, që e lejon të zbulojë të fshehtat e botës dhe të ecë përpara. Me anën e “mendjes”, të “inteligjencës”, njeriu, shkruante Samiu, “u largua gjithnjë e më tepër nga kafsha dhe u bë përherë e më tepër një levë e fortë që e shpuri lart e më lart qytetërimin”.
Samiu vinte në bazë të zhvillimit shoqëror mendjen dhe inteligjencën. Po të merren parasysh kushtet historike në të cilat jetoi e punoi, botëkuptimi filozofik i Samiut duhet vlerësuar si botëkuptimi më i përparuar i asaj kohe në Shqipëri dhe në Perandorinë Osmane. Në emër “të arsyes”, Samiu u ngrit kundër rendit të paarsyeshëm feudalo-despotik, si edhe kundër paditurisë e obskurantizmit, kërkoi lirinë për popullin e vet, barazinë dhe mirëqenien të mbështetur në punën për të gjithë.
Samiu kishte besim në forcat potenciale të njeriut për t’u përsosur materialisht e moralisht dhe për të ecur gjithnjë përpara në rrugën e qytetërimit. Po kështu, ai kishte besim të plotë në të ardhmen e ndritur të shoqërisë njerëzore, në mundësinë e saj për të kapërcyer çdo pengesë drejt progresit shoqëror. Historia, vinte ai në dukje, nuk njeh ndërprerje, shoqëria njerëzore ka qenë dhe është një entitet që zhvillohet vazhdimisht, nga një shkallë më e ulët në një shkallë më të lartë të qytetërimit. Arsyeja më e thellë e këtij progresi historik, ajo që e bën qytetërimin e mëvonshëm më të përsosur se atë më të hershmin, shpjegonte Samiu, është fakti se “një komb i qytetëruar bën për vete veprat e një kombi tjetër të qytetëruar, bile u shton atyre veprave prodhimet e fuqisë së tij intelektuale, i përsos dhe i shton më tej ato vepra”. Në këtë kuptim çdo popull ka meritat e tij para historisë, sepse çdo popull, kush më shumë e kush më pak, me veprat e veta ka kontribuar në thesarin e përgjithshëm të qytetërimit botëror.
Me vlerësimin e lartë që i bënte çdo kombi, Samiu mbronte një të vërtetë historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se edhe populli shqiptar, ndonëse i vogël, kishte vlerat e tij, të drejtën e ekzistencës dhe kishte dhënë kontributin e tij në kulturën botërore. Vetë veprimtaria e pasur krijuese e Samiut, i cili, si edhe rilindësit e tjerë të shquar shqiptarë, kishte studiuar e kishte përvetësuar thellë idetë demokratike të kohës e veçanërisht të filozofëve e të mendimtarëve të Revolucionit francez, si të Dideroit, të D’Alamberit, të Volterit, të Rusoit etj., duke i vënë ato në shërbim të lëvizjes kombëtare të popullit shqiptar, e pasuroi më tej mendimin e përparuar politiko-shoqëror të Rilindjes Shqiptare.
Me vlerësimin që i bënte qytetërimit të ri evropian, si një shkallë më e përparuar e zhvillimit shoqëror në krahasim me qytetërimin osman të lidhur me sistemin feudal, që mbizotëronte në Perandorinë Osmane, Samiu mbronte një të vërtetë tjetër historike, nga e cila dilte vetvetiu përfundimi se Perandoria Osmane, që ngrihej mbi themelet e sistemit feudal, duhej të shembej dhe mbi gërmadhat e saj duhej të ndërtohej një shoqëri e re në një Shqipëri të pavarur dhe në një Turqi të re.
Idetë më të afërta për Samiun, ato që ndeshen më shpesh në veprën e tij dhe që shprehen më me forcë, janë ato që kanë të bëjnë me kombin, me tiparet e tij, me rrugën e çlirimit kombëtar, me të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. “Sendet më të shtrenjtë në botë, - shkruante Samiu, - janë nderi dhe atdheu. Ata që për dobi personale shkelin dashurinë e atdheut, ata shkelin njëkohësisht edhe nderin e tyre”. Atdhedashurinë ai e shihte si një ndjenjë të tillë, së cilës “asnjë nuk mund t’i bëjë ballë”. “Topi që shemb kështjellat më të fuqishme është atdhedashuria”, thoshte Samiu.
Një problem i lidhur ngushtë me kombin është ai i gjuhës. “Shenja e kombësisë është gjuha, - shkruante Samiu, - çdo komb mbahet nga gjuhët”. Kur një komb e humb gjuhën, humb dhe veten. Me ç’gëzim të madh shkruanin Samiu e Naimi në një letër dërguar një mikut të tyre për arritjet në shkrimin e në lëvrimin e gjuhës shqipe: “Armiqtë e kombit tonë, - thoshin ata, - donin të na gënjenin ç’prej kohe se gjoja gjuha shqipe është një gjuhë e prishur dhe trashamane, se nuk mund të shkruhet, se s’ka gramatikë, se me të nuk mësohen shkencat e tjera. Por në fund panë se shqipja u bë, u shkrua, u krijua alfabeti i saj, u hartua gramatika, u shtypën librat e shkencës, u përkthyen poezi të bukura prej çdo gjuhe të huaj. Me një fjalë u kuptua se ç’gjuhë e përsosur dhe e rregullt është shqipja”.
Në luftën për çlirimin e atdheut nga robëria një rol të madh, sipas mendimit të drejtë të Samiut, do të luante bashkimi i popullit shqiptar. Ai fliste me admirim për forcën e bashkimit dhe për dëmin e grindjes dhe të përçarjes. “Bashkimi, - shkruante ai, - bën të mundura sendet e pamundshme, kurse grindja bën të pamundura sendet e mundshme”. Një pengesë e madhe në rrugën e bashkimit politik ishte përçarja fetare, e mbajtur gjallë dhe e nxitur nga pushtuesit osmanë dhe qarqet politike shoviniste të shteteve fqinje. Samiu me gëzim bënte një konstatim që ishte në të njëjtën kohë edhe një dëshirë e tij: “Shqiptari nuk njeh grindjet e fesë dhe luftërat e përgjakshme fetare, që kanë njohur popujt e Lindjes dhe të Perëndimit. Bashkimi i vërtetë dhe i fortë është ai që mbështetet mbi një themel parimor, mbi bindje të përbashkëta”. “Bashkimi i ideve dhe i parimeve, - shkruante ai, - është më i fortë se bashkimi i shteteve”. Një bazë e tillë parimore për Samiun ishte dashuria për Shqipërinë, së cilës duhej t’i nënshtrohej çdo lloj ndjenje e vlere tjetër. “Shqiptari është shqiptar para se të jetë mysliman apo i krishterë”, shpallte ai, duke ngritur kështu idenë e kombësisë mbi idenë e fesë.
Samiu i bëri një luftë të ashpër shoqërisë feudale dhe shfaqjes më të shëmtuar të saj, shtypjes së popullit e sidomos të fshatarësisë nga çifligarët feudalë e nga fajdexhinjtë. “Nëse ka njeri më të dëmshëm për shoqërinë njerëzore, - shkruante Samiu, - është ai i cili jeton me të ardhurat e një çifligu, që nuk punon vetë ose me kamatën e të hollave që i ka dhënë me fajde”. I frymëzuar nga kjo ide ai doli me kërkesën demokratike që pronarët e tokave t’i qeverisnin vetë tokat e tyre, të ktheheshin, pra, në çifligarë kapitalistë.
Samiu ishte një luftëtar i të drejtave njerëzore, një paralajmëtar i një bote tjetër pa despotizëm dhe pa shtypjen e dinjitetit të njeriut. Dëshmi për këtë, ndoshta më kuptimplotja, është qëndrimi i Samiut ndaj gruas. Problemit të gruas, të vendit të saj në shoqëri, të rrugëve të emancipimit të saj, Samiu i kushtoi një libër të tërë. Gruas ai i njihte një rol shoqëror, atë të edukimit të brezit të ri dhe, nëpërmjet tij, të konsolidimit të vetë shoqërisë. “Një shtet i qytetëruar, - shkruante Samiu, - mbështetet në edukatën e gruas”. Gjithashtu ai i njihte gruas të drejta të barabarta me burrin në familje.
Shkrimet e Samiut, e gjithë vepra e tij në shqip dhe në turqisht është e mbushur me një besim të madh në çlirimin e afërt të Shqipërisë, në një të ardhme më të mirë të saj. Këtë besim ai e mbështeste në një varg faktorësh historiko-politikë e psikologjikë. Të tillë faktorë për Samiun ishin lashtësia e popullit shqiptar, trimëria e tij, talenti dhe zgjuarsia, dashuria për punë e mbi të gjitha atdhedashuria. Atdhedashuria e popullit shqiptar, e bashkuar me trimërinë e tij, ishin për Samiun ajo forcë, të cilën s’mund ta ndalte asgjë në rrugën e saj drejt qëllimit të caktuar.
Besimin për çlirimin e afërt të Shqipërisë Samiu e gjente edhe në bindjen që ai kishte se Perandoria Osmane ishte në kalbëzim e sipër, se koha e despotizmit politik dhe e shtypjes kombëtare ishte duke perënduar dhe, si rrjedhim, vitet e sundimit osman në Ballkan ishin të numëruara. Samiu priste çdo ditë të dëgjonte lajmin e gëzuar të shembjes së despotizmit anakronik të sulltanit. Ai punoi për ta përgatitur popullin për këtë të ardhme të lirë e të pavarur dhe me idetë e veprat e tij, si edhe me veprimtarinë politiko-shoqërore, i frymëzoi shqiptarët të luftonin për sigurimin e saj.
Shtypi
Hapat e parë shtypi shqiptar i hodhi me daljen e organit mujor “Fiamuri i Arbërit” që filloi të botohej në Kalabri në vitet 1883-1887, në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe italisht, nën drejtimin e Jeronim de Radës?. Një rëndësi të madhe në jetën politiko-kulturore të vendit pati botimi në Stamboll, me nismën e Sami e Naim Frashërit, i revistës mujore “Drita” e më vonë “Dituria” (1884-1885). Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX botohen organe të reja të shtypit shqiptar, që luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Në kushtet e regjimit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, gazetat dhe revistat shqipe nuk mund të botoheshin në Shqipëri, prandaj nxirreshin jashtë në kolonitë shqiptare të mërgimit. Shumica e tyre nxirreshin në gjuhën shqipe, disa ishin dygjuhëshe. Nga këto më të rëndësishme ishin: “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços; “Shqipëria” (Bukuresht, 1897-1898), nën drejtimin e Visar Dodanit dhe Jorgji Meksit, si organ i shoqërisë “Dituria”; “Albania” (Bruksel e më vonë në Londër, 1897-1909), nga Faik Konica; “Kalendari kombiar” (Sofje, 1897-1915), që botohej si organ i shoqërisë “Dëshirë”, në fillim nën drejtimin e Kristo Luarasit e Kosta J. Trebickës dhe më pastaj të Mithat Frashërit (Lumo Skëndos); “Drita” (Sofje, 1901-1908), nën drejtimin e Shahin Kolonjës; “Besa-Besën” (Kajro, 1900-1904), nga Milo Duçi; “Albania” (Beograd, 1902-1905), nga Jashar Erebara; “Shpnesa e Shqypnisë” (Raguzë, Trieste e Romë, 1905-1908), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt; “Kombi” (Boston, 1906-1908), nga Sotir Peci; “Shqipëria” (Kajro, Magaga, 1906-1908); “Pellazgu” (Kajro, 1907); “Shkopi” (Kajro, 1907-1908) etj. Megjithëse nuk botoheshin në Shqipëri, ato me rrugë e me mjete të ndryshme përhapeshin edhe në atdhe, ku kalonin dorë më dorë e lexoheshin me etje të madhe. Një popullaritet të veçantë gëzonte gazeta “Drita” e Sofjes, e cila më 1904 kishte një tirazh prej 670 kopjesh. Kjo i detyrohej në radhë të parë përmbajtjes atdhetare të artikujve që botoheshin në këtë gazetë. Gazeta “Shkopi” kishte një tirazh edhe më të madh, 900- 950 kopje në vitet 1907-1908.
Duke çmuar rolin e organeve të shtypit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, disa nga Fuqitë e Mëdha dhe veçanërisht Austro-Hungaria, që u tregua më aktive në këtë drejtim, duke shfrytëzuar edhe vështirësitë financiare të botuesve të tyre, u premtuan shoqërive atdhetare të mërgimit dhe personaliteteve kombëtare që drejtonin organet e shtypit shqiptar subvencione financiare, me kusht që veprimtaria e tyre të mos shtrihej në fushën politike, të mos cenonte status quo-në në Perandorinë Osmane dhe pushtetin e sulltanit në Shqipëri. Shumica e organeve të shtypit shqiptar e botuesit e tyre i qëndruan këtij presioni të shteteve të huaja e sidomos të Vjenës dhe, megjithëse hiqnin vështirësi të mëdha financiare, e vijuan veprimtarinë e tyre të pavarur politike. Ndërkaq, Faik Konica e pranoi ndihmën financiare të Vjenës, me kushtet e vendosura prej saj dhe në pajtim me to hyri, në dhjetor të vitit 1897, në një lloj marrëveshjeje me Ministrinë e Jashtme të Austro-Hungarisë. Faik Konica e bëri këtë, sikurse e pohon edhe vetë, i nisur nga vështirësitë financiare, por edhe pse mendonte se Shqipëria nuk mund të zhvillohej pa ndihmën e jashtme, se kjo do të ishte një rrugë për të përballuar rrezikun italian që e quante më real dhe më në fund për ta bërë Vjenën “të palëkundur në përkrahjen e Shqipërisë”. Megjithatë, ky qëndrim i Faik Konicës u kritikua atëherë nga një pjesë e mirë e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare që mendonin ndryshe nga ai.
Pas katër numrave të parë të revistës “Albania”, që Faiku i nxori në mënyrë të pavarur, pa ndonjë subvencion, në shkrimet e mëpasshme u ndje ndikimi i kësaj “marrëveshjeje”, si në përkrahjen nga ky organ të politikës së Vjenës, ashtu edhe në zbutjen e qëndrimit ndaj sulltan Abdyl Hamitit e Perandorisë Osmane. Megjithatë, Faik Konica me revistën e tij përgjithësisht u gjend edhe pas kësaj në të njëjtën hulli si rilindësit e tjerë, iu kushtua luftës për përparimin kulturor të popullit shqiptar, për ngritjen e ndërgjegjes së tij kombëtare, duke pasur si synim ta përgatiste atë në të ardhmen për t’u çliruar nga robëria osmane. Revista “Albania” ruajti karakterin atdhetar, mbeti një nga organet kryesore të shtypit shqiptar të Rilindjes dhe me botimet e saj letrare, publicistike e enciklopedike dha një ndihmesë të çmuar në pasurimin e kulturës shqiptare në tërësi dhe veçanërisht në lëvrimin e gjuhës letrare shqipe, në njësimin e shkrimit të saj.
Në kushtet kur botimet e tjera ishin ende të kufizuara, organet e shtypit u bënë tribuna kryesore të mendimit politik e shoqëror shqiptar. Në to gjetën pasqyrim në radhë të parë lufta e popullit shqiptar për autonominë e vendit, që ishte kërkesa themelore e lëvizjes kombëtare dhe, lidhur me këtë, qëndrimi i forcave të ndryshme politike për mjetet e rrugët për arritjen e saj. Pjesa më e përparuar e atdhetarëve, e sidomos intelektualët me ide radikale, mbronin nëpërmjet organeve të shtypit programin e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë dhe shpreheshin për përmbushjen e tij me anë të kryengritjes së armatosur.
Tribuna të kësaj rryme u bënë sidomos gazetat “Shqipëria”, “Drita”, “Albania” (Beograd), “Kombi”, “Shpnesa e Shqypnisë” etj., ku botonin shkrimet e tyre Shahin Kolonja, Dervish Hima, Jashar Erebara, Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fan Noli, Asdreni, Çajupi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Visar Dodani, Sotir Peci etj. “Shqipëria” e Bukureshtit, në një varg artikujsh, botuar në vitin 1897, duke e vënë theksin në kërkesën e njohjes së kombit shqiptar dhe të autonomisë së vendit, shkruante se “duamë të na njohë (Turqia) për komb, të na bënjë autonominë administrative, të qeverisemi vetë…” (“Dëshirë e shqiptarëve” dhe “Shqipëri e shqiptarëve”, 1897).
Por atdhetarët më radikalë, në shkrimet e botuara në këto gazeta, shkuan edhe më tej, shtruan domosdoshmërinë e formimit të një Shqipërie të pavarur ose, siç shpreheshin ata, të veçimit e të ndarjes së plotë të saj nga Perandoria Osmane. Ata kishin formuar tanimë bindjen se Porta e Lartë nuk mund t’u siguronte shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare, se vetë Perandoria Osmane ishte e destinuar të shkatërrohej dhe se politika e bashkëjetesës së shqiptarëve me turqit brenda kufijve të saj është e gabuar dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e Shqipërisë; e vetmja rrugë shpëtimi, theksonin ata, është shkëputja e plotë dhe e menjëhershme e Shqipërisë nga kjo Perandori, pavarësia e saj (“Albania”, Beograd, artikujt “Drejtudhësia e shqiptarit”, “Përçmimi i shqiptarëve”, më 1902-1904; “Drita”, Sofje, artikujt “Turqia dhe shqiptarët”, “Si do të bëhet puna e Maqedonisë”, më 1903-1904 etj.).
Në vitet 1902-1907, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte marrë një karakter të organizuar, kur qëndresa e armatosur kundërosmane kishte shpërthyer, thuajse, në çdo anë të vendit dhe kishte filluar lufta e çetave të drejtuara nga komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, mjaft nga organet e shtypit shqiptar përkrahën këtë qëndresë dhe u bënë propaganduese e idesë së luftës së armatosur, duke e parë atë si mjetin kryesor për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane.
Por në shtypin shqiptar, sidomos në revistën “Albania” (Bruksel-Londër), në gazetën “Shqiptari” (Bukuresht), “Dashamiri” (Trieste) dhe në ndonjë organ tjetër u shfaqën edhe pikëpamje të tjera, që shprehnin më shumë qëndrimin e elementëve më të moderuar, të cilët e kufizonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare vetëm me kërkesa kulturore dhe ekonomike, si “ngritja e shkollave shqipe, përhapja e librave kombëtare dhe e udhëve të hekurta”, të cilat mendonin t’i siguronin me ndihmën e qeverisë turke. Këto ishin, padyshim, masa të rëndësishme e të domosdoshme, që do të ndikonin në ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare e politike të popullit, por nuk qenë të mjaftueshme për çlirimin e tij nga zgjedha osmane. Në këto organe u botuan edhe artikuj, në të cilët kundërshtohej lufta politike e posaçërisht kërkesa e autonomisë dhe e shkëputjes së Shqipërisë nga sundimi osman, nuk pranohej nevoja e luftës së armatosur. Autorët e artikujve të tillë, duke i bërë thirrje popullit shqiptar që të përpiqej t’i fitonte të drejtat kombëtare me rrugën e reformave, shkruanin: “Të lëshojmë mënjanë politikën…, të marrim të drejtat tona nga duart e mbretit suprem Hamitit”, “pa trazime dhe luftëra…, vetëm me butësi dhe urtësi”; “ne duam të pushojë lëvizja kryengritëse, e cila kërkon të bëjmë copë-copë të shtrenjtin tonë atdhe, Mbretërinë Otomane” (“Ca të tjera”, në “Albania”, Bruksel, 1897; “Fjalë për lëçitësit”, në “Shqiptari”, Bukuresht, 1903).
Mjaft nga organet e tjera të shtypit i quanin këto mendime të dëmshme për lëvizjen çlirimtare, sepse, siç theksohej në to, ngjallnin te populli shqiptar “shpresa të reme” dhe iluzione në “mirëbërësinë” e sulltan Abdyl Hamitit. Në shkrimet e botuara në këto organe thuhej se “nuk na pëlqejnë idherat e atyre që thonë se duhet të mbahetë dhe të jetë Turqia, për të mirën e Shqipërisë”, se “ Turqia nuk bën asnjë reformë që t’u ap të drejta popujve…”.
Në mendimin politik të shtypit shqiptar gjeti pasqyrim edhe Revolucioni rus i viteve 1905-1907. Në shkrimet e botuara, sidomos në gazeta të tilla si “Drita” e Shahin Kolonjës, “Shpnesa e Shqypnisë” e Nikollë Ivanajt etj., atdhetarët shqiptarë e shihnin luftën e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë Osmane, si edhe atë të popullit rus, si një luftë të përbashkët çlirimtare që drejtohej kundër të njëjtëve armiq, “dy mbretërive të fëlliqura, që quhen Rusi dhe Turqi..., që kanë përmbi krye dy njerëz gjakatarë e të poshtër që nuk u ngopën së thithuri gjak njeriu” (“Drita”, Sofje, 1905).
Në shtypin shqiptar kanë gjetur pasqyrimin e vet, megjithëse në një masë më të vogël, edhe çështjet ekonomiko-shoqërore, si ato të luftës kundër shtypjes ekonomike, të rolit të forcave të ndryshme shoqërore në lëvizjen kombëtare etj. Në artikujt e korrespondencat nga Shqipëria, të botuara në gazetën “Drita”, “Kombi”, “Shkopi” etj., në vitet 1901-1907, përshkruhet me ngjyra të forta e në mënyrë rrëqethëse gjendja e mjeruar ekonomike e kulturore e popullit, sidomos e fshatarësisë që ishte zhytur në padije. Kjo gjendje shpjegohej me sundimin osman e politikën shtypëse të sulltanit dhe në ndonjë artikull me ndarjen e padrejtë të tokave, me zotërimin e pronës së madhe të çifligarëve e të shtetit osman.
Mendime të ndryshme u shprehën në shtypin shqiptar lidhur me rolin e parisë feudalo-çifligare ose, siç shprehej shtypi, të oxhakësisë, në lëvizjen kombëtare. Ndërsa atdhetarët e moderuar mendonin se lëvizja çlirimtare duhej të mbështetej te kjo pari, të cilën e quanin “shpresa e shpëtimit dhe e lirisë s’atdheut”, përfaqësuesit më radikalë të Rilindjes Kombëtare e shihnin atë si pjesë të elitës politike sunduese të Perandorisë Osmane. Ata i bënin thirrje popullit që të ngrihej jo vetëm kundër pushtetit të sulltanit, por edhe kundër parisë shqiptare, e cila, siç thuhej në shkrimet e tyre, ishte bërë “vegël e guvernës turke për t’shtrydhur gjakun e varfërisë dhe për të rrjepur njerëzinë” (“Drita”).
Të ndryshme ishin mendimet e grupimeve politike shqiptare, të shprehura në shtyp, për rolin e popullit të thjeshtë në lëvizjen kombëtare. Ndërsa atdhetarët e moderuar e quanin popullin një turmë, “që s’ka siguri veçse tek oxhaksia”, te paria, elementët radikalë e quanin popullin e thjeshtë, “vegjëlinë”, siç cilësohej atëherë, “bartës të vërtetë të patriotizmit” dhe luftëtar të vendosur për çlirimin e atdheut nga zgjedha osmane.
Por problemi i trajtuar më gjerësisht në faqet e të gjitha organeve të shtypit shqiptar ishte ai i luftës për lirinë e gjuhës dhe të shkollës shqipe, të cilat të gjithë atdhedashësit, pa përjashtim, i vlerësonin si një mjet shumë të rëndësishëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, për konsolidimin e tij kombëtar dhe për bashkimin në luftë kundër pushtuesve të huaj. Por atdhetarët më largpamës e trajtonin luftën për shkollën e shkrimin shqip si pjesë të pandarë të lëvizjes politike për njohjen e kombit shqiptar dhe për autonominë e tij.
Nëpërmjet shtypit, rilindësit kundërshtonin përpjekjet e qendrave të huaja klerikale për të përçarë shqiptarët sipas besimeve fetare, për të mbjellë dasinë midis popullsisë myslimane, nga njëra anë, dhe asaj krishtere, nga ana tjetër. Kjo veprimtari, që shtypi e quante antikombëtare, bëhej më e dëmshme për kombin, sepse gjente përkrahës edhe te klerikë të veçantë të lartë, konservatorë e fanatikë shqiptarë, myslimanë e të krishterë, të lidhur me interesa ekonomike e shpirtërore me sundimtarët osmanë, me sulltanin Halif si edhe me Patrikanën greke të Stambollit. Në artikujt e botuar në organet e shtypit gjatë viteve 1907-1908 nga Fan Noli, Mihal Gramenoja, Hilë Mosi dhe atdhetarë të tjerë theksohej se këto kategori të klerikëve u shërbenin të huajve dhe ishin bërë “vegla politike” në duart e tyre.
Duke qenë edhe vetë besimtarë dhe duke respektuar ndjenjat fetare të të gjithë shqiptarëve, rilindësit i veçonin nga kleri e shumica e klerikëve të të tria besimeve fetare këta përfaqësues të caktuar të qarqeve klerikale, që vepronin në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, duke i quajtur “armiq po aq të rrezikshëm për kombin, sa edhe qeveria turke”, dhe arritën në përfundimin se shqiptarët nuk mund të siguronin as bashkimin e as çlirimin kombëtar pa kapërcyer veprimtarinë e tyre përçarëse.
Një vend të rëndësishëm në organet e shtypit kanë zënë edhe artikujt e thirrjet e drejtuara kundër politikës shoviniste të shteteve fqinje ballkanike dhe kundër qëndrimit mospërfillës të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Në shkrimet e thirrjet e botuara në shtypin shqiptar në vitet 1902-1908 nga Asdreni, Fan Noli, Shahin Kolonja, Çerçis Topulli dhe nga mjaft autorë të tjerë anonimë, goditet veçanërisht politika shoviniste e qarqeve politike të Athinës, të Beogradit, të Sofjes e të Malit të Zi, të cilat në synimet e tyre për të përgatitur pushtimin e tokave shqiptare nuk ndaleshin para asgjëje, përdornin të gjitha mjetet, nga përçapjet për asimilimin e shqiptarëve nëpërmjet shkollave dhe kishës e deri tek organizimi në tokat shqiptare të bandave të armatosura, që terrorizonin popullsinë. Ata dënonin gjithashtu politikën e disa prej Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë, që përkrahnin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje ndaj tokave shqiptare, si edhe ndërhyrjet që ato ndërrmorën në vitet 1902-1907 për zbatimin e reformave në Turqinë Evropiane, të cilat çonin në copëtimin e territoreve shqiptare.
Idetë përparimtare e demokratike të shtypit luajtën një rol të madh për përgatitjen ideologjike e politike të popullit shqiptar në luftën për bashkimin dhe për çlirimin kombëtar të vendit.

Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe përhapja e shkrimit shqip

Pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit më 1878 dhe të Shoqërisë së Stambollit më 1879 mori hov lëvizja për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe. Mendjet më të ndritura të kohës, si Kostandin Kristoforidhi, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Jani Vretoja, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta etj., duke e njohur mirë gjuhën amtare dhe duke pasur besim të patundur në zhvillimin e saj të shpejtë, iu përveshën me zell një pune të shumanshme që nuk vonoi të jepte përfundime të dukshme. Drejtimet kryesore të përpjekjeve të tyre, që kushtëzoheshin nga kërkesat e kohës, ishin përhapja e shkrimit shqip, pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme, pasurimi i saj sidomos me terma shkencorë e me fjalë të tjera të fjalorit abstrakt dhe përpunimi i disa normave gjuhësore që do të çonin shkallë-shkallë në zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës letrare shqipe. Me këto përpjekje atdhetarët rilindës synonin të forconin bashkimin dhe afirmimin kombëtar të popullit shqiptar, për të cilët një faktor vendimtar ishte gjuha, si tipar themelor që dallon çdo komb.
Alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (1879) me 36 shkronjat e tij i plotësonte mirë kërkesat fonologjike të gjuhës shqipe dhe, me gjithë mungesën e shkollave shqipe, ishte përhapur ndër shqiptarët brenda e jashtë vendit. Por, duke qenë i përzier edhe me disa shkronja greke dhe me disa shkronja të veçanta, ai paraqiste mjaft vështirësi për botim librash e fletoresh nëpër shtypshkronja. Përveç kësaj, megjithëse bëri të mundur mënjanimin e disa alfabeteve të përdorura më parë, alfabeti i Stambollit nuk mbeti i vetmi alfabet për shkrimin e shqipes. Kështu në Shkodër vijoi të përdorej alfabeti tradicional i shkrimtarëve klerikë të Veriut. Madje, në kapërcyell të shek. XX në atë qytet u vunë në përdorim dy alfabete të reja: alfabeti thjesht latin i Shoqërisë “Bashkimi”, i themeluar më 1899 nga Preng Doçi, Gjergj Fishta etj., dhe alfabeti i Shoqërisë “Agimi”, i formuar më 1901 nga Zef Mjeda, Ndre Mjeda etj. Gjatë kësaj periudhe në Shkodër nuk munguan edhe përpjekjet për ta shkruar shqipen me alfabetin arab.
Rilindësit u përpoqën edhe për pastrimin e pasurimin e fjalorit, gjë që diktohej nga vetë gjendja e gjuhës shqipe, e cila, në kushtet e një prapambetjeje të gjithanshme të popullit shqiptar, ishte e mbushur me fjalë të huaja dhe kishte mbetur e varfër sidomos për fjalë të fushave të ndryshme të shkencës e të kulturës. Për t’ia arritur këtij qëllimi të dyanshëm u shfrytëzuan më shumë mjetet fjalëformuese të gjuhës shqipe, duke krijuar kështu një numër të madh fjalësh të reja, një pjesë e mirë e të cilave i kanë qëndruar kohës. Të tilla janë, p.sh., fjalët ndërgjegje, vetëdije, cilësi, sasi, folje, rrokje, përemër, atdhe, mëmëdhe, kryeqytet, qytetëroj etj. Është e vërtetë se përpjekje për të krijuar fjalë të reja ishin bërë edhe më parë, duke nisur që nga Buzuku, Budi e Bogdani e deri te Naum Veqilharxhi. Por përpjekjet e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në këtë fushë dalloheshin për karakterin e tyre më të vetëdijshëm, për përmasat e gjera dhe për përhapjen e madhe që patën.
Për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe u shfrytëzua në radhë të parë visari i pasur i gjuhës popullore. Për këtë qëllim u mblodhën nga goja e popullit fjalë e shprehje të rralla që rilindësit i shtinë në përdorim në veprat e tyre. Në këtë punë fisnike u dallua në mënyrë të veçantë Kostandin Kristoforidhi, i cili i ra kryq e tërthor mbarë vendit, duke mbledhur një visar të pasur, që e përfshiu edhe në veprën e tij madhore “Fjalori i gjuhës shqipe”. Por këtë vepër me vlerë të madhe autori nuk mundi ta botonte sa qe gjallë. Pas shumë përpjekjesh, ky fjalor u botua më në fund më 1904 në Athinë. Fjalori nuk kishte karakter dialektor, si fjalorët e botuar më parë, por ishte një fjalor i mbarë shqipes. Shpjegimet aty jepeshin në gjuhën greke, por kishte edhe shpjegime plotësuese shqip. Ata që nuk dinin greqisht e përdornin për të gjetur ekuivalenten greqisht të fjalës shqipe.
Më 1908 u botua në Shkodër nga Shoqëria “Bashkimi” një tjetër fjalor i gjuhës shqipe me shpjegimet në gjuhën italiane.
Drejtimi tjetër kryesor, ku u përqendruan përpjekjet për lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe, ishte përpunimi i disa normave drejtshkrimore e gramatikore dhe studimi i strukturës gramatikore të gjuhës. Edhe në këtë fushë puna nuk nisi nga e para. Përpjekje të tilla ishin bërë edhe më përpara. Por pas vitit 1880, në kushtet e reja të rritjes së lëvizjes kombëtare, shtrohej detyra për një punë më të vetëdijshme dhe me synime më të qarta. Në shkrimet shqipe duheshin zbatuar disa norma drejtshkrimore që t’i bënin ato sa më të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga baza dialektore. Për një punë të tillë të vetëdijshme shprehen në shkrimet e tyre sidomos Kostandin Kristoforidhi, Samiu, Naimi etj. Gjatë kësaj periudhe u bënë përpjekje edhe për një afrim të dy varianteve të shkruara të shqipes. Por, në kushtet e sundimit të huaj dhe të përçarjeve krahinore e fetare, të ushqyera nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm, këto përpjekje nuk mund të shkonin larg. Në këto rrethana, kur edhe një pjesë e shkrimtarëve vijonin të përdornin në shkrimet e tyre një gjuhë thjesht dialektore, ishte shumë e vështirë të përpunoheshin e të zbatoheshin nga të gjithë norma drejtshkrimore e gramatikore të njësuara. Megjithatë, u bë një punë e madhe për vendosjen e disa normave drejtshkrimore e gramatikore, që shënuan një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua edhe studimit të strukturës gramatikore të gjuhës e kjo duket qartë edhe nga botimi i disa gramatikave me vlerë, të hartuara kryesisht nga autorë shqiptarë. Nga këto dallohen sidomos gramatika e Kostandin Kristoforidhit (1882), me shpjegim në gjuhën greke, “Shkronjëtorja ...” e Samiut (1886), që është e para gramatikë e gjuhës shqipe, gramatika e Gjergj Pekmezit (1908), me shpjegime në gjuhën gjermane, gramatika shqipe e Anton Xanonit (1909) etj.
Puna për lëvrimin e për studimin e gjuhës bëri të mundur zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX u shtuan edhe më shumë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për lirinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe për çeljen e shkollave shqipe. Edhe pas hapjes së shkollës së Korçës në vitin 1887, gjendja e arsimit në Shqipëri mbeti e mjerueshme. Gjithë sistemi arsimor osman përbëhej nga shkollat fillore (mejtepe) në qytete e në fshatra, një pjesë e madhe pranë xhamive, nga disa shkolla gjysmë të mesme ose qytetëse (ruzhdie) që funksiononin në qytete, ndërsa shkolla të mesme shtetërore (idadie) ishin ngritur vetëm në kryeqendrat e katër vilajeteve. Mësimet zhvilloheshin kudo në gjuhën turke, ndërsa numri i fëmijëve që i ndiqnin këto shkolla ishte shumë i pakët. Në këto rrethana atdhetarët rilindës si në memorandumet e peticionet e njëpasnjëshme, që i dërguan Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga kolonitë e mërgimit e nga brenda vendit, ashtu edhe nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar të viteve 1897-1908, protestuan ndaj kësaj gjendjeje të rëndë të arsimit në Shqipëri dhe kërkuan me këmbëngulje që shqiptarëve t’u jepej e drejta e mësimit të lirë të gjuhës amtare shqipe dhe që të hapeshin kudo në Shqipëri shkolla shqipe të të gjitha hallkave. Organet e shtypit theksonin se “ne shqiptarët duhet të hapim shkolla shqipe në Shqipëri dhe të mësojmë në gjuhën tonë”, “të çelim shkolla shqipe në të gjitha anët e Shqipërisë, në çdo qytet dhe në çdo fshat, me qëllim që të lulëzohet Shqipëria” (“Shqipëria”, 1897, “Gjuha shqipe dhe shqiptarët”; “Drita” 1903, “Kombet e tjera dhe shqiptarët” etj.)
Atdhetarët, me gjithë pengesat e qeverisë turke, nuk i ndërprenë përpjekjet për të përhapur arsimin në gjuhën amtare. Përveç dy shkollave shqipe të Korçës, në mjaft vise të Shqipërisë, si në Elbasan, Dibër, Krujë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Kolonjë, Starovë, Vlorë, Përmet, Skrapar, Çamëri etj., funksiononin, në shumicën e rasteve pranë shtëpive private, shkolla të fshehta shqipe, në të cilat arsimtarët atdhetarë u mësonin fëmijëve e të rriturve abetaren e gjuhës shqipe. Në këto qendra, si edhe në qytete të tjera të vilajeteve shqiptare, si në Shkodër, Durrës, Tiranë, Prizren, Prishtinë, Shkup, Manastir etj., mësuesit atdhedashës u mësonin fshehurazi shkrimin shqip nxënësve në shkollat e huaja turke, greke etj.
Atdhetarët rilindës protestuan në ato raste kur Austro-Hungaria bëri përpjekje për të zëvendësuar gjuhën shqipe, që ishte futur në shkollat e saj, me gjuhët e huaja. Në vitet 1898-1900 shpërtheu konflikti ndërmjet popullsisë së Prizrenit dhe agjentëve konsullorë austro-hungarezë, që deshën të fusnin në shkollën shqipe të qytetit sllavishten. Vatikani më 1898 largoi nga kjo shkollë klerikët shqiptarë nga Prizreni dhe emëroi në vend të tyre klerikë e murgesha kroate, që filluan të përdornin në shkollë krahas shqipes edhe sllavishten. Meqenëse kërkesat e popullsisë së Prizrenit për pezullimin e mësimit në gjuhën sllave nuk u morën parasysh, ajo ngriti më 1899 një shkollë të re shqipe të pavarur, në të cilën jepte mësim Mati Logoreci. Në këto përpjekje atdhetarët prizrenas patën edhe përkrahjen e popullsisë së Shkodrës dhe të viseve të tjera. Shkolla e re tërhoqi shumicën e nxënësve të Prizrenit. Në konfliktin për çështjen e shkollës së Prizrenit (që zgjati 2 vjet) ndërhyri me kërkesën e Vjenës edhe policia turke, e cila arrestoi mjaft shqiptarë atdhetarë. Qëndresa e gjatë e protestat e vazhdueshme të popullsisë së Prizrenit bënë më në fund efektin e tyre; më 1900 u kthyen në Prizren klerikët e larguar shqiptarë dhe u hoqën nga shkolla mësuesit e huaj. Pas kësaj të dyja shkollat u bashkuan në një shkollë të vetme.
Kështu ndodhi edhe në Tiranë, ku në saje të kërkesave këmbëngulëse të rretheve atdhetare, në shkollën austriake të këtij qyteti, në kundërshtim me vendimin e kryepeshkopit katolik të Durrësit, u vunë në përdorim tekstet e përgatitura nga Shoqëria e Stambollit.
Në saje të përkrahjes së popullit dhe të vendosmërisë së mësuesve atdhetarë, edhe Mësonjëtorja shqipe e Korçës, që ishte e vetmja shkollë shqipe legale, u bëri ballë për një kohë të gjatë përndjekjeve dhe intrigave të qeveritarëve osmanë dhe mitropolisë së Korçës. Në vitet e fundit të shek. XIX, kur drejtor i saj u bë Nuçi Naçi, ajo u kthye në një shkollë të rregullt fillore me katër klasë, ku ndiqnin mësimet 80-100 fëmijë të krishterë e myslimanë nga 20-40 që kishte më parë. Përveç drejtorit, në shkollën e djemve të Korçës jepnin mësime edhe arsimtarët Thanas Nona e Nikolla Lako, ndërsa të rriturve abetaren shqip ua mësonte Kristo Vodica. Por edhe kjo shkollë më në fund u mbyll në vitin 1902, kur autoritetet osmane, të nxitura edhe nga peshkopi ortodoks grek, arrestuan mësuesin dhe drejtorin e saj të fundit Nuçi Naçin, të akuzuar si pjesëmarrës i një “organizate të fshehtë” shqiptare.
Shkolla e vajzave të Korçës, ku jepnin mësim Sevasti Qiriazi (që ishte edhe drejtoreshë e saj), Fanka Efthimi dhe më pastaj Polikseni A. Dhespoti (Luarasi) e Thanas Sina, dha ndihmë të madhe për disa vjet në përhapjen e shkrimit shqip e të ndjenjave atdhetare tek të rejat dhe te popullsia e qytetit. Ajo frekuentohej nga 50 nxënëse, disa prej të cilave, duke qenë nga viset e tjera, ishin konviktore. Por edhe kjo shkollë u mbyll më 1904 nga autoritetet osmane.
Ndërsa pengonte përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe dhe merrte masa të rrepta ndaj mësuesve e prindërve, sidomos ndaj atyre myslimanë që çonin fëmijët në shkollat shqipe, qeveria osmane, duke qënë nën presionin e shteteve fqinje e të Fuqive të Mëdha, lejonte çeljen në qytetet e Shqipërisë të shkollave të reja të huaja, greke, bullgare, serbe etj.
Krahas këtyre, përhapja e shkrimit shqip pengohej gjithashtu nga mungesa e një alfabeti të përbashkët për gjithë shqiptarët. Atdhetarët shqiptarë me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë si një shenjë dasie që pengonte bashkimin e konsolidimin kombëtar të shqiptarëve.
Por si çëshjtja e shkollës shqipe, ashtu edhe ajo e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, qenë shndërruar në probleme politike, zgjidhja e të cilave do të varej nga zhvillimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.



2. LETËRSIA DHE ARTET


Letërsia

Ringjallja nacionale, lëvrimi i shqipes si gjuhë e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi i letërsisë kombëtare në rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit të pavarur në rrafshin politik, këto ishin pikat kyçe të programit të lëvizjes së Rilindjes, prej së cilës lindi shkolla e romantizmit shqiptar të shek. XIX, që u përurua në veprën “Këngët e Milosaos” (1836) të Jeronim de Radës për të marrë formën e plotë në veprat e Naim Frashërit, Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Zef Serembes, Gavril Darës (të Riut), Andon Z. Çajupit, Luigj Gurakuqit, Asdrenit, Gjergj Fishtës, Filip Shirokës e të tjerëve. Ishte ky një romantizëm tipik ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit kombëtar, me mallin e mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit të mesjetës shqiptare, domethënë të luftërave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Letërsia e Rilindjes u frymëzua nga idetë e romantizmit nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan në rrethet e inteligjencies shqiptare, e cila jetonte kryesisht në mërgim, në ngulimet e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet e reja në Stamboll, Bukuresht, ShBA, Sofje e Kajro. Kjo shkollë letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar e më pak njeriu tragjik. Në procesin e zhvillimit të saj nisën të integrohen gjithnjë e më shumë në të edhe idealet shoqërore demokratike të ndikuara nga orientimi në përgjithësi perëndimor i kulturës shqiptare të Rilindjes. Këtë prirje e shprehu në mënyrë poetike, Naim Frashëri, në vargjet sintetike: “Jak’ o dit’ e uruar, / Që lint nga perëndon”.
Pjesë e këtij procesi ishte dhe pasurimi i krijimtarisë letrare me idealet humaniste për rilindjen e njeriut dhe lirinë e individit, për përsosjen e tij morale dhe emancipimin e tij nga prangat e mesjetës, nga mendësia e normat e moralit të saj që e ndrydhte shpirtin e njeriut dhe e mbante në padije e errësirë. Poezia, sidomos poezia lirike e Rilindjes, i solli letërsisë shqipe botën shpirtërore të individit, dramat e kërkimet e tij morale, një botë në lëvizje e të trazuar, një shpirt të zgjuar nga gjumi mesjetar që e mpinte mendjen njerëzore.
Një tipar i rëndësishëm i kulturës dhe i letërsisë së Rilindjes është rigjallërimi dhe rivlerësimi i vlerave tradicionale të kulturës shqiptare, sidomos lidhja e ngushtë e saj me folklorin vendas, riaktivizimi i motiveve dhe i formave poetike të krijimtarisë gojore popullore. Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në fushë të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe” më 1866 nga De Rada, “Përmbledhje të këngëve popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare” më 1871 nga Zef Jubani, “Bëleta shqiptare” më 1878 nga Thimi Mitkoja, “Valët e detit” më 1908 nga Spiro Dineja etj.) ishin pjesë e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e identitetit etno-kulturor të shqiptarëve.
Por letërsia e kultura e Rilindjes u zhvilluan në marrëdhënie të ngushta me kulturat perëndimore e lindore, duke marrë prej tyre ato elemente që i përgjigjeshin frymës së tyre dhe duke ruajtur natyrën vendase.
Lëvizja mendore dhe letrare e Rilindjes krijoi një kulturë të re; ajo hapi epokën e kulturës moderne të shqiptarëve.
Fillimet e letërsisë së Rilindjes lidhen me krijimtarinë poetike të një grupi poetësh nga veriu, të cilët qëndrojnë në kapërcyell të dy kohëve. Nga njëra anë ata me shkrimet e tyre fetare zgjasin, pas një heshtjeje gati treçerekshekullore, traditën e letërsisë së vjetër klerikale katolike, kurse nga ana tjetër me disa vjersha të tyre, ku u buthtuan motivet e para atdhetare, u bënë nismëtarë dhe pararendës të letërsisë së re. Këta ishin Preng Doçi (1847-1917), abati i Mirditës, Pjetër Zarishi (1806-1866) nga Zadrima, Leonardo de Martino (1830-1923) arbëresh i ardhur si misionar françeskan në Shqipëri dhe Ndue Bytyçi (1847-1917) prej Kosove.
Disa vjersha të këtyre poetëve janë të mbrujtura me frymën atdhetare dhe me notat e kushtrimit për luftë kundër pushtuesit, duke i hapur udhën edhe një lëvizjeje të gjerë artistike letrare, që do të zhvillohej në Shkodër në mbarim të shek. XIX dhe që pati si përfaqësues të saj Ndre Medën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Filip Shirokën.
Naim Frashëri (1846-1900)
Naim Frashëri është figura qendrore e letërsisë së Rilindjes dhe një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kombëtare, njeriu që u pagëzua për së gjalli si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe”. Lindi në Frashër të Dangëllisë, ku mori mësimet e para nga hoxha i fshatit. Me shpërnguljen e familjes në Janinë, pranë vëllait të madh Abdylit, që shërbente si nëpunës atje, Naimi hyri në gjimnazin Zosimea të qytetit, ku mori një kulturë të gjerë për kohën. Përveç njohjes me kulturat klasike, përveç se përsosi njohuritë në persisht dhe mësoi edhe gjuhë të tjera, si greqishten, frëngjishten etj., Naimi atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng, që i hapi udhën Revolucionit të vitit 1789; lexoi Rusonë e Volterin, për të cilët ruajti një admirim të veçantë gjatë gjithë jetës, ashtu si e ruajti edhe për shkrimtarët e mëdhenj të shkollës së romantizmit francez, Hygonë, Lamartinin e të tjerë. Naimi u ndodh kështu në kryqëzimin e dy kulturave, të kulturës lindore e të kulturës perëndimore, të cilat lanë gjurmë në formimin dhe në veprën e tij, pa mundur të shtypin natyrën e saj vendase.
Pasi kreu më 1870 gjimnazin, Naimi shkoi në Stamboll për të gjetur punë, por klima nuk i shkoi shëndetit të tij të dobët dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi për dhjetë vjet si nëpunës dogane në Janinë, në Sarandë e në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll pranë vëllait, Samiut, ku edhe mbylli sytë më 20 tetor 1900. Atje ai u bë shpirti i Shoqërisë së Stambollit që e kryesonte Samiu.
Por në vitet e Lidhjes së Prizrenit Naimi u ndodh në Shqipëri dhe mori pjesë aktive në ngjarjet e saj, sidomos në organizimin e mbledhjeve që u bënë në Frashër e në Janinë për mbështetjen e përkrahjen e Lidhjes. Më 1880 shkroi të parën vepër shqip me përmbajtje atdhetare, poemthin “Shqipëria”, e cila u prit me entuziazëm në rrethet patriotike. Në këtë poemë ai shpalli poetikisht të gjitha idetë që do të formonin më tej trungun e veprës së tij atdhetare dhe të gjithë poezisë atdhetare të Rilindjes.
Naimi iu kushtua tërësisht veprimtarisë atdhetare; ai dha ndihmesë të shquar për botimin e revistës “Drita - Dituria”, dhe në një periudhë të shkurtër 13-vjeçare (1886-1899) botoi 15 libra. Vetëm në vitin 1886 botoi në shtypshkronjën e Bukureshtit 6 libra, “Bagëti e Bujqësija”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “E këndimit të çunave këndonjëtoreja” me dy vëllime, “Istori e përgjithshme” dhe “Dituritë”. Më pas do të botonte “Tehajylat” (“Ëndërrimet”, 1885), “Lulet’ e verës” (1890), “Mësime” (1894), “Parajsa dhe fjala fluturake” (1894), “Gjithësia” (1895), “Fletore e bektashinjve” (1896), “Istori e Skënderbeut” (1898), “Qerbelaja” (1898), “Istori e Shqipërisë” (1899) e të tjera.
Siç shihet, një vend të gjerë i dha ai botimit të librave për të cilat kishte nevojë shkolla shqipe. Si atdhetar iluminist ai i kushtoi vëmendje jo vetëm pajisjes së brezit të ri me dije shkencore. Naimi kishte koncepte të përparuara pedagogjike. Ai ishte për barazinë e djemve dhe të vajzave për të mësuar, për përfshirjen e lëndëve shkencore në programet shkollore, për një edukatë morale të përsosur dhe për njësimin e mësimit me edukatën.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti një rol të dorës së parë për zgjimin e vetëdijes atdhetare te bashkëkombësit. Ai u bë themeluesi i një letërsie të re me përmbajtje atdhetare e njerëzore, me forcë artistike dhe me vlera të shquara stili, duke zgjeruar jo vetëm tematikën dhe problematikën e saj, por duke i kthyer fjalës shqipe forcën e saj estetike, duke i dhënë shqipes fytyrën e një gjuhe të lëvruar të kulturës moderne të shqiptarëve. Me poemat e vjershat e tij lirike Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Por ai zbuloi edhe të fshehtat e shpirtit njerëzor duke medituar për jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, qenien dhe mosqenien, perëndinë dhe gjithësinë, në frymën e panteizmit poetik e filozofik që karakterizon mendimin e tij.
Një himn të pashoq i thur Naimi dashurisë për atdhe e mallit për të, bukurive të natyrës shqiptare e krenarisë kombëtare në poemën “Bagëti e Bujqësija”. Me këtë vepër Naimi krijoi poezinë e madhe të atdheut dhe me një gjuhë magjepse poetike shprehu ndjenja e emocione që s’kishte mundur t’i krijonte para tij poezia shqipe. Ai shpalli mbi të gjitha ndjenjën e krenarisë kombëtare, përmes vargjeve: “Ti Shqipëri më ep nderë, / Më ep emërin shqipëtar; / Zemërnë ti ma gatove / Plot me dëshirë dhe me zjarr”.
Poema është një shfrim lirik i ndjenjave të poetit të pushtuar nga malli i gjuhës dhe i bukurive të vendlindjes, nga kujtimet e rinisë së kaluar në gji të saj, të poetit të magjepsur nga kulti i tokës dhe i punës, të poetit që e përjeton dashurinë për Shqipërinë dhe krenarinë për të si një ndjenjë njerëzore që kërkon t’ua përcjellë gjithë bashkatdhetarëve të vet, me fjalën e vet poetike, me gjuhën e zemrës së zjarrtë, që zhuritet nga malli e dashuria për çdo gjë shqiptare.
Naimi pohoi me gjuhën e artit qenien e atdheut e të atdhetarizmit shqiptar, duke krijuar imazhin poetik të mëmëdheut që u mungonte shqiptarëve, që e kishin dhe nuk e shikonin ose nuk e ndienin se e kishin ashtu të bukur e madhështor, ashtu si e përshkruan poeti, të ringjallur së vdekuri me një dashuri të përgjëruar prej fjalës poetike. Ky imazh i ftonte shqiptarët të ktheheshin në atdhe. Metafora e madhe e kthimit, e pranishme jo vetëm në këtë poemë të Naimit, por në gjithë letërsinë romantike të Rilindjes, nuk është e njëjtë me ëndrrën romantike për t’u kthyer në viset ekzotike, ose në gjirin e jetës së lirë e të papërlyer nga sëmundjet e qytetërimit modern; nuk është thjesht një arratisje romantike larg rrëmujës e rrëmetit të jetës urbane, por një mall për atdheun e humbur dhe një thirrje qytetare për t’iu kthyer vlerave të vendlindjes, për t’i ringjallur ato e bashkë me to për të ringjallur kombin. Ky ishte misioni i poezisë së Naimit, i cili u njëjtësua në vetëdijen e kombit me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë.
Historia, sidomos epoka e Skënderbeut, përbënte për rilindësit një trashëgim të çmuar dhe një dëshmi të identitetit e të së drejtës së shqiptarëve për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Me vetëdijen e ndikimit të madh të së kaluarës për formimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për zgjimin e ndjenjave liridashëse, Naim Frashëri krijoi poemën epike “Istori e Skënderbeut”, e cila, pikërsht për këto arsye, u bë një nga veprat më të lexuara gjatë Rilindjes. Me këtë vepër ai realizoi një ëndërr të lashtë të shqiptarëve, për të pasur edhe ata si popujt e tjerë eposin e tyre historik. Poema evokoi me një patos të ngritur atdhetar e romantik qëndresën pesëshekullore të shqiptarëve kundër vërshimit osman dhe heroin e kësaj qëndrese, figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Naim Frashëri ishte njeri i Rilindjes dhe Rilindja Shqiptare bashkonte në vetvete idealet politike qytetare të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Rilindja e kombit dhe liria e kombit në mendimin e Naimit është e lidhur me rilindjen e njeriut e me lirinë e njeriut, me zgjimin e pasurimin e tij mendor e shpirtëror, me përsosjen e tij morale. Në këtë vështrim përjetimet lirike të Naimit të shprehura në vjershat e “Luleve të verës” synojnë të afirmojnë një botë të re ndjenjash njerëzore, aspiratën e poetit për emancipimin e njeriut dhe për pohimin e individualitetit e të personalitetit të tij.
Këto motive i sollën një risi e një pasuri artistike të panjohur më parë poezisë shqipe; me to Naim Frashëri themeloi stilin e mirëfilltë lirik në letrat shqipe dhe ngriti fjalën shqipe në rrafshin e poezisë e të artit të vërtetë.
Vepra e Naim Frashërit sintetizoi prirjet më të mbara të zhvillimit historik e kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe bëri epokë duke e nxjerrë në një udhë të re letërsinë e tyre.
Disa shekuj të shqipes së shkruar para Naimit kishin krijuar një traditë, në thellësi të së cilës gjëllinte dashuria për gjuhën shqipe dhe gjente shprehje prirja e një zhvillimi të mëvetësishëm kulturor të një kombi që e dallonte veten nga të tjerët edhe në këtë rrafsh, sado që trysnia e gjuhëve dhe e kulturave të huaja mbi të ishte e madhe. Por rëndësinë e kësaj tradite e kufizonte fakti që shpirti i shqipes ndrydhej në të brenda funksionit kryesisht didaktik, utilitar, të letërsisë së shekujve XVI-XVIII, si dhe fakti që ajo nuk kishte arritur të fitonte vazhdimësinë e njësinë e brendshme.
Vepra e Naimit kapërceu këto kufizime, prandaj ajo shënoi një ndryshim epokal në kulturën shqiptare duke krijuar një letërsi të një tipi të ri që shprehu shpirtin e kombit e të kohës me një gjuhë poetike, në të cilën fjala shqipe tingëlloi me të gjitha vlerat e saj të shprehjes plastike e vetërefleksive.
Duke vënë në bazë te gjuhës së poezisë gjuhën popullore, Naim Frashëri e emancipoi shprehjen poetike nga konvencionalizmi dhe i çliroi fjalët nga inercia e një tradite të ngurtësuar prej gjuhës së konsakruar të librave të dogmës, ose prej trysnisë së modeleve të huaja poetike. Me veprën e Naimit letërsia shqiptare mohoi në thelb traditën e zhvillimit të saj të varur nga ndikimi i letërsive dhe i kulturave të tjera; ajo nisi të zhvillohej në mënyrë të pavarur si letërsi e kombit shqiptar, me tiparet e veta. Naimi e afroi kështu letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bëri shprehëse të njëmendtë të ndërgjegjes së tyre morale e estetike.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX shfaqen dukuri të reja në zhvillimin e letërsisë shqipe, e cila ndonëse vijon të mbetet brenda kuadrit të Rilindjes, nis të njohë procesin e dizintegrimit të romantizmit si drejtim letrar. Një brez më i ri shkrimtarësh që erdhën pas Naimit, duke ndjekur traditën e Rilindjes në trajtimin e motivit patriotik, e pasuruan me një problematikë të re shoqërore përmbajtjen e letërsisë, me gjini e forma të reja të shprehjes artistike. Në krijimtarinë e disa syresh u përshenjën shfaqjet e para të realizmit. Në këtë grup shkrimtarësh bëjnë pjesë Andon Z. Çajupi, Asdreni, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Faik Konica e të tjerë. Ata e vazhduan krijimtarinë e tyre edhe pas vitit 1912, kur mbyllet epoka e Rilindjes si etapë historike. Krijimtaria e dy të fundit i përket më shumë fazës së re që nisi në zhvillimin e letërsisë shqipe pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.


Andon Z. Çajupi (1866-1930)

Andon Zakoja, i njohur me pseudonimin Çajupi, lindi në Sheper të Zagorisë, ku mori edhe mësimet e para. Më pas u shkollua në një lice francez në Aleksandri, kurse studimet e larta për drejtësi i kreu në Gjenevë. Prej andej u kthye në Egjipt ku e ushtroi fare pak profesionin për të cilin u diplomua dhe iu kushtua tërësisht lëvizjes patriotike, duke u bërë një nga figurat qendrore të kolonisë shqiptare të Misirit.
Shkrimi i parë që njihet prej Çajupit është artikulli “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në revistën “Shqipëria” të Bukureshtit. Në këtë artikull të shkruar në frëngjisht poeti i ardhshëm mbron idenë e përdorimit të alfabetit latin dhe parashtron pikëpamjet e tij të përparuara për zhvillimin e lëvizjes kombëtare.
Më 1902 Çajupi doli para lexuesit me përmbledhjen poetike “Baba Tomori”, që bëri jehonë dhe u prit mirë për frymën luftarake që mbartte poezia e tij dhe për risinë që ajo sillte në motivet, në frymën dhe në mjetet e shprehjes. Në vjershat atdhetare ndihet ndikimi i Naimit, veçse poezia e Çajupit me këtë temë përshkohet nga nota të forta luftarake dhe nga thirrje të hapura për të rrokur armët kundër pushtuesit. “Çvish rrobat e Robërisë, / Mëmëdhe, / Vish armët e trimërisë, / Se ke ne!” shkruan Çajupi në vjershën “Shqipëtar”.
Në poezinë e tij të zjarrtë Çajupi u bënte jehonë zhvillimeve të vrullshme në lëvizjen kombëtare me agimin e shekullit të ri, që çuan në formimin e çetave të lirisë dhe në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912.
Poezia e Çajupit vinte gishtin edhe në plagën e përçarjes e të vëllavrasjes dhe i ftonte shqiptarët të linin pas mëritë e të bashkonin armët kundër pushtuesit osman e kundër synimeve të shovinistëve fqinjë. Demokratizmi i përmbajtjes, notat luftarake dhe fryma satirike demaskuese ndaj armiqve të çështjes kombëtare e bënë poezinë e Çajupit të përhapet shpejt e të ketë një ndikim të madh te lexuesit.
Me një ndjenjë të hollë poetike ka trajtuar Çajupi edhe motivet dashurore e ato shoqërore në disa prej vjershave më të mira të “Baba Tomorit”. Në fund të kësaj përmbledhjeje ai ka përfshirë edhe komedinë “14 vjeç dhëndërr”, një komedi realiste që zuri vend të sigurt në repertorin e teatrit shqiptar. Më 1910 ai shkroi komedinë tjetër “Pas vdekjes”, e cila u botua më 1937, 7 vjet pas vdekjes së poetit. Komedia zhvilloi idenë e fejtonit “Klubi i Selanikut”, botuar prej tij më 1909, duke demaskuar ata që ishin bërë vegël e xhonturqve në Shqipëri dhe duke vënë në lojë naivët që binin në grackën e propagandës xhonturke.
E kësaj periudhe është edhe poema satirike në dorëshkrim “Baba Musa lakuriq”, një ritregim parodik i ngjarjeve të biblës. Me këtë vepër ai e zgjeron shumë rrethin e motiveve dhe problematikën e poezisë shqipe, përuron kritikën ndaj veseve e thelbit moral të njeriut, duke sjellë në letërsinë shqipe një përmasë të re, që do ta thellonte më tej satira e Gjergj Fishtës dhe e Faik Konicës.
Me Çajupin nis të shfaqet në jetën e re letrare shqiptare tipi i poetit civik, që ndjeu nga të parët krizën e idealeve të Rilindjes, edhe pse me ato e lidhnin mijëra fije. Ai pati kurajon ta shihte të vërtetën në sy, sepse i kishte dalë dehja nga romantizmi nacional i Rilindjes, i cili, i marrë integralisht, pa një qëndrim kritik dhe vetëkritik, nuk i përgjigjej më situatës së re historike. Përballë imazhit të një jete idilike, poetit i vrisnin sytë plagët shoqërore e morale në trupin e kombit, kur demaskoi pa mëshirë bejlerët e feudalët e degraduar. Përballë mitit të harmonisë shoqërore ai shihte kundërshti e kontraste të mprehta, të cilat i pikasi edhe në gjirin e lëvizjes kombëtare. Në ndeshjen midis vetëdijes romantike dhe vetëdijes realiste, kritike të Çajupit po fitonte kjo e fundit, duke i hapur rrugën realizmit në letërsinë shqiptare të fillimit të shek. XX.
Çajupi u bë një poet popullor edhe sepse e mbrujti poezinë e tij sipas modeleve të poezisë popullore. Ai mbeti një shembull klasik i poetit që shprehu shpirtin e popullit me një gjuhë poetike të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, por shprehëse dhe të freskët.


Asdreni (1872-1947)

Aleks Stavre Drenova - Asdreni lindi në Drenovë të Korçës më 1889 dhe mërgoi në moshë fare të re në Rumani. Atje kaloi një jetë me shtrëngesa ekonomike që s’iu ndanë deri ditët e fundit kur mbylli sytë në Bukuresht. Shpejt u aktivizua gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së Bukureshtit në luftën për çlirim kombëtar dhe u bë një nga veprimtarët dhe figurat qendrore të asaj kolonie. Nisi të shkruante poezi e artikuj publicistikë në fillim të shek. XX. Vjershat e para i botoi në faqet e shtypit shqiptar. Ato i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904). Poezia e Asdrenit ndiqte traditën e Naimit e të Çajupit, lartësonte traditat liridashëse të shqiptarëve dhe të kaluarën e tyre, himnizonte dashurinë për atdhe dhe i grishte bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim kombëtar. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit e botuar gjatë Rilindjes është “Ëndrra e lotë” (1912). Kjo përmbledhje poezish dallohet për pasurinë e motiveve, për frymën atdhetare e demokratike dhe për një nivel të ri artistik. Në disa poezi të këtij vëllimi poeti demaskon pushtuesit, i thur himn trimërisë që treguan kryengritësit e lirisë në ngjarjet e viteve 1911-1912 dhe fshikullon me nota ironike atë pjesë të parisë që iu shmang luftës çlirimtare. Në këto vjersha, si “Zëri i kryengritësve”, “Krerëve tradhtarë”, “Çpërblimi”, motivet e luftës për çlirim kombëtar u gërshetuan me motivet e pakënaqësisë ndaj padrejtësisë shoqërore. Vepra e Asdrenit shënonte kështu një hap për kalimin nga romantizmi në realizëm, nga paraqitja e idealizuar e jetës dhe e traditave në kritikën e realitetit historik e shoqëror të kohës.
Kjo kritikë dhe ndjenja e zhgënjimit të njerëzve të thjeshtë nga rezultatet e luftës që bënë për çlirim kombëtar e shoqëror, u thellua në krijimtarinë e Asdrenit pas viteve 20 dhe gjeti pasqyrim në vëllimin “Psallme murgu”, që u botua në vitin 1930. Me këtë vepër Asdreni bënte një hap të shënuar përpara edhe si artist. Poezia e Asdrenit dhe e disa krijuesve të tjerë të kësaj periudhe, tregonte se ideja kombëtare po i hapte udhë idesë njerëzore. Asdreni la shumë vjersha në dorëshkrim, midis tyre një përmbledhje poezish me titull “Kambana e Krujës” që u botua pas çlirimit.
Rëndësi në krijimtarinë e Asdrenit ka edhe publicistika e tij. Në artikullin “Dy-tri fjalë për oxhakësinë” botuar në revistën “Albania” të Faik Konicës më 1902, Asdreni demaskon atë pjesë të parisë feudale që merrte nëpër këmbë sakrificat e atyre që derdhnin gjak për lirinë e vendit.
Vend me rëndësi në publicistikën e Asdrenit zënë edhe shkrimet që denoncojnë synimet e shteteve shoviniste fqinje dhe pohojnë besimin e forcave të vërteta kombëtare për fitoren e lirisë.
Asdreni ka hyrë në historinë e letërsisë shqiptare si një poet atdhetar e demokrat, që me veprën e tij ndikoi për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e shoqërore dhe për pasurimin e poezisë shqipe me forma e mjete të reja shprehëse.


Ndre Mjeda (1866-1937)

Motivet atdhetare e demokratike formojnë përmbajtjen edhe të krijimtarisë poetike të Ndre Mjedës, një poet i lindur në Shkodër dhe i shkolluar për teologji në disa vende të Evropës kur u kthye në atdhe, punoi si famulltar. Iu kushtua që herët lëvizjes atdhetare. Më 1901 së bashku me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet të shqipes dhe botoi disa tekste me këtë alfabet. Për përgatitjen filologjike që kishte më 1902 mori pjesë në një kongres orientalistësh që u mbajt në Hamburg, kurse në Kongresin e Manastirit më 1908 u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare në Shkodër. Mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike të viteve 1920-1924 dhe u zgjodh edhe deputet. Pas rënies së kësaj lëvizjeje u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Vitet e fundit i mbylli si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër.
Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës nis herët, por pjesën më të madhe të poezisë së tij e botoi pas shpalljes së Pavarësisë. Përmbledhja e parë që botoi në ato vite ishte “Juvenilia” (1917), ku përfshihen vjersha të shkruara në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX.
Poema romantike “Vaji i bylbylit”, e shkruar më 1887 në frymën e Rilindjes, përshkohet nga ideja patriotike dhe nga malli i të mërguarit për vendlindjen. Por krahas vjershave me tone elegjiake Ndre Mjeda shkroi dhe poezi të mbrujtura me frymën luftarake të poezisë së fundit të Rilindjes. Në poemën “Liria” (1910-1911) gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Veriut më 1911, lufta e tyre dhe aspirata për drejtësi shoqërore. Motivet shoqërore dhe fryma demokratike erdhën duke u thelluar në krijimtarinë e Ndre Mjedës. Në poezinë “Mustafa Pasha në Babunë” poeti ka shpotitur qëndrimin e lëkundshëm të asaj pjese të parisë feudale që iu shmang luftës kundër pushtuesit osman. Ndre Mjeda është autor edhe i shumë krijimeve për fëmijë, të mbrujtura me idetë e moralit të Rilindjes, me frymën e dashurisë për njeriun, për lirinë dhe për natyrën.


Shtjefën Gjeçovi (1873-1929)

Shkrimtar, etnolog e arkeolog, që u dallua sidomos në lëmin e zbulimit dhe të afirmimit të traditave etnokulturore të shqiptarëve. Përgatiti veprën madhore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, pjesë të së cilës u botuan me gjallje të tij në revistën “Hylli i Dritës”; si libër më vete doli në vitin 1933 me një parathënie të Gjergj Fishtës. Kjo vepër është një monument i së drejtës zakonore të shqiptarëve dhe e bëri të njohur autorin në rrethet shkencore.
Shtjefën Gjeçovi lindi në Janievë (Kosovë) ku mori mësimet e para, kurse të mesmet i kreu në Kolegjin Françeskan të Troshanit, për të vijuar më pas studimet teologjike në Bosnjë. Shërbeu si famulltar në vise të ndryshme, si në Pejë, në Kurbin, në Gomsiqe etj. Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet kundërosmane të viteve 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920. Duke jetuar mes njerëzve mblodhi traditat gojore, etnografike, të drejtën zakonore dhe u interesua për gjuhësinë e arkeologjisë. Gjithë veprimtarinë e tij të shumanshme kulturore e përshkon atdhetarizmi. Kjo veprimtari u bë shkak të vihej në shenjë të rretheve shoviniste serbe, të cilat organizuan vrasjen e tij më 14 tetor 1929.
Gjeçovi është autor i Dramës “Dashtunia e Atdheut” (1901), i veprës morale-didaktike “Agimi i Gjytetnisë” (1910) dhe i shumë artikujve e studimeve etnologjike e arkeologjike botuar në organe të ndryshme të shtypit të kohës, sidomos në revistën “Albania” të F. Konicës, ku bashkëpunoi me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Gjeçovi la shumë vepra në dorëshkrim, si “Shqiptari ngadhnjyes” (1904), “Princi i Dibrave” apo “Mojs Golemi” (Dramë), “Mnera e Prezës” (1902), “Përkrenarja e Skënderbeut” etj. Shumica e këtyre dorëshkrimeve ruhen në Arkivin e Shtetit në Tiranë.
Puna e Gjeçovit është në vazhdën e veprimtarëve të Rilindjes për të mbledhur e për të dëshmuar traditat kombëtare dhe lashtësinë historike të shqiptarëve, kulturën e tyre materiale dhe shpirtërore, për të lëvruar fjalën shqipe dhe për të forcuar vetëdijen kombëtare të popullit të vet.
Vitet e fundit të Rilindjes u aktivizua edhe një brez poetësh të tjerë. Filip Shiroka (1859-1935), që pati botuar një vjershë luftarake me titull “Në armë Shqipëri” në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 1933 nxori vëllimin “Zani i zemrës”, ku përmblodhi vjersha atdhetare të shkruara në kohë të ndryshme, midis tyre poezinë e njohur “Shko dallëndyshe”, e cila është e mbushur me mall për vendlindjen. Ai mbeti në kujtesën e lexuesve si poet i mallit për atdhe.
Në fillim të shek. XX në faqet e shtypit botuan vjersha edhe Luigj Gurakuqi (1879-1925), Hilë Mosi (1885-1933), Risto Siliqi (1882-1936), Mihal Grameno (1872-1931) e të tjerë. Luigj Gurakuqi, përveç poezisë së tij atdhetare, shquhet edhe në fushë të mendimit estetik e kritik. Ai mori pjesë gjithashtu në Kongresin e Manastirit. Në vitet e Revolucionit të qershorit ai u bë një nga figurat qendrore të kohës, përkrah Fan Nolit. Risto Siliqi, veç të tjerave, u bë kronikan i kryengritjeve të malësisë për liri me veprën “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” (1912).
Në këtë periudhë hynë në lëvizjen kombëtare e letrare edhe Gjergj Fishta (1871-1940) e Faik Konica (1876-1942), të cilët do ta zhvillonin veprimtarinë e tyre krijuese kryesisht në vitet e Pavarësisë, duke u bërë dy nga figurat qendrore të kulturës shqiptare të kohës.


Folklori dhe folkloristika

Epoka e Rilindjes shënoi një pasurim të mëtejshëm të folklorit, një rritje cilësore si në përmbajtje, ashtu edhe në konceptimin e dukurive shoqërore-politike, në raport me folklorin e periudhave të mëparshme historike.
Ndonëse fillimet e folkloristikës shqiptare shënohen me botimin e një numri fjalësh të urta nga Frang Bardhi më 1635, është kryesisht gjysma e dytë e shek. XIX periudha, gjatë së cilës u bë i mundur publikimi i shumë përmbledhjeve me krijime folklorike, të mbledhësve të ndryshëm shqiptarë e të huaj.
Shqiptarët që u morën me mbledhjen dhe me botimin e folklorit u nisën për vepra të tilla të nxitur kryesisht nga motive atdhetare. Thimi Mitkoja në parathënien e botuar te përmbledhja e tij folklorike “Bëleta shqiptare” shpreh qartë qëllimin e ndërmarrjes së tij: “shpëtimi dhe dhënia brezave që vinë, i fjalëvet dhe i tekstevet shqipe, të cilat, para disa vjetësh i mblodha me shumë mundim e shpenzime, dhe besoj se do të kenë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare...”.
Spiro Dineja, duke shkruar për vlerat e krijimtarisë folklorike në përgjithësi dhe të këngëve në veçanti, në parathënien e përmbledhjes “Valët e detit” (1908) pohon se “këto janë shumë të nevojshme e të vjëjtura për kombin tonë, se ndër këto shikonjëm të ngjarat e çdo kohe, që kanë shkuar si valët e detit dhe prej këtyreve munt të dalë një istori e plotë”.
Në parathënien e përmbledhjes së Vinçenc Prenushit “Kangë popullore gegënishte” (1911) thuhet se qëllimi i botimit “asht përparimi dhe qytetërimi i kombit... Kanga popullore asht e madhnueshme për kah t’benët e vet t’përmrenshëm, asht e hijshme edhe kah trajta e vet... ajo do ruajtë si një visar i çmueshëm, si një flakë, prej t’cillës do t’marrë dritë e ner komi”.
Rilindësit që u morën me folklorin përgjithësisht e çmonin atë si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë e të vazhdimësisë kulturore të kombit shqiptar, një nga dëshmitë e vetëqenies kombëtare, tregues të aftësive e të mundësive që kishte pasur dhe vijonte të kishte populli ynë për krijimin e vlerave artistike shpirtërore.
Ndonjë prej këtyre atdhetarëve të përkushtuar, siç ishte Thimi Mitkoja, e shihte folklorin edhe si një potencial me vlera të spikatura dhe me funksione të qarta për krijimin e një hapësire të njësuar shqiptare, duke iu kundërvënë përpjekjeve asimiluese, por edhe proceseve vetëmënjanuese kombëtare, kudo që jetonin shqiptarët. Sipas tyre, edhe folklori jepte ndihmesën e vet për të ruajtur të gjallë dhe për të përforcuar ndërgjegjen kombëtare, si dhe për të dëshmuar identitetin kombëtar shqiptar. “Shqiptari, duke dashur pa fund atdheun e tij, do dhe bashkatdhetarin e tij, edhe kur ay është në tjetër fe, sepse fenë e ka në vend të dytë, kur puna është për atdheun e përgjithshëm. Në këngët heroike të popullit gjenden shumë shembëlla të tilla, që s’e kanë shoqen, patriotizmi dhe lirije të fesë”.
Këto mendime të shprehura nga Thimi Mitkoja hasen edhe te rilindës të tjerë që u morën me folklorin. Këta e shihnin folklorin si përcjellës të vlerave shpirtërore, të tipareve e të virtyteve më të qenësishme të shqiptarëve, të ndjenjave e të shijeve të tyre.
Gjatë periudhës së Rilindjes u shtrua edhe nevoja e njohjes dhe e botimit të kulturës popullore në përgjithësi e të folklorit në veçanti, si lëndë e parë për ndriçimin e shumë problemeve nga e shkuara dhe nga bashkëkohësia, por edhe si nxitje për të ardhmen. Mbledhja e botimi i folklorit, sipas tyre, do t’i shërbente për të pohuar gjenezën e lashtë e të përbashkët të shqiptarëve (krijimtaria folklorike e kohës në një masë të madhe ishte përcjellë nga rrjedhat shekullore), si edhe për ruajtjen e vlerave më të qenësishme brenda njësisë etnike.
Nga ana tjetër, sipas rilindësve, folklori ndihmonte bashkimin kombëtar, zgjonte ndërgjegjen disi të topitur, e hidhte popullin në veprime konkrete për çlirim nga pushtuesit. Po kështu, folklori shërbente edhe për krijimin e kulturës së re që i duhej mëmëdheut si për të arritur çlirimin kombëtar, ashtu edhe për të formuar një shtet të pavarur.
Duke u nisur nga konceptime të tilla, një varg rilindësish si De Rada, Zef Jubani, Spiro Dineja, Shtjefën Gjeçovi, Vinçenc Prenushi etj. dhe mbi të gjithë Thimi Mitkoja, jo vetëm që mblodhën nga mjedise të ndryshme, por edhe botuan krijime e vëllime të veçanta folklorike. Ndonjë prej tyre, si Elena Gjika, De Rada etj., hartuan edhe trajtesa shkencore me nivel të lartë për kohën. Për herë të parë në historinë e folkloristikës shqiptare u bënë botime të veçanta folklorike. Dolën përmbledhjet e para të folklorit shqiptar, të cilat iluministët e Rilindjes i çmonin jo vetëm për vlerat artistike letrare, por edhe si mjete për mësimin e lëvrimin e gjuhës amtare, për afirmimin e kulturës kombëtare shqiptare dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Ngjarje e shënuar është veçanërisht botimi më 1878 i vëllimit të Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare” (Egjipt), që përbën hapin më të rëndësishëm në pasqyrimin ndërkrahinor të krijimtarisë gojore, për gjerësinë e llojeve e të zhanreve folklorike, për njohjen e për respektimin e kritereve të regjistrimit e të botimit folklorik. Me këtë përmbledhje folklorike Thimi Mitkoja u bë i njohur si themelues i folkloristikës shqiptare. Sikurse vë në dukje në parathënie, qëllimi i tij ishte t’u jepte nxitje bashkatdhetarëve shqiptarë që të kulturoheshin dhe të studionin gjuhën amtare, e cila “është ushqimi i parë i përbashkët që i jep gjallëri popullit”.
Nëse atdhetarët rilindës u morën me folklorin të nisur kryesisht nga shërbimi që i bënin kombit të tyre, pati edhe një numër të huajsh, që përgjithësisht për interesa studimore të natyrës gjuhësore, regjistruan e botuan edhe krijime të ndryshme folklorike. Midis tyre radhiten G. Hahni, A. Dozoni, G. Majeri, H. Pederseni, N. Jokli etj. Ndihmesa e tyre ishte shumë e çmuar, pasi dokumentohej jeta e folklorit shqiptar, shprehej e pasqyrohej shumëllojshmëria folklorike. Të huajt që mblodhën folklor shqiptar, duke e përkthyer lëndën e mbledhur në gjuhët e tyre për ta botuar, mundësonin gjithashtu njohjen e vlerësimin e folklorit shqiptar, por edhe të kombit shqiptar, nga opinioni shkencor i huaj.
Krijimtaria folklorike gjatë Rilindjes qarkulloi dhe u pasurua në lloje e në zhanre të ndryshme, duke shprehur në mënyrat e veta specifike periudhën kohore dhe problematikën që ajo ngërthente. Por në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të hapur periudhën historike të Rilindjes Kombëtare e pasqyrojnë këngët e epikës historike dhe të mërgimit, duke qenë, së pari, krijimtari e komunikimit artistik, dhe, së dyti, edhe plotësim i dëshmive historike.
Krijimet poetike në përbërje të këngëve përkatëse, siç janë shprehur folkloristët shqiptarë, gjatë Rilindjes “marrin një zhvillim të brendshëm më demokratik, më masiv, veçori këto që harmonizohen me gjerësinë dhe karakterin popullor të lëvizjeve”. Duke qenë bashkatdhetare e historisë, kënga historike u bën jehonë artistikisht kundërshtive, qëndresave, revoltave, kryengritjeve kundër pushtuesve që nga ato të karakterit më të kufizuar lokal, krahinor, deri në ato të një plani më gjithëpërfshirës ndërkrahinor e kombëtar.
Kundërvënia vendas - të huaj, e kthyer në shprehjen shqiptarë - osmanllinj, që shprehte dallimin kombëtar, sipas këngëve historike shqiptare të periudhave të mëparshme, gjatë Rilindjes bëhet një dukuri mjaft e kristalizuar. Ideja e bashkimit kombëtar, pa dallim feje e krahine, shihet në mjaft tekste këngësh historike, si një kërkesë e domosdoshme, si e vetmja rrugë për të arritur lirinë e pavarësinë, qëndresën dhe përballimin e qarqeve shoviniste fqinje e të Fuqive të Mëdha që i përkrahnin. Vetëm te botimi i përmendur i Thimi Mitkos ndër të tjera gjejmë edhe vargje të tilla: “Shqipëria anë mb’anë / U ngren’ e një fjalë thanë: / - Mbretit s’i apëm nizamë!”; “O shokë, ndë kini besë, / Kush ka lindur do të vdesë. / Shqypëtarë ne na thonë, / Bëjmë si ç’kemi zakonë”; “Ziafeti i osmanllisë / Eshtë helm i Shqipërisë”; “Sulltan, mos dëgjo Frëngjinë, / Na s’lëshojmë Shqipërinë”; “Frënk, e gjeç nga Perëndia, / S’ë se humbi Shqipëria. / Na madhuat Malëzinë, / Sërbin’ edhe Grekërinë, / Harruatë Shqipërinë, / Q’ i ka trimat si shahinë”.
Një ndërgjegjësim i tillë popullor kalon përmes momentesh të ndryshme kulmore, të përcjella nga këngët popullore. Krijohen e qarkullojnë cikle këngësh për ngjarje shumë të rëndësishme, për situata nxitëse, shpresëdhënëse e tronditëse dhe këngë të veçanta për ngjarje më të kufizuara. Në tërësinë e tyre këto këngë janë me interes edhe për të pasqyruar dhe për të pasuruar kronikën historike të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Nuk ka ngjarje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare të kësaj epoke që të mos ketë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e popullit, i cili i ka përjetësuar ato në këngët e tij historike.
Epika historike shqiptare, e krijuar gjatë Rilindjes Kombëtare, në rend kronologjik grupohet në tri etapa: a) Këngët e viteve 1831-1847; b) ato të gjysmës së dytë të shek. XIX, me pikë kulmore ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; c) këngët për ngjarjet që vijojnë deri në shpalljen e Pavarësisë.
Grupi i parë zë fill me pasqyrimin e njërës prej kryengritjeve të fshatarësisë të trevave të Jugut më 1831 (Leskovik, Kolonjë, Përmet, Tepelenë), vijon me veprimet sulmuese kundër administratës së pushtuesit më 1833-1834 (Delvinë, Tepelenë e Berat), me kryengritjen e armatosur të Kosovës (1833), me luftimet për të mos lejuar zbatimin e ligjeve centralizuese më 1844-1845 (Shkodër, Dibër, Çermenikë, Malësi e Gjakovës, Prishtinë etj.), deri te momenti i rëndësishëm i vitit 1847, kur në jug të vendit pati kryengritje popullore të përgjithshme me shumë jehonë kundër administratës osmane.
Nëpërmjet këngëve popullore përcillen skena të tëra, ku pasqyrohet tabloja e gjendjes politike e shoqërore e kohës. Shohim në to kushtrimet popullore, dhënien e besës, ngritjen e gatishmërinë e shtresave të gjera popullore për t’u hedhur në sulme dhe për të sakrifikuar në luftë kundër pushtuesit: “Melesini maja-maja, / E rreh topi e kumbaraja... / Kjo kisha me një kamare, / Nizamët i shojti fare”; “Shkodra të vetën e bani, / I erdh hakut Osmanllisë”; “Kurvelesh, krie të ngrini, / Gra e burra armë vini, / Anën e detit të zini, / Se na pllakosi qafiri”; “Kur të çahen kullat tona, / Plot me gjak dirgjet Valbona”; “Shqipëria anembanë / U ngren’ e një fjalë thanë: / - Mbretit s’i apëm nizamë”.
Në këto këngë, krahas figurave shumë të njohura, si Zylyftar Poda, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Çelo Picari etj., dalin edhe një varg personazhesh të tjera, të spikatura në luftime të ndryshme, si Zenel Xhafoja, Balili i Xhixhisë, Sinan Maloja, Labë Duka etj.
Këngët e etapës së dytë gjatë Rilindjes Kombëtare pasqyrojnë jehonën e lëvizjeve të mëtejshme kundër pushtuesve osmanë, por edhe një temë të re, siç ishte ajo e mbrojtjes së tërësisë tokësore të atdheut nga synimet dhe përpjekjet e qarqeve shoviniste fqinje, me nxitjen e Fuqive të Mëdha të kohës. Kalojnë nëpërmjet këngëve historike pamje tragjike, si shpërnguljet e shqiptarëve nga Leskovci, Prekupla, Vranja (1877-1878) etj.: “Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e, / Dru e gur, bre, ç’po vajtojn-e”.
Gjendja e vështirë për popullin tonë gjatë viteve 1875-1878, e krijuar nga Kriza Lindore, me pikë kulmore Kongresin e Berlinit, përshkallëzoi qëndresën dhe i nxiti shqiptarët të organizojnë luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Idetë e mëdha të Rilindjes tingëlluan me forcë të veçantë në këngët epike kushtuar Lidhjes së Prizrenit (1878-1881), në të cilat përjetësohet njëkohësisht qëndresa e pashembullt e popullit shqiptar kundër shteteve shoviniste fqinje për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, si edhe lufta e tij për autonominë e vendit kundër ushtrisë osmane të Dervish Pashës.
Këngët për Lidhjen Shqiptare shprehin veçoritë dhe idetë e reja të kësaj epoke: formimin e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar, karakterin e përgjithshëm mbarëshqiptar të luftës së Lidhjes, idenë e saj të madhe të bashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje e krahine. U krijuan atëherë shumë këngë për ngjarjet dhe për personazhet aktive të tyre, të pasuruara me një numër risish ideo-estetike. Mund të përmendet, ndër të tjera, përfshirja në kryengritje e pothuajse të gjitha mjediseve shqiptare, me vetëdijen e plotë se luftohej për të mbrojtur interesat e lartë të popullit e të atdheut. Në këngët popullore theksohet se në këtë luftë “ngrihet në këmbë e tanë shqiptaria”, “se jena nis m’u ba milet (komb)” etj. Gjerësinë e luftës së Lidhjes dhe veçanërisht pjesëmarrjen në Kuvendin e Gjirokastrës (1880) të përfaqësuesve të të gjitha viseve shqiptare të Veriut e të Jugut, poeti popullor e jep në këto vargje: “Kurvelesh e Gegëri, / ç’u mblodhën në Egjëri”.
U krijuan cikle këngësh për ngjarjet sa historike, aq edhe dramatike, që ndodhën në vitet 1878 deri më 1881. Të tilla ishin, midis të tjerash, këngët për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, të Hotit, të Grudës e të Ulqinit. Në të gjitha këto beteja shpërtheu bindshëm forca e qëndresës së vendosur shqiptare, një solidaritet i paparë, që shprehte unitetin kombëtar. Kudo shfaqet heroizmi masiv, por veçohen nga këngët edhe trimat e paepur, si Zhuj Selmani e Jakup Feri, Sadik Hamza e Çel Shabani etj.: “Te bjen dielli e praron hana, / Zhuj Selman nuk ban ma nana”; “Jakup Feri, zok sokolit, / Met shehit në ball’ t’llogorit”.
Në të njëjtën kohë, edhe ndaj pushtuesve osmanë u mbajt i njëjti qëndrim sfidues me armë në dorë. Nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shpërthyen kudo kryengritje të armatosura, qëndresa u bë masive. Vrasja e mareshalit turk, Mehmet Ali pashë Maxharit në Gjakovë në shtator të vitit 1878, paralajmëroi që populli shqiptar ishte i vendosur për të ecur në rrugën drejt lirisë.
Në këngët kushtuar betejave historike të shqiptarëve në Kosovë kundër ushtrive të Dervish Pashës, pasqyrohet heroizmi dhe guximi i luftëtarëve popullorë kosovarë që u mbërthyen “fyt më fyt me armikun”, që nuk u prapsën para ushtrive osmane edhe pse merrnin nga “shtatë plumba për shtat”, që qëndronin krenarë edhe kur e kishin litarin në grykë si Sef Kosharja: “Sef Kosharja, trim i fisit, / Hije t’paska maja e lisit. / Hije m’ka, o djemt e mi, / Kam dhanë jetën për Shqipni”.
Spikasin në këngët historike për këtë periudhë personazhe me karakteristika vetjake, por me rrezatim të gjerë kombëtar, si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Mic Sokoli, Sef Kosharja, Ali Ibra, Çun Delia etj.: “Mic Sokoli ban me dorë: / -Besa, shok’, nuk muj me folë, / Se m’ka ra do gjak në gojë, / Se m’ka ra do gjak në bark, / Shtat’ martina i kam në shtat”.
Ndonëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit u thye ushtarakisht, veprimtaritë dhe idetë e saj ngjallën e ruajtën dëshirën dhe shpresën e popullit shqiptar për autonomi e për pavarësi. Ato u bënë shtysë e fuqishme për vazhdimësinë e përpjekjeve të pareshtura, deri në arritjen e shpalljes së Pavarësisë.
Në këngë të ndryshme pasqyrohen njëra pas tjetrës ngjarjet e zhvilluara në Dibër (1881) kundër qeveritarëve turq, kryengritja e malësorëve të Shkodrës (1883), ajo e Kosovës me Sulejman Vokshin e Ali Ibrën në krye kundër Vesel Pashës (1885), luftimet e Dibrës kundër Menduh Pashës (1884), Lidhja e Pejës, luftimet e kosovarëve kundër Çekrez Pashës, përleshjet e shpatarakëve me forcat turke, luftimet e zhvilluara kundër trupave të Shemsi Pashës në Kosovë (1903-1904), kryengritja e Kurbinit dhe e Krujës (1906-1907) etj.
Këngët historike pas Lidhjes së Prizrenit deri në shpalljen e Pavarësisë përcjellin frymën liridashëse të popullit shqiptar, që gjithmonë u gjend në luftëra me karakter mbrojtës e çlirimtar. Një gjë e tillë shihet në rend kronologjik te këngët që pasqyrojnë ngritjen e çetave të para kombëtare dhe veprimet e tyre të armatosura (1906-1908). Aksionet e tyre konceptohen nga këngëtarë popullorë si pjesë e luftës së përgjithshme për çlirim kombëtar: “Lule Çerçiz Topulli, / Vulose për Shqipëri”.
Kënga historike pasqyron gjithashtu artistikisht kryengritjet e gjera kundërosmane në vitet 1910-1912. Janë kënduar kryengritjet dhe luftërat e popullit shqiptar kundër ekspeditave famëkeqe turke të kryesuara nga Shemsi Pasha e veçanërisht nga Shefqet Turgut pasha. Krahas mizorisë së pushtuesit, në këngët e ndryshme spikat heroizmi i luftëtarëve në Kaçanik, Carralevë, Boletin, ngado në Kosovë, në Malësi të Madhe, në Zadrimë, në Mirditë, në Himarë etj. Dalin me madhështinë e tyre figurat e udhëheqësve popullorë, si Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., por edhe dhjetëra e qindra luftëtarë të tjerë në shërbim të lirisë.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912, si një kurorëzim i gjithë epokës së Rilindjes, gjeti gjithashtu pasqyrim në këngët popullore. Cikli i këngëve për Shpalljen e Pavarësisë shpreh fuqishëm vendosmërinë e përfaqësuesve të popullit shqiptar të mbledhur në Kuvendin e Vlorës për të hedhur poshtë zgjedhën osmane, për të përmbushur aspiratën shekullore të popullit, për ta bërë Shqipërinë të lirë e të pavarur. Përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare, me Ismail Qemalin në krye, shpallin hapur dëshirën dhe vullnetin e kombit shqiptar për të qenë i pavarur: “Nuk ka vent këtu Turqia, / Ja të vdesim, ja të rrojmë, / Ësht’ e jona Shqipëria!”
Krahas këngëve të epikës historike, periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare e pasqyrojnë edhe këngët e quajtura të nizamit. Këto këngë përbëjnë një lloj të veçantë folklorik, të krijuar pikërisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ato janë shprehje e përjetimit, e qëndresës dhe e reagimit popullor ndaj zbatimit të njërit prej ligjeve të Tanzimatit, siç ishte organizimi i ushtrisë osmane nëpërmjet rekrutimit të detyrueshëm e të përgjithshëm. Me zbatimin e dhunshëm të këtij ligji nga viset shqiptare largohej ajka e popullsisë, brezi i ri. Një gjë e tillë krijonte shqetësime, vuajtje në planin individual e familjar, por njëkohësisht kjo përbënte dhe një plagë kombëtare.
Këngët e nizamëve, me vlera të spikatura artistike, shprehin me nota elegjiake vuajtjet e rekrutëve, mallin e tyre për të afërmit dhe për atdheun. Në mënyrë të veçantë këto këngë shprehin edhe qëndresën popullore kundër Turqisë në rrafsh kombëtar. Duke iu kundërvënë nizamisë, duke mos e pranuar dhe duke e kundërshtuar atë, populli në krijimet e veta shprehte besimin se do të shmangej largimi nga vendi i forcave të vërteta që mund të sillnin çlirimin e Shqipërisë. Prandaj, nuk është e rastit që në shumicën e këtyre këngëve kemi fillesën me vargje të tilla: “Ju nizamt e shqiptarisë”.
Ajo pjesë e folklorit shqiptar, e cila më drejtpërdrejt shpreh e pasqyron periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jo vetëm përbën një thesar të vërtetë të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar, por sjell edhe ndihmesën e vet në ndriçimin e historisë shqiptare të asaj periudhe.


Artet figurative

Në gjysmën e dytë të shek. XIX doli një plejadë e tërë piktorësh, shumica e të cilëve, të përfshirë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, filloi të trajtonte temat e reja që i diktonte koha. Edhe kur u rikthyen ndonjëherë, për arsye ekonomike, në tematikën kishtare, krijimet e tyre ishin larg misticizmit kristian tashmë të kapërcyer. Zhvillimi më i plotë i parimit të realizmit përbrenda pikturës kishtare haset në krijimtarinë e Kolë Idromenos (1860-1939), njërit prej themeluesve kryesorë të shkollës realiste të arteve figurative shqiptare. Piktorin nuk e tërhiqte aq shumë trajtimi tradicional i shenjtorëve, por jeta e gjallë, figurat e bashkëkohësve të tij, të fshatarëve e të zejtarëve. Midis këtyre njerëzve realë, me tipat e kostumet shqiptare të kohës dhe në peisazhet konkrete të vendit, ndodhet edhe figura e Krishtit dhe ajo e Shën Mërisë. Në trajtimin e figurave të fundit ndihet ndikimi i fuqishëm i artit të Rilindjes Italiane, ndikim që u shtri edhe në mënyrën e të kompozuarit të disa skenave.
Piktura laike e mirëfilltë e Rilindjes nisi atëherë kur artistët rrokën temat e reja që u jepte realiteti e Lëvizja Kombëtare Shqiptare dhe u mënjanua kufizimi mesjetar. Veçanti e pikturës rilindëse është zhvillimi pothuajse paralel i dy linjave: i linjës atdhetare-historike dhe i asaj me temë nga aktualiteti. Për të parën, që karakterizohej nga nota të theksuara romantike, burim frymëzimi u bë figura e Skënderbeut, figurë që evokohej si kushtrim i luftës për liri e pavarësi. E dyta e ktheu vëmendjen ndaj njeriut të thjeshtë, ndaj hidhërimeve të shumta e gëzimeve të rralla të tij përmes skenave etnografike-folkloristike dhe trajtimit individual psikologjik e shoqëror të portreteve. Objekt i pasqyrimit u bënë fshatarët, zanatçinjtë e në disa raste figura e gruas dhe e intelektualit.
Piktorët e parë të Rilindjes që trajtuan temën historike, thuajse të gjithë kanë qenë autodidaktë e ikonografë. Duke qenë përballë një subjekti e figure reale, siç ishte ajo e heroit kombëtar, Skënderbeut, ata u larguan gjithnjë e më shumë nga ngurtësia e ftohtësia ikonografike. Por të mësuar që më parë të punonin sipas modelesh, ata nuk arritën të krijonin vepra tërësisht të pavarura dhe u drejtuan te veprat me të njëjtën temë të artit evropian, sidomos te gravurat. Ky ndikim vërehet si në portretin më të hershëm që njihet për Skënderbeun, të Gjergj Panaritit (1883), ashtu edhe në punimet e bashkëkohësve të tij, Anastas Nikollë Ballamaçi dhe Theohar Gjini. Anastas Ballamaçi e ka paraqitur heroin në figurë të plotë mbi kalë, në sfond beteje, edhe sepse i tillë ruhej ai në imagjinatën e popullit, duke u përpjekur të rikrijojë përmes koloritit vetjak e frymës epike një atmosferë plot patos romantik.
Nga plejada e piktorëve që punuan sipas modelesh, më tej shkoi Spiro Xega (1863-1953), autori i një cikli romantik heroik prej më se tetë veprash mbi heroin. Duke filluar me tablonë “Skënderbeu”, pikturuar më 1913 (punimet e mëparshme për Skënderbeun nuk janë ruajtur), vihet re këmbëngulja e artistit për t’u lidhur më mirë me objektin, për të qenë më i lirë dhe më i qartë. Skënderbeu jepet jo vetëm me tiparet e luftëtarit, por edhe të një udhëheqësi ushtarak të shquar, pa arritur të shkëputet plotësisht nga trajtimi pompoz, me karakter parade e nga ajo frymë e theksuar kalorsiake që vihej re edhe në veprat e mëparshme me këtë temë.
Interesi për jetën e përditshme të njeriut, për botën e brendshme dhe tiparet shoqërore të tij, janë prirjet gjithnjë në rritje që karakterizojnë linjën tjetër të arteve figurative, që u zhvillua përkrah temës historiko-atdhetare. Në fillim u tregua një interes i veçantë për krijimtarinë e pasur dhe origjinale të popullit shqiptar përmes trajtimit të temave etnografiko-folkloristike. Ky ishte interesi i natyrshëm i një arti, të cilit ndër shekuj i ishte mohuar e drejta e pasqyrimit të lirë e të drejtpërdrejtë të bukurive dhe të zakoneve origjinale të popullit të tij. Një nga veprat më të hershme të këtij lloji është “Dasma shkodrane” e Kolë Idromenos. Ajo është trajtuar si një skenë e gëzuar e përcjelljes së nuses nga shtëpia atërore. Vepra ka vlera etnografiko-folklorike, sepse na jep larminë dhe bukurinë e kostumeve popullore, nëpërmjet trajtimit të hollësishëm të detajeve dhe të veçorive të veshjes. Por ajo ka edhe vlera të theksuara piktoreske me gamën e buzëqeshur të ngjyrave, që krijon atmosferën e ngrohtë gazmore.
Lidhja e ngushtë me krijimtarinë popullore i ndihmuan piktorët e Rilindjes të kuptonin më thellë tipin dhe njeriun shqiptar. Nga paraqitja e jashtme e tipareve konkrete kalohet shpejt në zbërthimin psikologjik e shoqëror të portretit. Ky kapërcim u ndje te “Motra Tone” (1883) e Kolë Idromenos, një nga pikturat më të bukura për vizatimin dhe për koloritin e begatë, të cilët piktori i ka përçuar me kujdesin e një artizani mesjetar, pa mbuluar pas detajeve natyrën e ndrojtur të vajzës së re shkodrane.
Herët u shfaq edhe te Spiro Xega interesi për të fiksuar bashkëkohësit e tij, duke u përpjekur jo vetëm të hyjë në botën psikologjike, por t’i karakterizojë portretuarët e tij edhe nga ana shoqërore. “Teto Qyrana” dhe portreti i Parashqevisë, të punuara në vitin 1901, janë nga punimet e tij më të mira të kësaj periudhe. “Teto Qyrana” është një grua tipike korçare. Nga shprehja e fytyrës dhe nga veshja e thjeshtë duket se ajo e kalon pjesën më të madhe të kohës në punën e lodhshme pranë tezgjahut si endëse qilimash. Një pamje dhe një botë tjetër na hap Parashqevia. Portreti zbërthen botën e brendshme të saj, ndjenjën e epërsisë që ka si grua e re e bukur dhe si përfaqësuese e një shtrese të kamur.
Por modelin e atij realizimi, që më vonë përcaktoi stilin e tërë pikturës sonë, e gjejmë te “Portreti i fshatarit” nga Zadrima të Kolë Idromenos dhe te “Dr. Prel”, vepër e Ndoc Martinit (1880-1917). Fshatari është njeri i punës, i munduar, që vështron përpara disi i lodhur e i mallëngjyer, pa i munguar edhe shprehja prej guximtari, ndërsa te “Dr. Prel” ndihet qartë pakënaqësia e intelektualit ndaj asaj shoqërie që ndrydh energjitë e talentin.
Në portret, si gjini e rëndësishme që drejton vëmendjen ndaj njeriut të gjallë, mbizotëron koloriti i ngrysur në kontrast me ngjyrat e ndezura e të gëzuara të qëndisjeve, të qilimave e të veshjeve ku populli derdhte tërë talentin dhe ëndrrat e tij të bukura. Qëndrimi kritik ndaj realitetit ishte shprehje e njohjes dhe e pasqyrimit më të thelluar të jetës, shenjë e rritjes së nivelit artistik dhe e frymës realiste në pikturë.
Pavarësisht nga kushtet e rrethanat e vështira që i frenonin, piktorët e periudhës së Rilindjes janë ballafaquar me guxim me realitetin, me jetën, duke nxjerrë së andejmi temat e subjektet e tyre. Sado të ndryshëm të jenë si individualitete krijuese, tek ata gjendet kurdoherë diçka e përbashkët në plan të interesave tematike, pasi i njëjtë ka qenë edhe ideali që i frymëzonte, dashuria për atdheun, për popullin, për historinë dhe për jetën e tij. Që këtej rrjedh edhe karakteristika e përgjithshme e piktorëve të asaj kohe, gërshetimi tematik i aktuales me historiken. Pjesa më e madhe e piktorëve të Rilindjes e vazhdoi veprimtarinë krijuese edhe në periudhat e mëvonshme. Krijimtaria e tyre la gjurmë në historinë e kulturës sonë dhe ndikoi në zhvillimin e arteve figurative në periudhat pasuese.
Teatri dhe muzika
Ndonëse shfaqjet dhe grupet e para teatrore duken pikërisht në fundin e shek. XIX, që i takon periudhës së Rilindjes Kombëtare, gjithsesi është trashëguar një pasuri e vyer më e hershme e kulturës popullore që i përgjigjet korpusit të njohur me emrin “Teatri folklorik”, ku përfshihen shumë lodra, ceremoniale, rituale dasme, morti e mikpritjeje, veprime mimike dhe pantomima gazmore, karnavalet, teatri i hijeve, ai i kukullave, veprimet dhe maskat etj.
Rilindja Kombëtare Shqiptare është periudha kur teatri shfaqet tashmë si një dukuri e mirënjohur, e dokumentuar dhe e shtrirë në gjithë trojet shqiptare. Është koha kur dramaturgjia, si ushqimi kryesor i teatrit, nis të shënojë, tok me gjedhet letrare, titujt e emrat e parë të veprave dhe të autorëve të tyre. E para shfaqje teatrore e dokumentuar nga burimet arkivore është “Dasma e Lunxhërisë” e vitit 1874 e Koto Hoxhit, me nxënësit e shkollës normale “Ta zografia” të Qestoratit Gjirokastër. Ajo u prit me entuziazëm nga fshatarët e Qestoratit e fshatrat përreth dhe u çmua si një përpjekje për të ruajtur gjuhën e zakonet shqiptare. Më 1875 Sami Frashëri (1850-1904) botoi në gjuhën turke dramën “Besa”, lënda e së cilës ishte marrë nga jeta, nga morali dhe nga zakonet shqiptare. Ajo u shfaq po atë vit në Stamboll dhe më 1901 e më pas, tashmë e përkthyer në shqip, u vu në skenë në disa qytete të Shqipërisë. Më 1879 në Shkodër u shfaq farsa “Makko” e përkthyer nga italishtja, e luajtur nga nxënësit e “Kolegjës Saveriane”. Në vitin 1880 arbëreshi Leonardo de Martino (1830-1923) shkroi shqip dramën me karakter liturgjik “Nata e këshndellave”, e cila u shfaq po atë vit në Shkodër nga nxënësit e po këtij kolegji, kurse në vitin 1882 u dha komedia “I biri i çifutit”, e përshtatur në shqip nga Pashk Babi. E para dramë me strukturë të mirëfilltë është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885 dhe e botuar nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit” në vitet 1886-1887; më pas vjen drama “Alles Dukagjini”.
Autorët që e ngrenë dramaturgjinë e kësaj periudhe në shkallën e saj më të lartë janë Andon Z. Çajupi (1866-1930) me komeditë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902) dhe “Pas vdekjes” (1910), si edhe me tragjedinë në vargje “Burri i dheut”; Gjergj Fishta (1871-1940) me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909); Fan S. Noli (1882-1965) me dramën “Israelitë e Filistinë” (1902); Mihal Gramenoja (1872-1931) me komedinë në tri akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros” (1905); Kristo Floqi me dramën “Fe e kombësi” (1912) dhe më tej Tito Toska, Shtjefën Gjeçovi (1873-1929), Namik S. Delvina etj.
Lënda letrare e shkruar për shfaqjet teatrore të kësaj kohe ka qenë e natyrave të ndryshme, qoftë kjo e organizuar në format e mirëfillta dramatike, qoftë në trajtën e skenarëve a të libreteve ku thureshin e tuboheshin brenda një teme shumë elemente teatrore që shërbenin për ndërtimin e shfaqjes, qoftë edhe në trajta të përshtatshme për skenë. Pjesët teatrore në formë fjalëkëmbimesh të lëvruara nga Gjerasim Qiriazi (1861-1894) dhe Petro Nini Luarasi (1865-1911), të cilat janë dhënë në një varg shkollash në Shqipërinë e Jugut, kishin karakter didaktik (për mësimdhënien); ato synonin nxënien e diturive, mësimin e edukimin me norma të shëndosha morale dhe përcillnin gjithashtu subjekte, ngjarje e figura nga historia e popullit shqiptar.
Në vitin 1890 Urdhri i Jezuitëve i kishës katolike të Shkodrës mundi të ndërtojë në Shkodër një sallë për të organizuar shfaqje teatri. Ky është institucioni i parë teatror i ngritur me ndihmën e kishës, ndonëse u sollën mjaft pengesa nga ana e autoriteteve turke. Në këtë sallë janë dhënë shumë shfaqje me karakter fetar, kryesisht në gjuhën italiane, por edhe në gjuhën shqipe. Vlen të theksohet se Urdhri i Jezuitëve bënte shpenzime të mëdha për përgatitjen dhe për mbarëvajtjen e shfaqjeve, për veshjet e shtrenjta e luksoze të aktorëve, për dekorimet e skenës, për krijimin e mjediseve skenografike historike a alegorike, deri edhe për përdorimin e pajisjeve teknike të kohës, për efektet e ndriçimit etj.
Në vitin 1899 në Korçë u dha nga një grup shkollor shfaqja e tragjedisë “Otello” e Shekspirit, gjë që flet për dashurinë dhe për njohjen e vlerave të larta të dramaturgjisë botërore.
Ndonëse zhvillimi i teatrit në periudhën e Rilindjes është i vijueshëm dhe përfaqëson në vetvete një dukuri pak a shumë të njësuar, për nga ritmet e shtrirja ai mund të ndahet në dy etapa: para dhe pas vitit 1908, Revolucionit të turqve të rinj dhe shpalljes së kushtetutës së shtetit turk. Duke shfrytëzuar disa të drejta që iu njohën, shqiptarët organizuan me shpejtësi klube kulturore artistike. Një vend të veçantë zinin grupet teatrore. Brenda një kohe të shkurtër në qytetet kryesore të Shqipërisë vepronin shumë shoqëri e grupe dramatike teatrore. Janë të shumta shfaqjet teatrore që u dhanë në vitet 1908-1912. Kështu, klubi “Labëria” i Vlorës spikati me shfaqjen e tragjedisë së Mihal Gramenos “Vdekja e Pirros” (1908) dhe të dramës së Sami Frashërit “Besa” (1909); klubi “Drita” i Gjirokastrës dha shfaqjet “Besa”, “Agimi” etj.; klubi “Bashkimi” i Delvinës shfaqi dramën “Dashuria e mëmëdheut” të Namik Delvinës; shoqëria e grave “Ylli i mëngjesit” shfaqi dramën e Shilerit “Vilhelm Teli”. Po kështu dhanë shfaqje klubi “Dituria” i Korçës, klubi “Afërdita” i Elbasanit, shoqëria “Vllaznia” e Durrësit. Në Shkodër jepeshin rregullisht nga kleri jezuit, nga shkolla françeskane, si dhe nga “Motrat stigmatike”, shfaqje pjesësh dramatike të njohura në gjuhën italiane, por edhe në gjuhën shqipe, edhe pse si subjekte të tyre parapëlqeheshin ato me motive fetare e biblike. Në Janinë më 1909, në kafe “Iskania” u luajt drama “Besa”, e cila ngjalli entuziazëm te shqiptarët. Shfaqje teatrore u luajtën nga klube atdhetare kulturore edhe në Stamboll, Bukuresht, Kostancë, Shkup, Uorçester (ShBA) etj.
Edhe muzika shqiptare e periudhës së Rilindjes është pjesë e zhvillimit të përgjithshëm kulturor e artistik që u vu re në Shqipëri gjatë kësaj kohe. Muzika e kultivuar e ka zanafillën në lëvizjen kulturore që shpërtheu fill pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Në këtë vit në Shkodër u krijua banda e parë muzikore shqiptare, e cila hodhi themelet për zhvillimin e një muzike të re në Shqipëri. Formimi i orkestrave frymore më parë në Shkodër, pastaj në Korçë, në Elbasan dhe në qytete të tjera, bëri të mundur që të njihen e të përhapen gjinitë e kultivuara në artin muzikor, ato të formacioneve orkestrale. Ky repertor i ri do të shërbente si përvojë e drejtpërdrejtë për krijimin e veprave muzikore të para shqiptare, si marshi “Bashkimi i Shqipërisë”, i kompozuar nga Palokë Kurti më 1881.
Qytetet e Shkodrës e të Korçës ishin dy qendrat kryesore të zhvillimit të muzikës shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në vitin 1909 në Korçë u ngrit orkestra frymore e quajtur “Banda e Lirisë”.
Tipar dallues i muzikës së Rilindjes Kombëtare ishte karakteri atdhetar që shoqëroi periudhën e Rilindjes dhe u thellua më tej me periudhën e Pavarësisë.





K R E U X


LËVIZJA POLITIKE KULTURORE NË SHQIPËRI PAS SHPALLJES
SË KUSHTETUTËS TURKE
(1908 – 1910)



Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët

Përvoja e lëvizjes kombëtare e viteve të fundit u tregoi shqiptarëve se një nga rrugët për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të vendit ishte përmbysja e regjimit autokrat të sulltanit dhe vendosja e një rendi kushtetues, që të njihte të drejtat kombëtare të popujve të shtypur. Për t’ia arritur këtij qëllimi, një varg personalitetesh shqiptare hynë në bashkëpunim me lëvizjen nacionale-borgjeze të turqve të rinj? që lindi në vitet 80 të shek. XIX dhe drejtohej kundër absolutizmit të sulltan Abdyl Hamitit II. Pas formimit në Stamboll, në maj të vitit 1889, të Komitetit të fshehtë “Bashkim e Përparim” (“Ittihad ve Terakki”), i cili pas disa vitesh u shpërnda nga qeveria e sulltanit, turqit e rinj vijuan veprimtarinë e tyre kryesisht jashtë vendit, ku gjatë viteve 1895-1896 formuan shoqëritë e tyre dhe nxorën një varg organesh shtypi.
Programi i turqve të rinj, i formuluar në mënyrë më të përcaktuar nga grupi i Ahmet Rizajt, që ishte vendosur në mesin e viteve 90 në Paris ku nxirrte gazetën “Meshveret” (“Debatet”), ishte tepër i kufizuar, përmbante vetëm kërkesën e zbatimit të ligjeve që kishin dalë nga koha e Tanzimatit (1839-1876) dhe në mënyrë të veçantë rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876, me të cilat synonin të forconin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Turqit e rinj ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjen kombëtare, që përbënte problemin themelor të Perandorisë multietnike Osmane dhe synonin në fund të fundit të forconin pushtetin e saj të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e këtij programi e përbënin ruajtja e unitetit dhe e tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e dinastisë osmane, por me kusht që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një monarki kushtetuese parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin, panturkizmin dhe panislamizmin.
Megjithatë, kishte një pikë takimi ndërmjet lëvizjes së turqve të rinj dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që qëndronte në luftën kundër absolutizmit të sulltanit, e cila ishte një çështje që bashkonte shqiptarët e popujt e tjerë të shtypur me xhonturqit, megjithëse synimet e tyre në këtë luftë ishin të ndryshme. Ndryshe nga turqit, shqiptarët me përmbysjen e regjimit të Abdyl Hamitit II synonin të siguronin autonominë dhe të hiqnin qafe zgjedhën turke. Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm. Një nga themeluesit e komitetit të parë xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) ishte shqiptari nga Struga, Ibrahim Temo, student i shkollës së lartë ushtarake-mjekësore të Stambollit. Edhe pas arratisjes së tij nga Turqia në Rumani (nëntor 1895), doktor Ibrahim Temo mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të lëvizjes xhonturke dhe njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në lëvizjen e turqve të rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara dhe mjaft atdhetarë të tjerë brenda e jashtë atdheut.
Qysh në vitet 1896-1897, kur shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Kostancës, të kryesuar nga dr. Ibrahim Temoja dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur edhe bërthama të shoqërisë “Bashkim e Përparim”, ndërsa në Shkodër vepronte në vitet e fundit të shek. XIX një degë e organizuar e kësaj shoqërie. Këto degë kishin marrëdhënie me qendrat e Gjenevës e të Londrës të “Bashkim e Përparimit”. Nëpërmjet portit të Durrësit dhe vijës Selanik-Manastir hynin në Shqipëri, me anën e postës austriake, gazetat e revistat e turqve të rinj, që shpërndaheshin në qytete të ndryshme të vendit.
Shqiptarët që morën pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik-përparimtar, të përbërë kryesisht nga përfaqësues të popujve të shtypur të Perandorisë Osmane ose nga elementë të moderuar turq, që synonin të përmbysnin absolutizmin e sulltan Abdyl Hamitit dhe të shpallnin kushtetutën.
Duke qenë përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, këta veprimtarë, në një varg thirrjesh drejtuar turqve e shqiptarëve, në artikujt e botuar në shtypin e turqve të rinj dhe në korrespondencat me Ahmet Rizanë e krerët e tjerë xhonturq gjatë viteve 1896-1905, parashtruan si kërkesa të ngutshme “njohjen e kombësisë shqiptare dhe çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje formimin e një Shqipërie autonome. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të lëvizjes, që i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane” (turke).
Në Kongresin xhonturk të Parisit, që u mbajt në shkurt të vitit 1902, morën pjesë përveç turqve edhe shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara etj.), armenët, maqedonët, arabët etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake. Por turqit e rinj deri në fund të vitit 1907 mbetën në pozita konservatore e reformiste, u shprehën kundër revolucionit dhe kryengritjes, duke i quajtur ato “të dëmshme e shkatërrimtare për Turqinë”.
Në këto rrethana, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve joturq asnjë të drejtë kombëtare, pjesëmarrja e shqiptarëve në lëvizjen e turqve të rinj, deri në pragun e Revolucionit xhonturk, nuk ishte e gjerë. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim lëvizjen e turqve të rinj dhe deri në këtë periudhë mbajtën ndaj saj një qëndrim të rezervuar, madje opozitar. Edhe vetë turqit e rinj, deri në vitet 1905-1906, nuk ndërmorën as në Anadoll, as edhe në Rumeli, veprime konkrete politike, organizative e të armatosura, që do t’i tërhiqnin shqiptarët dhe popujt e tjerë në lëvizje, por u kufizuan me propagandën që shtypi i tyre i jashtëm bënte kundër absolutizmit të sulltanit, për rivendosjen e kushtetutës.
Zhvillimi me sukses i luftës së armatosur të popullit shqiptar dhe atij maqedon nga njëra anë, forcimi i ndërhyrjeve të Shteteve të Mëdha dhe të atyre fqinje nga ana tjetër, i nxitën turqit e rinj të shtonin përpjekjet për të tërhequr në anën e tyre shqiptarët e maqedonët. Në vitin 1906 u ngrit qendra e Selanikut e “Bashkim e Përparimit”, që luante rolin e një komiteti qendror për Turqinë evropiane dhe zhvillonte një propagandë të gjerë në vilajetet e Rumelisë. Në Kongresin e dytë, që u mbajt në Paris në dhjetor të vitit 1907, turqit e rinj po për këtë qëllim pranuan të përdornin kryengritjen e armatosur si mjet të luftës kundër absolutizmit të sulltanit dhe për të rivendosur kushtetutën.
Në shpërthimin e shpejtë të revolucionit ndikuan veçanërisht dy ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat u vlerësuan si hapa të mëtejshëm në politikën kapitulluese të sulltanit përpara Fuqive të Mëdha dhe si një kërcënim i rëndë për tërësinë e Perandorisë. Në janar të vitit 1908 ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Erental, deklaroi se qeveria e tij me pëlqimin e sulltanit do të fillonte ndërtimin e hekurudhës së Mitrovicës. Në këtë mënyrë Vjena do të lidhej drejtpërdrejt me vijën hekurudhore që shkonte përmes vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe dilte në Selanik. Ndërtimi i një hekurudhe të tillë do të lehtësonte depërtimin austriak në dy vilajetet shqiptare dhe në territoret e tjera me popullsi sllavo-maqedone. Si përgjigje ndaj këtij veprimi të njëanshëm të Austro-Hungarisë, në qershor 1908 u mbajt takimi i Revalit (Rusi), i carit të Rusisë me mbretin e Anglisë, në të cilin u arrit marrëveshja anglo-ruse mbi programin e reformave të reja në Maqedoni, që do të çonin në forcimin e kontrollit të këtyre fuqive në Turqinë Evropiane.
Duke qenë tanimë të bindur se Turqia Evropiane do të shkëputej nga Perandoria Osmane, qoftë si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha, qoftë për shkak të lëvizjeve çlirimtare shqiptare e maqedone, xhonturqit i shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes së armatosur. Ky orientim i ri, si edhe premtimet që u bënë shqiptarëve, maqedonëve e popujve të tjerë për t’u dhënë, bashkë me kushtetutën, “lirinë, barazinë, vëllazërimin dhe drejtësinë”, i siguruan udhëheqjes xhonturke përkrahjen e këtyre popujve e në mënyrë të veçantë të shqiptarëve. Në këtë ndikuan edhe thirrjet që xhonturqit u drejtuan shqiptarëve gjatë vitit 1908, të cilat kishin një tingëllim antiimperialist, bënin fjalë për “synimet e Austro-Hungarisë dhe të Italisë për të pushtuar vilajetet shqiptare të Shkodrës, të Kosovës dhe të Janinës”. Në këto rrethana u rrit ndikimi i xhonturqve mbi popujt e Rumelisë dhe veçanërisht në Shqipëri.
Në pranverën e verën e vitit 1908, në një varg qytetesh të Shqipërisë, si në Ohër, Prespë, Strugë, Manastir, Shkup, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë etj., përveç komiteteve kombëtare “Për lirinë e Shqipërisë”, u formuan edhe komitetet xhonturke “Bashkim e Përparim”, ku krahas turqve hynë edhe oficerë e intelektualë shqiptarë. Suksese më të mëdha turqit e rinj siguruan në repartet ushtarake, sidomos midis oficerëve e ushtarëve shqiptarë. Shumica e oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit përkrahu lëvizjen e turqve të rinj. Në verën e vitit 1908 u bënë të shpeshta edhe veprimet kundërqeveritare të ushtarëve dhe të oficerëve shqiptarë të garnizonit të Shkodrës.
Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Më 3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njaziu. Kjo kryengritje u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut, që shpërtheu më 6 korrik në Demir Hisar. Këto dy ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore të Shqipërisë e të Maqedonisë, të cilat u bënë vatra e tij kryesore.
Në proklamatat, që Ahmet Njaziu dhe Komiteti “Bashkim e Përparim” përhapën në ditët e para të korrikut të vitit 1908 në qytetet e fshatrat e Shqipërisë, theksohej se synimi i tyre ishte të shpallnin kushtetutën dhe me këtë akt “t’u siguronin gjithë popujve të perandorisë, pa dallim feje, lirinë, barazinë, vëllazërinë dhe drejtësinë”, ndërsa fshatarëve shqiptarë iu premtua se do t’i çlironin nga taksat dhe do t’i shpëtonin nga arbitrariteti i nëpunësve. Sikurse pohon Ahmet Njaziu në “Kujtimet e tij” (“Hatirati Niazi”, Stamboll, 1910), kryengritja u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, të Ohrit, të Starovës, të Dibrës, të Elbasanit, të Korçës, që formoi njësitë e saj vullnetare të armatosura dhe u hodh në luftë kundër pushtetit autokratik të sulltanit.
Qysh në ditët e para të revolucionit qeveria e Stambollit, duke qenë e ndërgjegjshme për rolin e shqiptarëve në këto ngjarje, dërgoi kundër kryengritësve gjeneralin turk, Shemsi Pasha, i cili, siç thuhej në një nga dokumentet e kohës, njihej si “specialist për shtypjen e shqiptarëve”. Por Shemsi Pasha, me vendim të komitetit xhonturk të Manastirit, u vra sapo mbërriti këtu, më 7 korrik të vitit 1908.
Përputhja e kërkesave të reja, që xhonturqit shpallën në ditët e para të kryengritjes së korrikut, me ato të lëvizjes shqiptare çoi në bashkëpunimin ndërmjet komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe atyre xhonturke. Që në ditët e para të kryengritjes Komiteti i fshehtë i Korçës e përkrahu revolucionin me njerëz e me të holla dhe u bëri thirrje çetave shqiptare të bashkoheshin me repartet kryengritëse. Ky akt pati rëndësi të veçantë, sepse me këtë komitet ishin lidhur komitetet e fshehta “Për lirinë e Shqipërisë” të qyteteve të Shqipërisë së Jugut. Me kryengritjen e turqve të rinj u bashkua që në ditët e para edhe Komiteti shqiptar i Ohrit.
Me kryengritjen u bashkuan gjithashtu çetat e armatosura shqiptare, të cilat iu përgjigjën thirrjes për bashkëpunim, që Ahmet Njaziu, qysh më 5 korrik, u kishte drejtuar atyre e sidomos çetës së Çerçiz Topullit, që kishte ndikim të madh në Toskëri. Si komitetet, ashtu edhe çetat shqiptare nuk hoqën dorë nga programi i tyre kombëtar dhe gjatë bisedimeve me xhonturqit paraqitën kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Më 20 korrik 1908, pas takimit që u bë në fshatin Çëravë të Pogradecit, u arrit marrëveshja ndërmjet përfaqësuesve të Ahmet Njaziut dhe atyre të çetave shqiptare, të udhëhequra nga Çerçiz Topulli. Shqiptarët paraqitën si kusht për bashkëpunim kërkesën e autonomisë së vendit, “që Shqipëria të sundohej vetvetiu nga një guvernator i dërguar prej sulltanit”. Mihal Gramenoja, pjesëmarrës aktiv i këtyre ngjarjeve, shkruante në kujtimet e tij (“Kryengritja Shqiptare”, Vlorë, 1925) se përfaqësuesit e Njazi Beut nuk i kursyen premtimet e tyre dhe deklaruan se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e shqiptarëve.


Kuvendi i Ferizajt (14-23 korrik 1908).
Shpallja e kushtetutës

Lajmi mbi koncesionin e hekurudhës së Mitrovicës, si edhe marrëveshja anglo-ruse për reformat në Maqedoni, kishin krijuar në Kosovë një atmosferë shumë të nderë. Shpërthimi në këto rrethana i revolucionit përkoi në kohë me rritjen e lëvizjes së popullsisë shqiptare kundër zgjedhës turke dhe ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në Kosovë, që arriti kulmin e saj me thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, në korrik të vitit 1908. Ky Kuvend, si edhe lëvizja shqiptare e qershor-korrikut e vitit 1908, u zhvilluan për shkaqe krejtësisht të veçanta dhe të ndryshme nga ato të turqve të rinj dhe pikërisht për shkak të rrezikut të aneksimit nga Austro-Hungaria të territoreve shqiptare, përmes të cilave do të kalonte vija hekurudhore austriake.
Lëvizja shqiptare, që solli si rrjedhim thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, i ka fillimet e saj në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor të vitit 1908. Qëndresa e armatosur filloi në rrethet e Mitrovicës qysh në prill-maj të vitit 1908 dhe vijoi më pas me grumbullimet e protestat e shqiptarëve në Prizren, në Prishtinë e në tërë vilajetin e Kosovës. Vatër e kësaj lëvizjeje u bë Ferizaj. Në shpërthimin e zemërimit popullor ndikoi edhe lajmi i përhapur ato ditë, sipas të cilit Porta e Lartë kishte ndërmend t’u shiste austriakëve tokat rreth Ferizajt për ndërtime dhe për vendosjen e kolonëve.
Më 5 korrik gjithë hapësira nga Kaçaniku e deri në Lipjan, me një shtrirje prej 40 km, ishte zënë nga shqiptarët e armatosur, të cilët kishin ardhur nga Kaçaniku, Ferizaj, Morava e Epërme dhe e Poshtme, madje edhe nga Podrima. Më 9 korrik, sipas të dhënave konsullore serbe, në Ferizaj qenë mbledhur 15 000 veta të armatosur.
Thirrjes së kryengritësve për t'u bashkuar me ta, iu përgjigjën thuajse të gjitha kazatë e vilajetit të Kosovës. Më 15 korrik u mblodhën në Ferizaj njëri pas tjetrit krerët shqiptarë të sanxhakut të Prishtinës, ata të sanxhakut të Pejës, të atij të Prizrenit dhe të krahinave veriore të Kosovës, midis të cilëve qenë Isa Boletini, Ferhat bej Draga etj. nga Mitrovica; Bajram Curri, Sulejman agë Batusha etj. nga Gjakova; Qerim Mahmut Begolli etj. nga Peja; Jahja Beu dhe Rasim Aga nga Prizreni; Mustafa Lita, Ramadan Zaskoku etj. nga Luma; Fuat Pasha, Zenel agë Alushi etj. nga Prishtina; Zejnullah Beu dhe Abdyl Kadri efendiu nga Vuçiterna; Murat Aga etj. nga Tetova; Jakup Beu etj. nga Gjilani; Idriz Seferi që njihet edhe si organizator i këtij Kuvendi, Islam Pira, si edhe Hasan Prishtina.
Tubimin e tij të parë Kuvendi i Ferizajt e mbajti më 14 korrik. Në këtë mbledhje delegatët u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja, kundër refomave, që do të sillnin copëtimin e trojeve shqiptare dhe diskutuan për masat që duheshin marrë për mbrojtjen e vendit nga një invazion i mundshëm i jashtëm.
Kryengritësit kërkuan reforma për tërë Turqinë Evropiane, me të cilat t'u siguroheshin shqiptarëve dhe gjithë popujve të Perandorisë të drejta të plota kombëtare, të barabarta me ato të turqve, dhe që këto të garantoheshin me ligj e me kushtetutë. Konsulli serb në Prishtinë, dr. Peçanaci, duke u mbështetur në burime që ai i merrte për të sigurta, i shkruante Beogradit, më 15 korrik, se në Kuvend ishte diskutuar edhe çështja e formimit të një Shqipërie autonome dhe se pritej të merreshin vendime për këtë problem. Megjithatë, deri më sot nuk janë gjendur të dhëna të tjera që të vërtetojnë se Kuvendi i Ferizajt shtroi edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Shqiptarët u shprehën kundër projekteve të Fuqive të Mëdha për zbatimin e reformave vetëm për të ashtuquajturat vilajete maqedone, te të cilat shihnin rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit të viseve shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të atij të Manastirit nga shtetet fqinje.
Por ngjarjet e mëtejshme, ndikimi i propagandës së turqve të rinj në radhët e lëvizjes shqiptare dhe veçanërisht zhvillimi me sukses i kryengritjes së turqve të rinj, i dha Kuvendit të Ferizajt një drejtim disi të ndryshëm, e tërhoqi atë në rrjedhën e lëvizjes së përgjithshme kundër absolutizmit të sulltanit, që dominoi jetën politike të Turqisë Evropiane në vitin 1908.
Për të tërhequr në anën e vet masën e madhe të kryengritësve shqiptarë, të mbledhur në Ferizaj, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, me qendër në Selanik, dërgoi atje emisarët e vet, Galip Beun, komandat i xhandarmërisë së Shkupit, një nga krerët e komitetit xhonturk të atij qyteti dhe Selaedin Beun nga Manastiri, bashkë me disa të tjerë, që u bënë thirrje shqiptarëve të grumbulluar në Ferizaj të bashkoheshin me Revolucionin xhonturk, të kërkonin shpalljen e kushtetutës dhe mbledhjen e parlamentit.
Duke njohur aspiratat e vërteta kombëtare të shqiptarëve, xhonturqit dhe emisarët e tyre, përveç premtimeve për t'u dhënë atyre lirinë, barazinë e drejtësinë, u munduan t'i bindnin se me shpalljen e kushtetutës do të zhdukej edhe rreziku që kërcënonte tërësinë e territoreve shqiptare, do të merrnin fund ndërhyrjet e kontrolli i huaj, si edhe arbitrariteti i administratës osmane. Ata u premtuan gjithashtu shqiptarëve se me shpalljen e kushtetutës do të shpëtonin nga taksat dhe nga detyrimet e tjera të rënda, nga gjyqet e padrejta dhe nga arbitrariteti i shtetit osman dhe se nuk do të shkonin ushtarë.
Pas tri javë përpjekjesh turqit e rinj arritën të tërhiqnin shqiptarët e grumbullur në Ferizaj në Revolucionin e korrikut të vitit 1908. Në këtë ndikoi edhe qëndrimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i komiteteve dhe i çetave të armatosura shqiptare, që tanimë qenë bashkuar me Revolucionin xhonturk.
Vendimi përfundimtar për t'u bashkuar me revolucionin u mor më 20 korrik, kur pas diskutimeve që krerët shqiptarë bënë në mbledhjet e fshehta, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi sulltan Abdyl Hamitit një telegram, në të cilin kërkonte që të rivendosej menjëherë kushtetuta e vitit 1876 dhe të mblidhej parlamenti, që donte të thoshte të vendosej në Perandorinë Osmane një regjim monarkist kushtetues e parlamentar. Më 22 korrik iu dërgua Pallatit një telegram tjetër, po nga Kuvendi i Ferizajt, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë kushtetuta, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Mendimi se masa prej 30 000 vetash të armatosur, të grumbulluar në Ferizaj, mund të marshonte drejt Shkupit, Selanikut e Stambollit shqetësoi jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që i kishin nxitur shqiptarët të bashkoheshin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigjja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë shpallën kushtetutën në Manastir, në Selanik, në Preshevë, në Kopryly dhe në qendra të tjera.
Bashkimi po ato ditë me xhonturqit i ushtrisë dhe sidomos i Armatës II të Maqedonisë, shumica e ushtarëve dhe e oficerëve të së cilës ishin shqiptarë, si edhe përkrahja e kryengritjes nga Kuvendi i shqiptarëve i mbledhur në Ferizaj, ishin faktorët vendimtarë, që përcaktuan fitoren e Revolucionit të korrikut të vitit 1908.
Më 23 korrik repartet kryengritëse, të përshëndetura nga popullsia hynë në Selanik, në Manastir dhe në qytete të tjera, ku “në emër të ushtrisë dhe të popullit” shpallën rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876.
Në rrethanat kur administrata osmane në Rumeli ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Abdyl Hamiti u detyrua të pranonte, natën e 23-24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues.
Regjimi i turqve të rinj dhe qëndrimi i shqiptarëve ndaj tij (24 korrik - tetor 1908)
Shpallja e kushtetutës a e Hyrietit (lirisë), si në gjithë Perandorinë Osmane edhe në Shqipëri u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë populli shqiptar, që vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet që shpërthyen në mënyrë spontane në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat e përhapura në atë kohë “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, populli shprehu solidaritetin me revolucionin dhe kushtetutën. Të pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet në qytete luftëtarët e lirisë, çetat kryengritëse, që kishin luftuar kundër tiranisë së sulltanit për çlirimin e Shqipërisë.
Drejtuesit e shumë aktivistë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare shpresonin se me shpalljen e kushtetutës shqiptarëve dhe gjithë kombësive të shtypura do t’u siguroheshin liritë politike e barazia, të premtuara nga turqit e rinj. Vetëm disa përfaqësues konservatorë të parisë e të klerit të lartë myslimanë, që merrnin pensione e shpërblime nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës në mënyrë të ftohtë e të përmbajtur.
Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29 korrik në qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër e në qytetet e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës dhe shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në shumë nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin me luftëtarët e çetave.
Në këto manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës u kuptua si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh në ditët e para pas fitores së revolucionit, në shumë qytete, si në Vlorë, Krujë, Durrës, Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët, gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për të marrë pushtetin në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin funksionet e organeve të vetëqeverisjes, pajtonin gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë. Shkupi e kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në rrethana të veçanta, i rrethuar nga forcat e këmbësorisë e të artilerisë turke, që u ngarkuan të ndalonin hyrjen në qytet të katër mijë fshatarëve të armatosur, të cilët donin të shpallnin autonominë e Shqipërisë me qendër në Shkup. U lejuan të hynin në qytet vetëm disa dhjetëra nga prijësit e kryengritësve shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli.
Duke parë shthurjen e plotë të administratës së vjetër osmane në Shqipëri, turqit e rinj shpejtuan të krijonin në të gjitha qytetet e vendit komitetet osmane “Bashkim e Përparim”, të cilat do të përqendronin pushtetin në duart e tyre, derisa të formohej qeveria e re. Menjëherë pas shpalljes së kushtetutës, në ditët e fundit të korrikut dhe në fillim të gushtit, komitete të tilla të “Bashkim e Përparimit” u formuan në Tiranë, në Durrës, në Kavajë, në Krujë, në Berat, në Vlorë e më pas në gjithë Shqipërinë. Në radhët e tyre hynë anëtarët e komiteteve lokale të turqve të rinj, oficerë xhonturq, por edhe përfaqësues të popullsisë shqiptare. Për shkak të përfaqësimit të gjerë të shqiptarëve dhe veprimtarisë së tyre në të mirë të lëvizjes kulturore-kombëtare, këto komitete shprehnin më shumë aspiratat e popullsisë shqiptare sesa të xhonturqve.
Në Vlorë komiteti osman i bashkimit u kujdes për të ngritur një shtypshkronjë për botimet në gjuhën shqipe. Në Berat ky komitet iu kushtua përhapjes së gjuhës shqipe, për të cilën zhvilloi një veprimtari të gjerë në qytet dhe në fshatra. Në Tiranë një komitet i tillë (me emrin “Shoqëria mirëbërëse”) dhe komisioni që doli prej tij, i drejtuar nga Refik bej, Abdi bej dhe Fuat bej Toptani, mori përsipër mbajtjen e rendit e të qetësisë në vend, si edhe kujdesin për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore dhe për hapjen e shkollave shqipe.
Në vilajetin e Kosovës, për shkak të gjendjes së acaruar politike, xhonturqit ngritën komitetet osmane të “Bashkim e Përparimit”, vetëm në ndonjë qendër si në Shkup e në Ferizaj, ndërsa në shumicën e qyteteve të tjera të kësaj province formuan komisione të përzjera, në të cilat merrnin pjesë përfaqësues të parisë së vendit dhe të komiteteve të turqve të rinj. Megjithatë, ata arritën ta kthejnë Komitetin “Bashkim e Përparim” të Shkupit në një organ të rëndësishëm qeveritar për gjithë këtë provincë.
Revolucioni xhonturk dhe shpallja e kushtetutës krijuan kushte disi të favorshme për zhvillimin e lëvizjes shqiptare e sidomos të asaj kulturore-kombëtare. Në rrethana të tilla, kur edhe shqiptarët ende nuk e kishin humbur besimin te regjimi i ri kushtetues dhe shpresonin se në kushtet e tij do të përmbushnin aspiratat e tyre kombëtare, pothuajse të gjitha forcat politike shqiptare u bashkuan në mendimin se lëvizja kombëtare duhej të zhvillohej duke respektuar këtë regjim, duke përfituar prej lirive të shpallura prej tij dhe pa shtruar si qëllim të afërm përmbysjen e tij me anën e dhunës, me rrugën e kryengritjes së armatosur.
Shumica e veprimtarëve të lëvizjes kombëtare brenda e jashtë vendit dhe organet e shtypit atdhetar, e quanin të dobishme që shqiptarët të shfrytëzonin liritë që u dha kushtetuta për të zhvilluar në mënyrë legale lëvizjen kulturore-kombëtare, për të hapur shkolla shqipe në tërë vendin, për të përhapur me të gjitha mjetet mësimin e gjuhës shqipe dhe për lëvrimin e saj të mëtejshëm. Zhvillimi i lëvizjes kulturore shihej si një nga mjetet më të rëndësishme për ngritjen e ndërgjegjes politike të popullit dhe për forcimin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve.
Megjithatë, edhe në këto kushte u vunë re dallime ndërmjet atdhetarëve shqiptarë, me pikëpamje radikale dhe atyre të krahut të moderuar, që u shprehën në qëndrimet e ndryshme ndaj objektivit kryesor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndaj luftës politike për autonominë e Shqipërisë, që kundërshtohej me ashpërsi nga xhonturqit.Të parët theksonin se kishte një dallim thelbësor midis synimeve të turqve të rinj, që përpiqeshin të ruanin sundimin osman në Shqipëri, dhe aspiratave të shqiptarëve për çlirimin kombëtar, midis asaj që ishte arritur pas fitores së revolucionit dhe programit themelor të lëvizjes shqiptare, formimit të një Shqipërie autonome. Ky krah radikal i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ndonëse këmbëngulte për të shfrytëzuar liritë e shpallura kushtetuese në të mirë të lëvizjes për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare, nuk e shihte këtë si një qëllim të fundit, por si një mjet për arritjen e objektivit themelor të lëvizjes shqiptare, të autonomisë së Shqipërisë dhe të çlirimit të saj nga robëria osmane. Disa ditë pas shpalljes së kushtetutës, më 31 korrik 1908 gazeta “Kombi” shkruante se “dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë vetëqeverimi dhe storasja (shpallja - shën. i aut.) e një konstitucie kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona”. Në shkrimet e botuara në gazetën “Shkopi” (15 nëntor 1908) u bëhej thirrje shqiptarëve të hapnin shkolla shqipe, por të kërkonin edhe të drejtat e tyre politike, njohjen e kombit shqiptar nga qeveria osmane dhe të punonin për vetëqeverimin e Shqipërisë.
Këto qarqe atdhetare i mbaheshin pikëpamjes se kërkesat politike, siç ishin ajo e njohjes së kombit shqiptar dhe e autonomisë, nuk mund të plotësoheshin në kuadrin e bashkëpunimit me xhonturqit, që i kundërshtonin ato, por vetëm me një zhvillim dhe organizim të pavarur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ngjarjet e mëvonshme treguan se edhe në luftën për të siguruar lirinë e shkollës e të shkrimit shqip, që përbënin një nga të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare, shqiptarët do të ndesheshin me kundërshtimin dhe me dhunën e turqve të rinj.
Krahu i moderuar i lëvizjes kombëtare të periudhës së pasrevolucionit xhonturk, i mbahej pikëpamjes se shqiptarët në këto kushte të reja nuk duhej të shtronin kërkesa politike, por të kufizoheshin vetëm me kërkesa humanitare, arsimore e kulturore, të punonin për të përhapur arsimin në Shqipëri nëpërmjet klubeve, gazetave e shkollave shqipe, të paktën për një periudhë 10-20- vjeçare. Këto parashikohej të arriheshin nëpërmjet një bashkëpunimi të plotë e pa kushte me xhonturqit. Qëndrime të tilla u shprehën nga atdhetarë të këtij grupimi në organet e ndryshme të shtypit shqiptar, por sidomos në gazetën “Liria” (Selanik, 1908-1910), të drejtuar nga Mithat Frashëri, drejtor për çështjet e jashtme të vilajetit të Selanikut, e cila u bë zëdhënëse e këtij krahu të moderuar. Në shkrimet e botuara në këtë gazetë pas revolucionit (më 17 korrik e 21 korrik, më 18 gusht e 18 tetor 1908 etj.), theksohej se shqiptarët do të përmbushnin kërkesat e tyre arsimore e kulturore dhe “do të shijonin frytet e kulturës së sotme, nëse do të hynin në komunitet me turqit” dhe “do të bashkëpunonin me xhemijetin (Komitetin “Bashkim e Përparim”), i cili i do të mirën dhe i jep të drejta çdo kombi”; “se shqiptarët dhe xhonturqit nuk i ndante asgjë”, se ata kishin “qëllime e dëshira të njëjta” dhe se përparimi i Shqipërisë nuk do të arrihej “pa ndihmën e mirëdashjen e qeverisë turke”.
Në të vërtetë turqit e rinj pas ardhjes në fuqi hoqën dorë nga premtimet, që u kishin bërë shqiptarëve për t’u dhënë të drejtën e autonomisë. Në çështjen kombëtare ata mbajtën qëndrim të hapur shovinist. Përballë prirjeve autonomiste të popujve të shtypur, xhonturqit vunë doktrinën e “osmanizmit”, e cila ishte shpallur në kushtetutën e vitit 1876 (Neni 8) dhe u përfshi pastaj edhe në programin, që Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” miratoi në mbledhjen e mbajtur në Selanik, në ditët e para të shtatorit të vitit 1908. Me ndihmën e kësaj doktrine, që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë “osmanllinj” dhe si të tillë gjoja të barabartë para ligjit, turqit e rinj synonin të mohonin ekzistencën e popujve të tjerë e të çështjes kombëtare në Turqi dhe të mos u njihnin kombësive joturke të drejtat më elementare. Ata shpallën gjuhën turke si gjuhë zyrtare e të detyrueshme në organet shtetërore e në shkollat. Doktrina e osmanizmit tregoi se xhonturqit do të vijonin politikën e vjetër të asimilimit të popujve të shtypur, të turqizimit të tyre. Një politikë e tillë i ktheu në fraza boshe parimet e mëdha demokratike të shpallura nga xhonturqit gjatë revolucionit: “Liri”, “Barazi”, “Vëllazëri” dhe “Drejtësi”.
Në rrethana të tilla qysh në periudhën e parë të pasrevolucionit dolën në shesh kontradiktat ndërmjet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, synimeve të saj për vetëqeverisjen e vendit, madje edhe kërkesave të saj më të thjeshta kulturore-kombëtare dhe pushtetit të turqve të rinj, që synonin të ruanin me çdo mjet sundimin e tyre mbi shqiptarët e popujt e tjerë dhe tërësinë e Perandorisë Osmane. Në këto orvatje turqit e rinj u përkrahën nga kategori të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga paria konservatore, e lidhur me interesa ekonomikë e politikë me këtë Perandori, nga nëpunës të aparatit shtetëror, rrethe burokratike-ushtarake etj. Ata u përpoqën gjithashtu të tërhiqnin pas vetes edhe veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe veçanërisht përfaqësuesit e krahut të saj të moderuar.
Klubet kombëtare (1908)
Atdhetarët rilindës, pa marrë parasysh pengesat që nxirrnin xhonturqit, duke e vlerësuar gjithnjë si detyrë kryesore luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke, shfrytëzuan mundësitë legale që u krijuan pas shpalljes së kushtetutës për të organizuar në përmasa mbarëshqiptare lëvizjen politike-kulturore, për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për këtë qëllim menjëherë pas revolucionit u ngritën klubet kombëtare, që u shtrinë në qytetet e në fshatrat e vendit dhe në qendra të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë, filloi ngritja e shkollave shqipe, dhënia e mësimit të gjuhës amtare në shkollat e huaja në Shqipëri dhe u bënë përpjekje për miratimin e përdorimin e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe.
Më 31 korrik 1908 u themelua klubi “Bashkimi” i Manastirit, me kryetar Fehim Zavalanin që sapo ishte liruar nga internimi, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe sekretar Naum Naçin. Ishte ndër klubet më të mëdha dhe më të rëndësishme, që luajti një rol të veçantë në formimin e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e regjimit xhonturk. Menjëherë pas themelimit të tij, klubi i Manastirit dërgoi në qytetet e tjera të vendit emisarët e vet për të propaganduar idetë kombëtare të shqiptarëve, siç ishin bashkimi i vilajeteve të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj. Në shembullin e tij dhe me nismën e atdhetarëve, u formuan në muajt gusht-shtator 1908 klubi i Korçës, i Vlorës, i Elbasanit, i Shkodrës, i Shkupit (“Klubi arsimor shqiptar”), i Kumanovës, i Tetovës, i Beratit, i Selanikut, i Stambollit, i Pogradecit, i Janinës, i Filatit. Në periudhën e mëvonshme u ngritën klubet shqiptare në qytetet dhe në qendrat e tjera të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Gramsh, Gjirokastër, Ohër, Strugë, Gjilan, Dibër, Vuçiternë, Tepelenë, Delvinë, Filat, Follorinë, Kurvelesh, Përmet, Pogon, Konicë, Negovan, Bellkamen etj. Në gjithë Shqipërinë u ngritën atëherë më shumë se 40 klube.
Klubet ishin organizata të gjera demokratike, të cilat përfshinin në gjirin e tyre përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë. Në klube merrnin pjesë intelektualë, nëpunës të aparatit shtetëror e mësues shkollash, përfaqësues të borgjezisë qytetare, të prodhuesve e të tregtarëve të vegjël të qytetit e të fshatit, të bejlerëve-çifligarë, të oficerëve, si edhe të parisë të lidhur me sunduesit osmanë. Ato bashkonin në gjirin e tyre të gjitha rrymat politike të lëvizjes kombëtare, si atdhetarët me pikëpamje radikale, ashtu edhe të moderuarit, ndërsa në udhëheqjen e tyre zotëronin intelektualët e dalluar edhe më parë për veprimtari atdhetare. Klubet nuk kishin një program të vetëm e të përbashkët. Por statutet e tyre (si “Kanonizma e ligj’e klubit të shqiptarëve në Manastir”, Sofje, 1908; Kanonizma e klubit të “Diturisë shqip” në Korçë, 1908; Kanonizma e klubit të Gjirokastrës “Drita”, 1908; “Rregullore e shoqërisë së shqiptarëve në Janinë”, 1908 etj.), ndonëse ishin të veçanta për secilin klub, kishin një përmbajtje të përbashkët, që i afronte klubet si organizata të njëjta kombëtare. Pothuajse në të gjitha këto statute kërkohej që kombi shqiptar të gëzonte të gjitha liritë që garantoheshin nga një regjim kushtetues, si edhe të drejtën e mësimit të gjuhës amtare; vihej si detyrë të punohej për bashkimin e kombit shqiptar, për “të ndriturit e tij duke përhapur dituritë”, për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe për lëvrimin e saj, për ngritjen kulturore të popullit duke hapur shkolla, shtypshkronja dhe duke botuar gazeta e libra.
Për të mos u dhënë shkas xhonturqve të mbyllnin klubet që vepronin në mënyrë legale, atdhetarët theksonin se, duke punuar për interesat e veçantë të kombit shqiptar, ata do të vepronin gjithashtu në pajtim me “qëllimet e larta” të Komitetit “Bashkim e Përparim”. Ky qëndrim u përfshi në shumë nga statutet e tyre, ndërsa pothuajse në të gjitha ato thuhej se klubet “nuk do të përziheshin në çështjet politike”. Në të vërtetë, shumica e klubeve mori pjesë aktive në tërë jetën politike të vendit dhe mbrojti me vendosmëri interesat kombëtarë të popullit shqiptar.
Klubet gëzonin përkrahjen e popullit që i quante ato si organet e veta në luftën për përmbushjen e aspiratave kombëtare. Në mjaft raste popullsia njihte më shumë autoritetin e klubeve, sesa atë të administratës osmane.
Në periudhën e parë pas revolucionit xhonturqit nuk guxuan të dilnin haptazi kundër klubeve, madje u detyruan për një kohë “të pajtoheshin” me zhvillimin e lëvizjes kulturore-arsimore shqiptare. Në këtë qëndrim të Komitetit “Bashkim e Përparim” ndikuan faktorë të tillë politikë, si gjendja e nderë në Shqipëri pas shpalljes së kushtetutës, roli i madh që luajtën shqiptarët në Revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe fakti që turqit e rinj nuk e kishin stabilizuar ende diktaturën e tyre ushtarake. Ndërkaq, turqit e rinj shtypën me rreptësi çdo prirje të lëvizjes shqiptare për autonominë a për pavarësinë e Shqipërisë, që nuk munguan të shfaqeshin edhe në këto kushte, ndërsa në ato raste, kur gjetën mbështetjen e forcave turkomane vendase, ata u munduan të pengonin formimin e klubeve shqiptare. Kështu, themelimi i klubit “Bashkimi” në Elbasan u arrit pas një konflikti ndërmjet atdhetarëve shqiptarë e xhonturqve, që përkraheshin nga elementët turkomanë. Në Tiranë e në Durrës xhonturqit, duke pasur përkrahjen e disa klerikëve fanatikë dhe të elementëve konservatorë turkomanë, penguan për një kohë themelimin e klubeve shqiptare, që u arrit pas qëndresës së vendosur të popullit kundër klubit të oficerëve dhe komiteteve xhonturke të këtyre qyteteve. Ngritja e klubit “Labëria” në Vlorë u arrit gjithashtu pasi u kapërcyen pengesat që nxorën xhonturqit dhe paria turkomane e këtij qyteti. Në Shkodër në vjeshtën e vitit 1908 xhonturqit, të mbështetur edhe në ulematë e në disa hoxhallarë fanatikë e turkomanë, shpërndanë për një kohë klubin e këtij qyteti dhe kundërshtuan të gjitha kërkesat për ngritjen e shoqërive kulturore shqiptare. Këtu Komiteti “Bashkim e Përparim” dhe ushtarakët xhonturq arrestuan më 26 gusht 1908 atdhetarin Dervish Hima, që sapo ishte kthyer në Shkodër nga internimi, për shkak se kundërshtoi propagandën xhonturke, që i shpallte shqiptarët “osmanllinj” dhe mbrojti idenë e një Shqipërie të lirë e të pavarur.
Ndërkaq turqit e rinj, qysh në fillim, duke u mbështetur në elementët e moderuar, si edhe në ata turkomanë, si Arif Hiqmeti (nënkryetar i klubit të Selanikut) me shokë, arritën të ushtronin një ndikim të fuqishëm në dy nga klubet më të rëndësishme shqiptare, në atë të Stambollit e të Selanikut, dhe u përpoqën që me anën e tyre të vinin nën kontrollin e vet të gjitha klubet, si dhe vetë lëvizjen kombëtare. Por shumica e atdhetarëve shqiptarë nuk ra pre e kësaj veprimtarie, i dënoi këto orvatje të xhonturqve dhe nuk u pajtua me ata shqiptarë që bashkëpunuan me ta. Kësaj periudhe i përket pamfleti i Andon Z. Çajupit “Klubi i Selanikut”, në të cilin fshikullohet rëndë bashkëpunimi i drejtuesve të këtij klubi me xhonturqit.
Si lëvizja kombëtare, ashtu edhe klubet nuk e humbën karakterin e vet luftarak e të pavarur. Të ndodhur nën vëzhgimin e vazhdueshëm të autoriteteve osmane, klubet e kishin gjithnjë më të vështirë të zhvillonin legalisht e haptazi veprimtarinë e tyre politike-kombëtare. Për këtë arsye pranë tyre u krijuan komitete të fshehta, të cilat merreshin me propagandën kundërosmane dhe me organizimin e luftës për autonominë e vendit.
Nga komitetet e para të fshehta ishte ai që u themelua në Vlorë në fund të gushtit 1908, si organ drejtues i “Lidhjes kombëtare për përkrahjen e shkollave shqipe”. Ky komitet, i përbërë kryesisht nga ushtarakë, propagandonte “idetë e pavarësisë” dhe kishte si qëllim të parë organizimin e “një aksioni energjik për formimin e një Shqipërie autonome”. Për këtë arsye ai u shpërnda me ashpërsinë më të madhe nga xhonturqit. Një komitet i tillë i fshehtë u formua në vjeshtën e vitit 1908 pranë klubit “Bashkimi” të Manastirit. Ky klub dërgoi njerëz për themelimin e komiteteve të fshehta në qytetet e vilajeteve të Manastirit e të Kosovës. Në nëntor të vitit 1908 komitetet e fshehta vepronin në Korçë, në Kolonjë e në fshatrat përreth, në Follorinë, në Kozhanë, në Selfixhe, në të gjitha qytetet e vilajetit të Janinës, në Gjakovë, në Shkup dhe në qendrat e tjera të vilajetit të Kosovës. Më 7 dhjetor të vitit 1908 konsulli austriak në Manastir njoftonte Vjenën se “komitete të tilla të fshehta qenë ngritur tanimë në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë”. Me nismën e veprimtarit të njohur të lëvizjes kombëtare Themistokli Gërmenji, Komiteti i fshehtë i klubit të Manastirit vendosi lidhje me komitetet e fshehta maqedone dhe bashkëpunoi me to për të siguruar armë.
Komitetet e fshehta ndiqnin qëllime të rëndësishme politike, punonin për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit dhe për të bashkuar, nën drejtimin e tyre, gjithë shqiptarët që ishin të gatshëm të kundërshtonin regjimin xhonturk dhe të siguronin në momentin e përshtatshëm autonominë e Shqipërisë
Me veprimtarinë e tyre klubet dhe komitetet e fshehta luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare në këtë fazë të re të zhvillimit të saj. Me nismën e klubeve, për herë të parë në historinë e vendit, filluan të botoheshin brenda në Shqipëri dhe në disa qytete të tjera të Perandorisë gazeta në gjuhën shqipe. Në Korçë dolën njëra pas tjetrës gazetat: “Korça” (1908-1910), nën drejtimin e Sami Pojanit; “Lidhja Orthodokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1912), nën drejtimin e Mihal Gramenos; në Manastir “Bashkim’i Kombit” (1909, 1910), nga Fehim Zavalani dhe më pas “Drita” (1911-1912), nga Mustafa Hilmi Leskoviku; në Shkup “Shkupi” (1911-1912), nën drejtimin e Jashar Erebarës; në Janinë “Zgjim’i Shqipërisë” (1909-1910), nga Abdyl Hakiu; në Elbasan “Tomori” (1910), nga Lef Nosi dhe organe të tjera. Nga organet kryesore të shtypit shqiptar ishin gjithashtu “Lirija” në Selanik (1908-1910), nga Mithat Frashëri; “Shqipëtari” në Stamboll (1909-1911), nga Dervish Hima etj. Pranë klubit të Manastirit e klubeve të tjera u ngritën shtypshkronja për botimin e gazetave dhe të librave shqip.
Jashtë Shqipërisë vijuan të botoheshin organe të tilla të rëndësishme të shtypit atdhetar shqiptar, si “Shqypeja e Shqypenis” (1909-1911) në Sofje, nën drejtimin e Josif Bagërit “Shkopi” (1907-1908) dhe “Rrufeja” (1909-1910) në Egjipt, “Dielli” (1909-1910) në Boston, “Liri e Shqipërisë” (1911-1915) në Sofje etj. Në vitet 1908-1912 në Shqipëri dhe jashtë botoheshin më shumë se 35 organe të shtypit shqiptar.
Në organet e shtypit gjetën pasqyrim problemet dhe ngjarjet kryesore të lëvizjes kombëtare të viteve 1908-1912. Ato u bënë propaganduese të ideve kombëtare dhe mbrojtëse të programit politik të kësaj lëvizjeje. Shumica e tyre edhe në gjendjen e re të krijuar pas shpalljes së kushtetutës, quante si detyrë themelore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare luftën për çlirimin e Shqipërisë dhe për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Gazeta “Kombi” shkruante për “çporjen e xhonturqve dhe për vetëqeverisjen e Shqipërisë” (24 korrik 1908); “Korça” parashtronte hollësisht kërkesën e formimit të një shteti autonom shqiptar duke bashkuar katër vilajetet shqiptare në një të vetëm, me kryeqytet Ohrin ose Manastirin, me gjuhën shqipe si gjuhë zyrare, me një vali të emëruar nga Stambolli dhe me nëpunës, ushtri e oficerë shqiptarë (18 shkurt dhe 14 shtator 1909). Ideja e formimit të një shteti autonom shqiptar, të një “Shqipërie për shqiptarët” propagandohej edhe nga gazeta të tilla, si “Dielli”, “Bashkim’i Kombit” etj.
Me shkrimet e botuara, në vitet 1909-1910, kur xhonturqit iu kundërvunë në përmasa më të gjera lëvizjes kulturore-kombëtare shqiptare, filluan të mbyllnin shkollat shqipe dhe po u impononin shqiptarëve alfabetin arab, organet e shtypit atdhetar protestuan kundër kësaj politike obskurantiste dhe shoviniste të Komitetit “Bashkim e Përparim”. “Dielli” shkruante në ato ditë se “sot punërat në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit dhe se gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” dhe u bënte thirrje shqiptarëve “të bashkoheshin dhe të zinin luftën e vërtetë kundër armiqve të kombit tonë, luftën e fundit kundër xhonturqve” (17 shtator 1909).
Organe të tilla të shtypit, si “Shqypeja e Shqypenis”, “Korça”, “Dielli”, “Shqipëtari” etj., pasqyruan hap pas hapi konfliktin e madh që shpërtheu në fillim të vitit 1910 për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, botuan një varg shkrimesh për mbrojtjen e kulturës shqiptare, si edhe dhjetëra protesta, që iu dërguan parlamentit e qeverisë turke nga mësuesit atdhetarë, nga nxënësit e shkollave dhe nga mitingjet që u mbajtën në fillim të vitit 1910. Gazeta “Korça” shkruante më 18 shkurt se me këto mitingje populli shqiptar “tregoi gatishmërinë e tij për të mbrojtur shkronjat e veta qoftë edhe me gjak po të ishte nevoja”. Me shkrimet e tij shtypi shqiptar u bë paralajmëtar i konfliktit të madh që po piqej në Shqipëri ndërmjet popullit shqiptar e xhonturqve, në fushën ekonomike, arsimore, kulturore e politike, për t’u shndërruar më pas në një luftë të hapur të armatosur.
Shtypi atdhetar shqiptar u bë gjithashtu tribunë dhe propagandues i kryengritjeve të mëdha kundërosmane që shpërthyen në Shqipëri në vitet 1910-1912. Gazeta të tilla, si “Kombi”, “Shqipëtari”, “Shqypeja e Shqypenis” etj., duke u bërë jehonë ngjarjeve të Kryengritjes së Kosovës të vitit 1910, shkruanin për qëndresën e shqiptarëve të Prishtinës, të Kaçanikut, të Shkupit, të Gjakovës, të Prizrenit, të Pejës, të Lumës etj. kundër hordhive të gjeneralit turk Shefqet Turgut pashës dhe dënonin masakrat e papara të ushtrisë turke mbi kryengritësit, mbylljen e klubeve e të shkollave shqipe, si edhe persekutimin e internimin e atdhetarëve shqiptarë (“Shqypeja e Shqypenis”, 15 maj 1910; “Shqipëtari”, 8 prill 1910, 26 maj 1910 etj.). Duke përkrahur Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës, të pranverës së vitit 1911, shtypi atdhetar ftonte gjithë shqiptarët, gegë e toskë, të rrëmbenin armët, të bashkoheshin dhe të hidheshin në kryengritjen e përgjithshme shqiptare për të shpëtuar atdheun, për lirinë e Shqipërisë (“Shqypeja e Shqypenis”, 2 prill 1911). Shtypi mbrojti programin e autonomisë së Shqipërisë, ose “Memorandumin e Greçës” të vitit 1911, dhe kërkoi që ai të vihej në themel të kryengritjes së përgjithshme shqiptare (“Drita”, Manastir, 7 dhe 28 korrik 1911).
Me shpërthimin e Kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, veprimtarët rilindës, nëpërmjet artikujve të botuar në organet e shtypit, i tregonin popullit shqiptar se tanimë kishte ardhur koha të zbatohej programi i autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë, kërkonin nga Stambolli që të njihte Shqipërinë autonome dhe u bënin thirrje kryengritësve ta çonin deri në fund luftën, “të merrnin fuqinë në dorë të tyre dhe të ngrinin një qeveri të përkohshme që të mbante sigurimin e vendit” (“Liri e Shqipërisë”, Sofje, 18 qershor 1912, 11 gusht 1912).
Lufta për autonominë e Shqipërisë trajtohej në shtypin atdhetar e lidhur ngushtë me qëndresën ndaj politikës shoviniste të shteteve fqinje, të cilët kundërshtonin çdo përpjekje për formimin e një shteti autonom shqiptar. Gjithë veprimet e këtyre shteteve, theksonte shtypi shqiptar më 1912, në pragun e Luftës Ballkanike, që nga ngritja e shkollave të huaja e ndërhyrjet e vazhdueshme në Shqipëri dhe deri tek armatosja e përgatitjet për luftë, dëshmonin për synimet e tyre për copëtimin e trojeve shqiptare (“Drita”, 7 qershor 1912). Në këto kushte, kur, siç theksohej në organet e shtypit, Shqipërisë i kanosej rreziku i copëtimit, kur po vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e saj dhe e kombit shqiptar, shtrohej si detyrë e ngutshme shkëputja e Shqipërisë nga Turqia dhe formimi i një shteti të veçantë shqiptar (“Liri e Shqipërisë”, 27 shkurt 1912).
Idetë atdhetare e përparimtare të propaganduara nga shtypi shqiptar ndikuan fuqishëm në luftën e popullit shqiptar për bashkimin dhe për çlirimin kombëtar.
Çelja e shkollave shqipe dhe përhapja e mësimit shqip (korrik-nëntor 1908)
Ndonëse u njihte të drejtën e arsimimit të gjithë shtetasve të Perandorisë, pa dallim feje, kushtetuta turke, duke i shpallur ata si “osmanllinj” dhe turqishten si gjuhë mësimi zyrtare e të detyrueshme në shkolla, mohonte në thelb të drejtën e popujve joturq, rrjedhimisht edhe të shqiptarëve, për t’u arsimuar në gjuhën amtare dhe për të pasur shkollat e tyre kombëtare. Në këto kushte çelja e shkollave shqipe dhe përhapja në popull e mësimit dhe e këndimt shqip, ashtu si më parë, mbeti atribut i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në mënyrë të veçantë i klubeve dhe i shoqërive atdhetare shqiptare.
Qysh në ditët e para të formimit klubet, në përputhje me statutet e programet e tyre, u bënë qendra të veprimtarisë kulturore të atdhetarëve shqiptarë, të përpjekjeve për hapjen e shkollave dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Me nismën e tyre dhe me përkrahjen aktive të popullit brenda pak muajve u hapën shkolla jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra. Nga shkollat e para fillore shqipe, të çelura pas shpalljes së kushtetutës, ishte ajo e Elbasanit, që u hap më 2 gusht 1908. Në gusht u hapën gjithashtu shkolla të tjera shqipe, si ajo e Vlorës, e Kaninës, e Tiranës dhe dy shkollat e Beratit. Gjatë muajve shtator-tetor 1908 u çel shkolla e parë shqipe në Gjirokastër (shkolla “Liria”), rifilloi shkolla e vajzave e Korçës, u hap po në këtë qytet një shkollë fillore për djem, të dyja nën administrimin e misionit protestant, si edhe shkollat shqipe në Filat e në Luros të Çamërisë. Me përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë u hap një shkollë shqipe në qytetin e Manastirit dhe një tjetër në Nistrovë të Dibrës, ndërsa në Prizren vijonte të funksiononte shkolla shqipe e ngritur më parë.
U bënë hapat e parë edhe për hapjen e shkollave shqipe në fshatra. Në gusht të vitit 1908 u çel shkolla e parë shqipe në Myzeqe, në katundin Libofshë dhe po në këtë periudhë të parë pas shpalljes së kushtetutës, me nismën e klubit të Beratit dhe të atdhetarit Hasan Koprëncka, u ngritën tri shkolla shqipe në katundet Koprënckë, në Gostenckë dhe në Çorovodë. Në nëntor filloi të funksionojë një shkollë shqipe në Bellkamen.
Në disa nga qytetet e Shqipërisë, si në Elbasan, në Berat, në Vlorë, në Tiranë etj., hapja e shkollave shqipe u shoqërua me manifestime popullore, ku morën pjesë mijëra njerëz, dhe me ceremoni, ku u mbajtën fjalime me frymë atdhetare dhe u hodhën parullat “Rroftë liria!”, “Rroftë gjuha shqipe!”, “Rroftë Shqipëria!” etj.
Ngritja e lëvizjes kulturore në Shqipëri e shtyti Vjenën, që nëpërmjet ambasadorit të saj në Stamboll, Pallaviçini, t’i kërkonte Portës së Lartë të fuste mësimin e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore të viseve shqiptare. Duke e parë lëvizjen për mësimin e gjuhës shqipe si një aspiratë të përgjithshme të kombit shqiptar, Vjena e paralajmëronte Stambollin që të mos e kundërshtonte atë dhe të mos ua linte shqiptarëve ta arrinin vetë. Austro-Hungaria synonte që me këtë ndërhyrje “të siguronte epërsinë në çështjen shqiptare, e cila po merrte një rëndësi gjithnjë e më të madhe”.
Të themeluara me nismën e klubeve dhe të atdhetarëve shqiptarë, shkollat shqipe nuk u ngritën mbi dasitë fetare dhe, ndryshe nga ato turke, greke, vllahe, sllave etj., bashkonin fëmijët e të gjitha besimeve, myslimanë e të krishterë. Ato dalloheshin gjithashtu për karakterin e tyre kombëtar shqiptar e laik. Shkollat u kthyen jo vetëm në qendra të arsimimit të shqiptarëve, por edhe në vatra të zgjimit e të bashkimit të tyre kombëtar.
Megjithëse në kushtet kur mungonte një sistem shtetëror i arsimit kombëtar, shkollat shqipe nuk kishin një program unik, në shumicën e tyre, krahas lëndëve të kulturës së përgjithshme (që jepen në të gjitha shkollat fillore të çdo vendi, si bukurshkrimi, kënga, vizatimi, aritmetika etj.), mësoheshin si të veçanta gjuha dhe letërsia shqipe, historia e Shqipërisë, gjeografia e Shqipërisë etj.
Ngritja e shkollave dhe mësimi i gjuhës shqipe u shndërruan në një lëvizje të gjerë patriotike. Shkollat i ndiqnin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, për të cilët u krijuan posaçërisht kurse të mbrëmjes, ku mësonin shkrim e këndim zanatçinjtë, tregtarët, shegertët, nëpunësit dhe në katunde bujqit. Vetëm klubi “Bashkimi” i Manastirit ngriti në këtë qytet disa kurse nate. Në klubin e Elbasanit ishte ngritur një shkollë nate, ku mësonin shkrim e këndim çdo mbrëmje rreth 60-70 djem të rinj, myslimanë e të krishterë. Kurse të tilla qenë ngritur gjithashtu pranë klubeve të tjera ose pranë shkollave, në Korçë, Gjirokastër, Janinë, Filat, Vlorë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Prizren, Shkup, në disa fshatra të Skraparit etj. Klubet shqiptare plotësonin në atë kohë, në një farë mënyre, mungesën e shkollave shtetërore shqipe.
Sipas të dhënave dokumentare arkivore dhe atyre të shtypit shqiptar, në periudhën gusht-nëntor 1908 në trevat shqiptare qenë ngritur rreth 20 shkolla të ditës e 15 kurse a shkolla të mbrëmjes, që dëshmonin për një përparim të rëndësishëm në lëmin e arsimit kombëtar, të panjohur më parë në Shqipëri.
Mësimin e gjuhës shqipe dhe të lëndëve të tjera në këto shkolla e jepnin mësuesit patriotë, si Hysen Ceka, Babë Dudë Karbunara, Petro Nini Luarasi, Andrea Konomi, Thoma Papapano, Nuçi Naçi, motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Josif Bagëri, Musa Demi, Jani Minga, Jovan Ndreko, Toli Xhaxhollari etj. Meqenëse nuk mjaftonin mësuesit, dhënia e mësimit të gjuhës shqipe u bë një çështje nderi e një detyrë e lartë atdhetare për gjithë ata që mund ta kryenin atë, për “djemtë myslimanë e të krishterë me zemër të nxehtë”, sikurse i quante në një nga letrat e tij të tetorit 1908 atdhetari Sotir Kolea.
Gjuha shqipe mësohej edhe në mënyrë individuale ose në kurse të drejtuara nga mësues e të rinj atdhetarë, në qytete e në fshatra të Shqipërisë, që ndiqeshin kryesisht nga të rriturit, nga nëpunës të ndryshëm, hoxhallarë e mësues të shkollave turke etj.
Duke marrë parasysh vështirësitë e mëdha për hapjen e shkollave shqipe nga klubet dhe nga vetë populli, atdhetarët shqiptarë bënë përpjekje që mësimi i gjuhës shqipe të përfshihej në sistemin shtetëror shkollor, në shkollat shtetërore turke dhe në ato të huaja, greke etj., që kishin buxhet të rregullt. Ky do të ishte hapi i parë për kthimin më pas, të paktën të shkollave fillore, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi. Qysh në fillim të gushtit të vitit 1908, në Tiranë, me përpjekjet e komisionit të kryesuar nga Refik Toptani, u arrit të futej mësimi i gjuhës shqipe në shkollat turke e në atë greke të këtij qyteti. Klubi “Bashkimi” i Elbasanit dhe atdhetarët e kryesuar nga Aqif pashë Elbasani mblodhën mjetet e nevojshme financiare për të paguar mësuesit, që do të jepnin mësimin e shqipes në shkollat shtetërore dhe caktuan nga një mësues të gjuhës shqipe për katër shkollat fillore turke, për dy shkollat greke, si dhe një mësuese për vajzat. Pranë klubit “Bashkimi” të Elbasanit u ngrit një kurs mujor për përgatitjen e mësuesve për gjuhën shqipe. Me gjithë kundërshtimin e valiut të provincës së Manastirit nga varej Elbasani, me këmbënguljen e atdhetarëve elbasanas gjuha shqipe filloi të mësohej në shkollat turke të atij qyteti qysh në vjeshtën e vitit 1908. Po në shtator u fut gjuha shqipe si gjuhë mësimi në shkollën e komunitetit ortodoks të Elbasanit, ndërsa gjuhës greke iu la vendi i dytë.
Në Korçë, me nismën e klubit të këtij qyteti, në fillim të nëntorit u fut gjuha shqipe si lëndë mësimi në shkollën fillore turke. Pas kërkesave energjike të mësuesve dhe të nxënësve gjirokastritë, administrata osmane u detyrua të fuste shqipen edhe në shkollat turke të Gjirokastrës. Mësimi i shqipes u fut gjithashtu në shkollat shtetërore turke të Vlorës dhe në shkollën turke për vajza të Beratit. Në Vlorë që në vitin shkollor 1908-1909 gjuha shqipe filloi të mësohej edhe në shkollën greke të këtij qyteti, që kishte si drejtor mësuesin atdhetar Jani Minga. Futja e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat greke ose të komunitetit ortodoks u arrit pas kapërcimit të pengesave që nxirrnin qarqet politike të Greqisë dhe klerikët ortodoksë shqiptarë, që u shërbenin atyre.
Me nismën e disa mësuesve e klerikëve atdhetarë shkrimi e këndimi shqip mësohej edhe në shkollat turke të disa fshatrave, si në Bilisht, në Kolonjë, në Devoll, në Frashër etj.
Përpjekje për futjen e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke, madje edhe për shndërrimin e tyre në shkolla shqipe bëri në shtator të vitit 1908 klubi i Shkupit dhe veçanërisht Nexhip Draga, që ishte një nga drejtuesit e tij. Në disa shkolla fillore të fshatrave të Kosovës, si në Pakashticë, në Dumnicë, në Dumosh etj., mësuesit e klerikët atdhetarë, si Mulla Zeka, Mulla Hamiti, Mulla Dema, Mulla Bajram Dumnica etj., bënë përçapje për të futur mësimin e gjuhës shqipe dhe për t’u mësuar fëmijëve shkrimin e këndimin e shqipes.
E ndodhur përballë kërkesave këmbëngulëse të popullsisë shqiptare për ngritjen e shkollave shqipe, Ministria e Arsimit nxori në tetor të vitit 1908 urdhëresën sipas së cilës gjuha shqipe futej si lëndë mësimi në shkollat shtetërore turke, në ato fillore (mejtepet) dhe gjysmë të mesme (ruzhdie). Edhe pse qeveria, nëpërmjet administratës lokale, nxirrte pengesa të shumta për zbatimin e këtij dekreti, publikimi i tij i dha një shtysë të re lëvizjes për futjen e gjuhës shqipe si lëndë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore. Në fundin e tetorit klubi shqiptar “Bashkimi” i Janinës vendosi të fuste gjuhën shqipe në të gjitha shkollat turke, si dhe të themelohej në Janinë një shkollë shqipe për përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe për gjithë vilajetin.
Edhe nxënësit e shkollave të Prishtinës dhe ata të gjimnazit të Manastirit, duke përfituar nga dekreti i qeverisë turke, kërkuan nëpërmjet peticioneve dërguar Stambollit, që gjuha shqipe të mësohej edhe në shkollat e mesme. Qeveria turke u detyrua t’i pranonte këto kërkesa dhe urdhëroi që gjuha shqipe të mësohej edhe në shkollat e mesme (idadie) të këtyre qyteteve. Në vjeshtën e vitit 1908 mësimi i gjuhës shqipe u fut në gjimnazin shtetëror turk të Manastirit.
Në kohën kur qeveria turke nuk bënte asnjë shpenzim për shkollat shqipe dhe i nxirrte pengesa të shumta përhapjes së tyre, ato mbaheshin vetëm me përkrahjen e ndihmën materiale që jepte populli dhe klubet shqiptare; në shumë qytete, si në Elbasan, në Tiranë etj., me nismën e klubeve dhe të atdhetarëve, që në gusht të vitit 1908 u krijuan për këtë qëllim fonde kombëtare. Në qytetin e Beratit për mbajtjen e dy shkollave u caktua me kërkesën e atdhetarëve një taksë prej 10 paresh për çdo lëkurë që shitej dhe u vendos të vihej monopoli mbi shitjen e vajgurit. E njëjta gjë ndodhi edhe në qytetet e tjera.
Ngritja e shkollave shqipe dhe përhapja e mësimit të gjuhës shqipe solli shtimin e nevojave për abetare e libra shqip, të cilët dërgoheshin në Shqipëri nga kolonitë atdhetare të mërgimit, nga ajo e Bukureshtit dhe e Sofjes. Kërkesa të shumta për libra shqip u vinin çdo ditë nga të gjitha anët e Shqipërisë klubit “Bashkimi” të Manastirit, klubit të Korçës dhe klubeve të tjera, sidomos shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit dhe shtypshkronjës “Mbrothësia” të Kristo Luarasit në Sofje. Në një nga letrat e tij të gushtit 1908, klubi i Manastirit i shkruante shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit se “tërë Shqipëria kërkonte libra”. Qindra abetare e libra shqip i kërkoheshin klubit të Elbasanit nga popullsia e këtij qyteti, si edhe nga Peqini, Gramshi e Lushnja, ndërsa nga Vlora në fund të gushtit 1908 u kërkuan 1 000 abetare të Sami Frashërit dhe 800 libra këndimi, të cilat u shpërndanë edhe në rrethin e Beratit. Kërkesa të shumta për libra shqip i vinin klubit të Korçës nga ky qytet dhe më shumë nga Kolonja, Starova, Opari e nga fshatra të tjera.
Më të kërkuar ishin librat e Sami Frashërit, si “Abetarja”, “Shkronjëtorja”, “Dheshkronja”; librat e Naim Frashërit, si “E këndimit e çunave këndonjëtoreja”, “Mësimet”, “Dituritë“, “Gjithësia”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, si edhe veprat e tjera, si “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?” (e Sami Frashërit); “Bagëti e Bujqësija”, “Lulet e verës” dhe “Skënderbeu” (të Naim Frashërit); “Mirëvetia” e “Numeratorja” (të Jani Vretos); “Abetarja” (e Gasper Benusit); “Fizika” (e Gjergj Qiriazit) etj.
Qysh në ditët e para pas shpalljes së kushtetutës, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit 1908, Shoqëria “Bashkimi” e Bukureshtit dërgoi në Shqipëri (klubit të Manastirit) 20 000 copë abetare e libra të tjerë shqip. Në Korçë brenda disa javësh u shitën 15 000 abetare shqipe. Kristo Luarasi, në një nga letrat e tij të 4 gushtit, shkruante se përveç 400 librave që kishte bërë gati për t’i dërguar në Shqipëri, do të “çonte në Tiranë edhe 1 000 abetare gegërisht dhe 800 libra të tjerë, që i kishte gati në Sofje”.
Zhvillimi i lëvizjes politike-kulturore kombëtare ndeshi jo vetëm në pengesat e autoriteteve xhonturke, por edhe në kundërshtimin e atyre klerikëve konservatorë, myslimanë e ortodoksë, që u shërbenin fuqive të huaja. Në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Ohër, në Strugë, në Dibër dhe në vende të tjera klerikët turkomanë u përpoqën të ndalonin shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, duke e shpallur atë në kundërshtim me fenë myslimane e me kuranin. Në disa nga këto qendra administrata lokale turke kërcënonte me internim atdhetarët që përhapnin shkrimin e shqipes, ndërsa në Shkodër nxiti klerikët fanatikë myslimanë t’i dërgonin telegrame të stisura Ministrisë së Brendshme, në të cilat thuhej se nuk njihnin gjuhë tjetër zyrtare veç turqishtes. Edhe shovinistët grekë e klerikët ortodoksë grekomanë u orvatën të pengonin hapjen e shkollave të para shqipe në Shqipërinë e Jugut. Këta vijuan të përdornin për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme që nga kërcënimet, mallkimet e shkishërimet e atdhetarëve që dërgonin fëmijët në shkollat shqipe dhe deri te bandat e andartëve.
Megjithatë, falë entuziazmit të popullit dhe punës këmbëngulëse të klubeve këto vështirësi u kapërcyhen dhe u krijuan kushtet për thirrjen e Kongresit Kombëtar të Manastirit.


Kongresi i Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe (14-22 nëntor 1908)


Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar.
Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Një ndihmesë të vyer dhanë organet e shtypit, sidomos ato të viteve të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, ku spikati në mënyrë të veçantë revista “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909) e Faik Konicës. Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (i jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre.
Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj osmanë, që përpiqeshin ta pengonin atë si një arritje që do të çonte në afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare, që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore të trashëguara nga e kaluara.
Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe paraqitej njëherazi një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Në të vërtetë, thirrja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat e reja, që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Në “Zëdhënien” që u shpërnda me këtë rast, ftoheshin të merrnin pjesë në kongres “gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, si edhe “çdo filolog” shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këtë kongres.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.
Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin e kombit e të kulturës së tij.
Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë në ditët e para, të gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej të kishte si bazë atë latin. Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë, prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje.
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes, që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit, “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke pranuar alfabetin e Stambollit “e me të bashkë edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve”. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla.
Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa, u argumentua nga Komisioni me “disa shkaqe të përjashtme” dhe pikërisht me nevojën për të shtypur me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë dhe për korrespondencat me jashtë. Në të vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar mbi Komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në Shqipërinë e Jugut) dhe atë të “Bashkimit” në Gegëri e sidomos në Shkodër. Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm.
Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Përveç kësaj, duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar, kundër orvatjeve të xhonturqve për t’u imponuar alfabetin arab dhe për t’i identifikuar ata me turqit.
Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.
Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program ështe një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.
Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend.
Pjesë përbërëse e kërkesës për njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Këto shkolla do të mbaheshin me të ardhurat nga pasuritë e kishave, të cilat duhej të administroheshin nga shteti dhe me të ardhurat e buxhetit të shtetit osman. Për t’u prerë rrugën ndërhyrjeve të Austrisë, të Italisë e të Greqisë në Shqipëri, kërkohej që klerikët katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti turk. Me këto masa do të kufizohej ndikimi i propagandave të huaja shkollore e kishtare në Shqipëri, sidomos i asaj greke.
Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen e profesorëve për këtë universitet do të dërgoheshin çdo vit, me bursa të shtetit, të rinj që do të mësonin në shkollat e larta të Evropës dhe të ShBA-së. Po kështu kërkohej të themelohej një muze arkeologjik kombëtar në një nga qytetet e Shqipërisë.
Programi përmbante gjithashtu një varg masash, që kishin për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, për të cilin ishte interesuar borgjezia shqiptare. Të tilla ishin masat për hapjen dhe shfrytëzimin e minierave, për ndërtimin e hekurudhave nga sipërmarrës shqiptarë, për ngritjen e ekonomive të mëdha bujqësore në Myzeqe etj. Në pjesën ekonomike përfshihej edhe kërkesa për kufizimin e depërtimit të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare, që kishte për qëllim të ndalonte ekspansionin ekonomik të shteteve të huaja dhe në mënyrë të veçantë t’u jepte mundësi borgjezisë shqiptare e kapitalit vendas të shtinte në dorë tregun dhe ekonominë e Shqipërisë.
Programi politik, i miratuar në Kongresin e Manastirit, megjithëse nuk përmbante kërkesa të domosdoshme për organizimin e një shteti autonom, si veçimi i territoreve shqiptare dhe forma e qeverisjes së tyre, ai pati rëndësi të veçantë, sepse i përmbysi shpresat e tyrqve të rinj dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështjet e alfabetit, për ta mbajtur larg problemeve politike e luftës kundër regjimit xhonturk. Miratimi i tij dëshmonte gjithashtu se Lëvizja Kombëtare Shqiptare edhe pas shpalljes së kushtetutës kishte ruajtur karakterin e saj politik e të pavarur dhe kishte si objektiv themelor realizimin e autonomisë së Shqipërisë.
Kongresi i Manastirit shënoi gjithashtu një hap të rëndësishëm në ngritjen e shkallës së organizimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vetë thirrja e tij si një forum mbarëkombëtar, vendimet që mori për çështje të tilla që i takonin gjithë kombit dhe, në mënyrë të veçantë, njohja faktike e klubit të Manastirit si klub qendror, me të cilin do të mbanin lidhje gjithë klubet e tjera, dëshmojnë për vendosjen e një bashkërendimi të veprimtarisë organizative e politike-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, nën drejtimin e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Jo rastësisht konsujt e huaj e trajtonin këtë masë si një përpjekje që do të krijonte njëlloj federate të klubeve shqiptare.
Vendimi për t’i dhënë klubit “Bashkimi” të Manastirit, që qëndronte në krye të luftës për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, atributet e një klubi qendror, u arrit pas kundërshtimit të përpjekjeve të krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare për t’u imponuar klubeve e shoqërive shqiptare udhëheqjen politike dhe organizative të klubit të Stambollit, drejtuesit e të cilit, përgjithësisht, njiheshin si përkrahës të xhonturqve.
Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.


Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908 dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909


Zgjedhjet për në parlamentin turk u bënë sipas ligjit elektoral të shpallur nga xhonturqit më 15 shtator 1908, i cili nuk njihte kombësitë joturke dhe i shpallte të gjithë banorët e Perandorisë “osmanllinj”. Ai vinte si kusht për të qenë deputet pranimin e përkatësisë në “kombësinë” osmane, njohjen e gjuhës turke, si dhe caktonte për këtë një cenz të lartë pasurie, duke përjashtuar kështu nga zgjedhjet shtresa të gjera të popullsisë fshatare e qytetare. Por xhonturqit e shkelën edhe këtë ligj, i kufizuan më shumë të drejtat e kombësive joturke në zgjedhje.
Fushata elektorale e muajve tetor-nëntor u zhvillua në Shqipëri në një gjendje të nderë dhe u shoqërua me konflikte ndërmjet atdhetarëve shqiptarë e xhonturqve. Në zona të tëra popullsia shqiptare, duke kujtuar se regjistrimi i popullsisë që xhonturqit ndërmorën për zgjedhjet bëhej për shtimin e taksave, e bojkotuan atë. Për shkak të veprimeve arbitrare të xhonturqve, në vilajetet e Kosovës dhe të Shkodrës pati protesta, konflikte e përleshje me autoritetet lokale. Si pasojë, krahina të tëra të shqipërisë nuk morën pjesë në zgjedhje. Popullsia katolike e Shkodrës, për shkak të shkeljes së ligjit elektoral, i bojkotoi zgjedhjet; po kështu veproi edhe popullsia e Mitrovicës, në vilajetin e Kosovës. Pothuajse gjithë popullsia e sanxhakut të Prevezës, shumica e asaj të sanxhakëve të Gjirokastrës e të Janinës etj., që përbëheshin nga çifçinjtë, u përjashtuan nga e drejta elektorale. Përveç kësaj, xhonturqit përdorën të gjitha mjetet për t’i detyruar zgjedhësit të votonin për deputetët turq e proturq, që ishin kandidatë të Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në Vlorë e në Berat xhonturqit organizuan një fushatë të ashpër kundër kandidaturës së Ismail Qemalit. Megjithatë, në saje të veprimtarisë së klubeve dhe të atdhetarëve, popullsia e sanxhakut të Beratit e zgjodhi atë deputet. Në Elbasan klubet dhe atdhetarët e tjerë vunë përballë kandidaturës së Abdullah Mahir efendiut, që përkrahej nga xhonturqit, atë të atdhetarit doktor Ibrahim Temo. Megjithëse gëzonte mbështetjen e atdhetarëve elbasanas e sidomos të të rinjve me ndjenja kombëtare, për shkak të propagandës së xhonturqve dhe ithtarëve të tyre, doktor Ibrahim Temoja nuk arriti të zgjidhej si deputet i këtij sanxhaku. Në Dibër forcat atdhetare të vendit hynë në konflikt me xhonturqit, që kërkonin t’u impononin si kandidatë për deputetë përkrahësit e tyre, elementët proturq, duke përdorur për këtë qëllim edhe ushtrinë kundër zgjedhësve vendas. Përkundër pengesave të xhonturqve, që në Gjilan u shoqëruan me përdorimin e forcave ushtarake kundër shqiptarëve, Hasan Prishtina u zgjodh deputet i sanxhakut të Prishtinës.
Fushata e zgjedhjeve përkoi me aneksimin nga Austro-Hungaria të Bosnjës dhe të Hercegovinës, në tetor të vitit 1908 (që ishin pushtuar prej saj me vendimet e Kongresit të Berlinit, më 1878). Thirrjet e xhonturqve për bojkotimin e mallrave austriake gjetën në një farë mase përkrahje edhe midis shqiptarëve, që ishin të shqetësuar për mundësinë e vazhdimit të ekspansionit austriak drejt tokave të tyre, në vilajetin e Kosovës. Megjithatë, xhonturqit nuk arritën atëherë të formonin me shqiptarët një front të përbashkët kundëraustriak.
Zgjedhjet u zvarritën shumë dhe si rrjedhim parlamenti u hap vetëm më 17 dhjetor 1908. Nga krahinat shqiptare në të u zgjodhën 26 deputetë, nga të cilët vetëm një pjesë e tyre, si Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, Bedri Pejani etj., përfaqësonin forcat atdhetare shqiptare, që vepruan në parlament si kundërshtarë të politikës së xhonturqve ndaj shqiptarëve.
Ismail Qemali, udhëheqës i grupit të deputetëve shqiptarë në parlament, u vu njëkohësisht në krye të opozitës liberale, e cila në dhjetor të vitit 1908 u shndërrua në një parti më vete me emrin “Ahrar” (“Liberalët”). Megjithëse partia “Ahrar” përfaqësonte interesat e qarqeve konservatore të Turqisë dhe luftonte kundër regjimit xhonturk nga pozitat e tyre, në programin e saj përfshihej edhe kërkesa për decentralizimin e administrimit të Perandorisë Osmane dhe për vetëqeverisjen e provincave kombëtare. Ishte pikërisht kjo kërkesë dhe synimi për ta shfrytëzuar atë në të mirë të shqiptarëve, ajo që e shtyu Ismail Qemalin të bashkohej me këtë organizatë e të tërhiqte në të edhe deputetët shqiptarë e të kombësive të tjera. Në të njëjtën kohë, Ismail Qemali u përpoq ta shndërronte atë në një parti me një program të vërtetë liberal, e cila, krahas të tjerave, duhej t’u siguronte kombeve lirinë e veprimit për çështjet që u takonin interesave të tyre nacionalë, domethënë një autonomi të gjerë.
Në sesionin e dhjetorit parlamenti diskutoi gjendjen politike në Perandorinë Osmane, çështjen e çetave shqiptare e maqedone dhe të shkollave kombëtare të popujve joturq. Meqë shumica e deputetëve i përkiste Komitetit “Bashkim e Përparim”, parlamenti u bë përçues i politikës nacionaliste xhonturke, nuk pranoi të plotësonte kërkesat e lëvizjeve kombëtare në Shqipëri e në Maqedoni, duke përfshirë edhe atë të hapjes së shkollave kombëtare në gjuhën shqipe.
Vazhdimi nga xhonturqit i politikës së asimilimit të shqiptarëve, duke u mohuar kombësinë dhe të drejtën e mësimit të gjuhës amtare, si edhe arbitrariteti i administratës osmane, u bënë shkak për acarimin e gjendjes politike në Shqipëri dhe të marrëdhënieve të shqiptarëve me Komitetin “Bashkim e Përparim”. Në Manastir, ku ndodhej qendra drejtuese e klubeve, xhonturqit përgatitën atentate kundër udhëheqësve të lëvizjes shqiptare. Një atentat i tillë u bë edhe në Korçë kundër Dervish Himës, që kundërshtonte me vendosmëri politikën shoviniste të turqve të rinj.
Xhonturqit u orvatën të veçonin dhe të zhduknin një nga udhëheqësit më me ndikim në të lëvizjes shqiptare, Isa Boletinin. Ndonëse kishte qenë një nga drejtuesit e Kuvendit të Ferizajt, të korrikut të vitit 1908, Isa Boletini, pas shpalljes së kushtetutës, shfaqi mosbesim ndaj regjimit xhonturk, nuk pranoi propozimet e Komitetit “Bashkim e Përparim” për t’u futur në organizatat e xhonturqve dhe për t’iu nënshtruar atyre. Kjo ishte arsyeja e konfliktit të tij me kajmekamin e Mitrovicës, që lindi menjëherë pas revolucionit dhe që e detyroi Isa Boletinin të tërhiqej në gusht të vitit 1908 në Boletin. Megjithatë, Isa Boletini nuk ndërmori atëherë ndonjë veprim konkret politik a të armatosur kundër qeverisë, ndërsa xhonturqit, për të përligjur veprimet ushtarake për zhdukjen e tij, e shpallën “kundërshtar” të kushtetutës dhe përkrahës të regjimit të vjetër absolutist. Duke përfituar nga rritja e pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj qeverisë, ata, më 22 nëntor 1908, me qëllim që ta kapnin ose ta zhduknin Isain, dërguan kundër tij në Boletin 1 500 ushtarë, të pajisur me artileri. Pas përleshjes që zgjati gjithë ditën, në të cilën u vranë rreth 30 ushtarë turq dhe 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën në fshatrat përreth për t’u vendosur më pas në katundin Isniq të Pejës.
Në jug të Shqipërisë Komiteti “Bashkim e Përparim” dhe degët e tij u përpoqën të shfrytëzonin gjendjen e acaruar që ishte krijuar në marrëdhëniet greko-turke lidhur me çështjen e Kretës për t’i tërhequr shqiptarët në anën e tyre, për t’i mobilizuar kundër grekëve dhe për ta çorientuar lëvizjen e tyre kombëtare në këto krahina. Për këtë qëllim në shkurt të vitit 1909 xhonturqit organizuan në Tepelenë një mbledhje të përfaqësuesve të parisë myslimane të vilajetit të Janinës. Këtu morën pjesë edhe delegatë të klubeve kombëtare, të cilët e shfrytëzuan këtë tubim për të kërkuar ngritjen e shkollave shtetërore shqipe, caktimin e nëpunësve shqiptarë, zbatimin e masave për zhvillimin ekonomik të vendit dhe armatosjen e popullsisë shqiptare. Xhonturqit i hodhën poshtë këto kërkesa.
Në fillim të vitit 1909, si pasojë e të korrurave të këqija të dy vjetëve të fundit dhe e bojkotimit të mallrave austriake për shkak të aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austria, gjendja ekonomike në Shqipëri u keqësua shumë. Rajone të tëra të vilajeteve shqiptare kërcënoheshin nga uria; fshatarët po detyroheshin të shisnin bagëtinë e tokën dhe të vërshonin në qytete, ku gjendja nuk ishte më mirë. Zejtaria e tregtia po kalonin gjithashtu një krizë të rëndë, që e keqësoi gjendjen e prodhuesve e të tregtarëve të vegjël.
Pakënaqësia e popullsisë u shtua edhe më shumë kur qeveria turke, në vend që t’ua lehtësonte fshatarëve barrën e taksave, siç u kishte premtuar gjatë revolucionit, filloi të mblidhte të gjitha llojet e taksave për vitin 1909 dhe ato të prapambetura të dy viteve të fundit. Edhe ligji i ri i shërbimit ushtarak i shpallur në gusht të vitit 1908, sipas të cilit thirreshin në ushtri të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, cenoi venomet e krahinave malore të Shqipërisë dhe shkaktoi kundërshtimin e popullsisë së tyre. Të gjitha këto bënë që në shkurt të vitit 1909 malësorët e rretheve të Pejës, të Gjakovës e të Dibrës të ngrinin krye kundër administratës osmane dhe kundër Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në mars kryengritja u shtri sidomos në sanxhakun e Pejës dhe në Malësinë e Dibrës, por trazira pati edhe në Pazarin e Ri. Për shtypjen e saj u dërguan nga Mitrovica 4 batalione ushtarësh, me 24 topa, të drejtuara nga komandanti i Divizionit të 18 të Mitrovicës, Xhavit Pasha. Por xhonturqit shpallën si qëllim të parë të ekspeditës zhdukjen e Isa Boletinit, që me 700 kryengritës ishte përforcuar në Isniq. Më 20 mars Xhavit Pasha, në krye të 3 000 ushtarëve, me 16 topa e me forca të kavalerisë, u nis nga Mitrovica në Pejë dhe më 24 mars u drejtua për në Isniq, ku kërkoi nga krerët shqiptarë të dorëzonin Isa Boletinin, ndërsa popullsia të paguante taksat dhe të jepte ushtarë, duke i kërcënuar se do t’u digjte shtëpitë e pasurinë.
Megjithëse Isa Boletini, për të mos i dhënë shkak Xhavit Pashës të shkatërronte fshatrat e kësaj zone, u tërhoq nga Isniqi drejt jugut pa bërë ndonjë qëndresë, ushtria osmane shkatërroi 96 kulla të përkrahësve të tij në Isniq e në katunde të tjera të rrethit të Pejës. Këto veprime e shtuan pakënaqësinë e popullsisë dhe e ndërlikuan gjendjen jo vetëm në vilajetin e Kosovës, por edhe në gjithë trevat shqiptare.
Veprimet ushtarake u shtrinë edhe në Malësinë e Dibrës, ku në fillim të prillit u zhvillua një përleshje ndërmjet fshatarëve kryengritës dhe ushtrisë turke në katundin Gjuricë, gjatë së cilës turqit patën humbje të mëdha. Kryengritësit bënë përpjekje për t’u organizuar dhe për t’u bashkuar. Më 10 prill u mbajt në Malësinë e Dibrës një tubim i gjerë, ku morën pjesë, përveç përfaqësuesve të popullsisë së Dibrës, edhe ata të Shkodrës, të Elbasanit, të Prizrenit, të Pejës etj. Këtu u formua një Këshill, i cili do të merrej me organizimin dhe me zgjerimin e kryengritjes, për t’i dhënë asaj një karakter më të përgjithshëm.
Lëvizja përfshiu edhe Shkodrën, Janinën etj., ku të rinjtë shqiptarë nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak dhe largoheshin nga ushtria. Autoritetet xhonturke dërguan në Shqipërinë e Jugut forca ushtarake për ta shtypur këtë lëvizje. Për t’u prerë hovin largimeve nga ushtria ato pushkatuan vetëm në Janinë, në mars të vitit 1909, 80 ushtarë shqiptarë.
Me politikën e vet nacionaliste Komiteti “Bashkim e Përparim” e thelloi edhe më shumë armiqësinë me popullin shqiptar dhe me popujt e tjerë të shtypur të Perandorisë. Këtë gjendje e shfrytëzuan qarqet reaksionare të Turqisë, me sulltan Abdyl Hamitin në krye, që prisnin rastin e përshtatshëm për të asgjësuar rendin kushtetues dhe për të rivendosur absolutizmin. Komplotin kundërrevolucionar, siç është quajtur ai në histori, e organizoi partia opozitare “Ahrar”. Kjo parti, duke pasur përkrahjen e disa përfaqësuesve të parisë dhe të klerikëve turkomanë të Dibrës e të Kosovës, shpresonte të bënte për vete shqiptarët e veçanërisht repartet ushtarake shqiptare të pakënaqura nga regjimi xhonturk. Mirëpo shqiptarët, pikërisht ata të sanxhakut të Dibrës dhe të zonave malore të Kosovës, që në atë kohë kishin ngritur krye kundër qeverisë xhonturke, duke kundërshtuar qëndrimet nacionaliste të xhonturqve, kërkonin të siguronin të drejtat e tyre kombëtare duke u mbështetur në kushtetutën, e jo të restauronin regjimin e vjetër absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, prandaj nuk e përkrahën kundërrevolucionin. Ithtarët e sulltan Abdyl Hamitit në këto treva mundën të bënin për vete vetëm një pjesë të oficerëve të ushtrisë turke, por jo popullsinë shqiptare të këtyre zonave. Këtë kthesë nuk e përkrahu as grupi i deputetëve shqiptarë që bashkëpunonte në parlament me partinë “Ahrar”, duke përfshirë këtu edhe Ismail Qemalin.
Më 13 prill 1909 ngriti krye garnizoni i Stambollit që rrëzoi qeverinë dhe detyroi Komitetin “Bashkim e Përparim” të largohej nga Stambolli. Në kryeqytet e rreth tij ndodheshin atëherë 25 000 ushtarë. Pushteti kaloi në duart e forcave reaksionare gjysmëfeudale e klerikale, të kryesuara nga Shejhylislami dhe të lidhura me regjimin absolutist të sulltan Abdyl Hamitit. Por kundërrevolucioni i prillit i vitit 1909 nuk gjeti përkrahje as në Turqi, as edhe në kombësitë e shtypura. Edhe Ismail Qemali, që u gjend atëherë në Stamboll, ndonëse i përkiste partisë “Ahrar”, e dënoi si të dëmshme kthesën reaksionare të prillit. Megjithëse nuk e kundërshtoi postin e kryetarit të Senatit, që parlamenti i mbetur turk i ofroi atëherë, ai nuk pranoi të bashkëpunonte me sulltanin dhe nuk mori pjesë si ministër në qeverinë që u formua në ato ditë. Lajmet që qarkullonin në atë kohë për pjesëmarrjen e Ismail Qemalit në këto ngjarje, për shkak të të cilave ai u detyrua të largohej nga Turqia, ishin të rreme, të trilluara nga armiqtë e tij e sidomos nga sulltan Abdyl Hamiti, ato kishin për qëllim ta zhduknin atë. Komisioni i posaçëm i parlamenti turk, i formuar pas shtypjes së kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909, e shpalli Ismail Qemalin të pafajshëm.
Shqiptarët, me gjithë armiqësinë e tyre ndaj regjimit xhonturk, iu përgjigjën pozitivisht thirrjes që Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, me seli në Selanik, u drejtoi gjithë klubeve. Edhe popullsia e krahinave veriore, që kishte filluar t’u kundërvihej xhonturqve, nuk u bashkua me kundërrevolucionin e prillit siç shpresonin përkrahësit e sulltan Abdyl Hamitit. Sikurse vinte në dukje konsulli francez në Manastir në relacionin që i dërgonte qeverisë së tij më 18 maj 1909, “shqiptarët dhe ushtarët “reaksionarë” (siç i quanin xhonturqit - shën. i aut.) në pragun e këtyre ngjarjeve u bënë menjëherë luftëtarë të zjarrtë të kushtetutës”. Drejtuesit e klubeve shqiptare u vunë tërësisht në mbrojtje të rendit kushtetues dhe dërguan në Armatën III të Maqedonisë, që u ngarkua për të shtypur kundërrevolucionin, reparte vullnetare shqiptare, të ngritura në vilajetet e Manastirit dhe të Kosovës. Për hir të veprimeve të klubit shqiptar të Shkupit, të drejtuar nga Bajram Curri e atdhetarë të tjerë, dështuan përpjekjet e myftiut të Prishtinës, të dërguar me porosi nga Stambolli në kryeqendrën e vilajetit për të tërhequr shqiptarët e Kosovës në kthesën kundërrevolucionare. Më 17 prill klubi i Shkupit i bëri thirrje popullsisë shqiptare të përkrahte regjimin kushtetues, të hynte në repartet ushtarake vullnetare për të marshuar drejt Stambollit dhe për të shtypur forcat kundërrevolucionare. Në mbrojtje të kushtetutës u vunë edhe maqedonët.
Shqiptarët, të inkuadruar në forcat e Armatës III, morën pjesë në luftimet e Çatallxhasë, që zgjatën tri ditë dhe që çelën rrugën për veprime të mëtejshme kundër forcave të reaksionit hamitian. Në këto rrethana revolta u kufizua vetëm në Stamboll dhe dy javë pas shpërthimit të saj u shtyp nga Armata III e Maqedonisë, e cila, e komanduar nga Mahmut Shefqet pasha, hyri më 29 prill në kryeqytet dhe rivendosi pushtetin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Sulltan Abdyl Hamiti II u rrëzua nga froni dhe vendin e tij e zuri sulltan Mehmet Reshati V, që ishte një kukull në duart e xhonturqve dhe të Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”. Kryeministër u caktua Hysen Hilmi pasha.
Ismail Qemali, që në ato ditë të majit të vitit 1909 ndodhej në Athinë, përkrahu menjëherë qeverinë e re dhe i bëri thirrje edhe partisë “Ahrar” ta mbështeste atë. Pas kthimit në Stamboll, duke pasur ndihmën e shqiptarëve dhe të arabëve, që bënin pjesë në partinë “Ahrar”, Ismail Qemali u zgjodh kryetar i saj.
Shkolla e shkrimi shqip pas Kongresit të Manastirit dhe dhuna xhonturke (dhjetor 1908 - gusht 1909)
Të mbështetur në vendimet e Kongresit të Manastirit, atdhetarët shqiptarë hapën shkolla të reja shqipe dhe i shtuan përpjekjet për të përhapur shkrimin shqip në të katër anët e vendit. Në janar të vitit 1909 klubi i Elbasanit mblodhi të holla të mjaftueshme për të mbajtur me mjetet e tij 4 shkolla shqipe, një në qytet me 100 nxënës dhe tri në fshatra me nga 60 nxënës secila. Klubi kishte caktuar gjithashtu 3 mësues shëtitës në krahinën e Shpatit, të cilët u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve e banorëve të rritur të 10 fshatrave. Përveç këtyre, që nga fundi i vitit 1908 në Shpat funksiononin 4 shkolla shqipe, ku mësonin fëmijët e 19 fshatrave.
Në janar-shkurt të vitit 1909 u ngrit një shkollë shqipe në Glinë të Leskovikut, një në Pogradec, dy shkolla shqipe në katundet Kakos e Selenicë të Frashërit (në të cilat mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth), një shkollë shqipe në katundin Cakran të Fierit dhe një tjetër në Negovan. Në shkurt të vitit 1909 filloi të funksiononte shkolla shqipe e Kumanovës, që u hap nga klubi shqiptar i këtij qyteti. Në fillim të vitit 1909, pas një lufte të ashpër me oficerët xhonturq, u arrit të çelen shkolla shqipe në qytetin e Ohrit. Në mars të vitit 1909 në Korçë, përveç dy shkollave të hapura menjëherë pas shpalljes së kushtetutës, u çel edhe një shkollë tjetër e pavarur për djem, kurse në verën e atij viti u çel një shkollë shqipe në fshatin Libohovë.
Me përpjekjet e klubeve vijoi të futet mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke dhe të huaja. Në dhjetor të vitit 1908 mësimi i gjuhës shqipe ishte futur si lëndë e detyrueshme në të katër shkollat fillore turke të Elbasanit, në atë gjysmë të mesme (qytetëse), si edhe në shkollën e komunitetit ortodoks. Pranë kësaj shkolle ishte ngritur edhe një kurs nate për mësimin e shqipes, që ndiqej nga 60 djem. Pas kësaj qeveria greke i preu kësaj shkolle subvencionimin.
Në fillim të vitit 1909 klubet shqiptare arritën të fusnin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat fillore turke të Gjirokastrës, të Frashërit, të Përmetit, të Tepelenës, të Beratit, të Peqinit, të disa fshatrave të Mallakastrës etj., ndërsa klubi i Vlorës e shndërroi shkollën fillore turke të këtij qyteti në shkollë shqipe. Mësimi i shqipes u fut gjithashtu në shkollat turke të fshatrave Qesarakë, Novoselë e Selenicë e Kolonjës dhe në shkollën greke të Fierit.
Në pranverën e vitit 1909, falë përpjekjeve të klubeve e të mësuesve atdhetarë, gjuha shqipe mësohej edhe në shkollat qytetëse (ruzhdie) turke të Vlorës, të Përmetit, të Mitrovicës, të Beratit si dhe në disa gjimnaze (idadie) të vendit, si në atë të Manastirit, të Gjirokastrës, të Beratit, të Korçës, të Janinës, të Durrësit, të Shkupit etj.
Në mjaft qytete të Shqipërisë u kërkua që gjuha shqipe të përdorej edhe në gjykata e në predikimet fetare të kishës ortodokse. Në fundin e shkurtit të vitit 1909 klubi i Korçës, së bashku me përfaqësuesit e popullsisë ortodokse të këtij qyteti, vendosi që predikimi në kishat ortodokse të bëhej në gjuhën shqipe. Ky vendim iu njoftua edhe peshkopit të Korçës, Patrikanës së Stambollit dhe valiut të Manastirit. Ndërkaq, atdhetarët korçarë, me nismën e tyre, filluan të futnin gradualisht gjuhën shqipe në kishat e qytetit. Në kishën e Negovanit predikimi filloi të bëhej gjithashtu në shqip.
Edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e myslimane të Kurbinit, në mbledhjen që mbajtën në gusht të vitit 1909, kërkuan nga qeveria turke që të hapte shkolla fillore shqipe në fshatrat e kësaj krahine.
Klubi i Elbasanit, për të shmangur pengesat që xhonturqit u nxirrnin shkollave shqipe, u propozoi më 31 dhjetor gjithë klubeve shqiptare që t’i përcillnin parlamentit turk e deputetëve shqiptarë kërkesën për njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, plotësimi i së cilës do t’u siguronte shqiptarëve të drejtat kombëtare në lëmin e kulturës dhe të arsimit. Por kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria turke.
Shkolla shqipe qysh në periudhën e parë pas revolucionit u ndesh me përpjekjet e xhonturqve për të penguar përhapjen e saj. Prandaj edhe përkrahja që shqiptarët u dhanë xhonturqve për shtypjen e kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909, ishte akti i fundit i bashkëpunimit me ta. Pasi forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit kaluan në përdorimin e masave shtypëse ndaj lëvizjes kulturore të popujve të shtypur në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.
Lëvizja për arsimin e kulturën kombëtare shqiptare u gjend shumë shpejt përballë goditjeve të Komitetit “Bashkim e Përparim”, i cili, meqë paraqitej si mbrojtës i kushtetutës, vepronte më shpesh në mënyrë të fshehtë sesa të hapur. Një nga mjetet kryesore që xhonturqit përdorën për të ndaluar këtë lëvizje, për t’i përçarë shqiptarët sipas dasisë fetare dhe për të penguar ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ishte propaganda e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin arab, që filloi menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Në shërbim të kësaj propagande u vunë disa nga klerikët konservatorë myslimanë dhe elementë të tjerë fanatikë e turkomanë, të cilët, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare të popullsisë myslimane shqiptare, u përpoqën të formonin tek ajo bindjen se shkronjat latine janë të të pafeve (të kaurëve), se binin ndesh me fenë islame dhe se shqipja mund të shkruhej vetëm me alfabetin turko-arab, që ishte i shenjtë, sepse me të ishte shkruar Kurani. Në fillim të vitit 1909 u formua në Stamboll “Shoqëria për mësimin dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat turqishte”, e përbërë kryesisht nga ulematë (klerikët e lartë) myslimanë, që shpërndante thirrje dhe abetare shqipe me alfabetin arab. Një abetare e tillë u përhap në viset e ndryshme të Shqipërisë në muajin janar të atij viti.
Kjo fushatë u shoqërua me orvatjet, që xhonturqit bënë për të provokuar mitingje të elementëve fanatikë e turkomanë kundër përdorimit të alfabetit latin, siç ndodhi në fillim të shkurtit në Manastir, në Dibër, në Follorinë e në Përlepë. Konsulli francez në Manastir, Pisho (Pichon), në informacionin e tij (të 16 shkurtit 1909), shkruante se “në këto tubime, të provokuara në mënyrë të fshehtë nga vetë autoritetet turke, nuk arritën të grumbullohen veçse hoxhallarët dhe turqit fanatikë, ndërsa shqiptarët, thuajse në mënyrë të përgjithshme nuk pranuan të duken atje”. Jo rastësisht këto mitingje u mbajtën në xhami. Po kështu, ulematë dhe disa nga hoxhallarët e Shkodrës, të nxitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim” i këtij qyteti, duke përfituar nga fanatizmi i pjesës myslimane të popullsisë, zhvilluan në pranverën e vitit 1909 një agjitacion të fuqishëm për përdorimin e alfabetit arab në shkrimin e shqipes.
Ministria e Arsimit e Turqisë që në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit. Po kështu vepruan autoritetet turke dhe komitetet xhonturke në qytetet e tjera të vendit, në Janinë, në Filat etj. Atdhetarët shqiptarë të këtyre trevave u vunë para një trysnie të dyfishtë, të shovinistëve grekë dhe të xhonturqve, që vepronin të bashkuar në luftën kundër shkollës dhe kundër shkrimit shqip. Në të njëjtën kohë komitetet xhonturke përkrahnin në ato ditë propagandën asimiluese panhelenike që disa profesorë grekë dhe Shoqëria “Etniki Heteria” (“Shoqëria Kombëtare”) zhvillonin në atë kohë në viset shqiptare të vilajetit të Janinës.
Për të fshehur veprimtarinë e tij armiqësore kundër kulturës shqiptare, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” në mars të vitit 1909 u kumtoi klubeve shqiptare se “do të qëndronte asnjanës dhe nuk do të ndërhynte në çështjen e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe”.
Klubet e quajtën këtë deklaratë një përpjekje të re për të mashtruar shqiptarët dhe morën masa për të mbrojtur liritë kushtetuese e për t’i bërë ballë reaksionit xhonturk. Në protestën që klubi “Bashkimi” i Manastirit i dërgoi Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim” në javën e fundit të marsit, i shkruante se, duke luftuar alfabetin shqip ky komitet bie ndesh me kushtetutën turke, e cila ua garanton gjithë popujve të Perandorisë të drejtën e mësimit dhe të shkrimit të gjuhës amtare. Në letërkëmbimin e tij të marsit të vitit 1909 me klubet e Filatit, të Korçës etj., klubi “Bashkimi” i Manastirit i quante këto veprime të xhonturqve dhe të turkomanëve shqiptarë për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab, si veprime armiqësore kundër kombit shqiptar. Ai udhëzonte në ato ditë klubet e tjera kombëtare që “kundër këtyre tradhtarëve të mos vepronin vetëm me penë, por edhe me armë”.
Komiteti “Bashkim e Përparim” u orvat të zhdukte klubet shqiptare dhe atdhetarët më të njohur, që drejtonin luftën kundër reaksionit xhonturk. Në maj të vitit 1909 xhonturqit, pasi arrestuan disa nga veprimtarët e klubit “Labëria” të Vlorës dhe i detyruan të tjerët të arratiseshin jashtë Shqipërisë, e likuiduan këtë klub, që ishte një nga më të rëndësishmit në Shqipërinë e Jugut. Po në atë kohë mbyllën edhe klubin e Ohrit, kryesia e të cilit u çua e lidhur me pranga në Manastir e pastaj në Stamboll.
Në fundin e majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, që u akuzuan për propagandë reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, një nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në këtë trevë, që kishte kaluar vite të tëra në burgjet e sulltan Abdyl Hamitit, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, intelektual dhe përkrahës i shkollës shqipe. Klubet shqiptare protestuan kundër këtij veprimi të dhunshëm, derisa i detyruan xhonturqit t’i shpallnin të pafajshëm dhe t’i lironin këta atdhetarë.
Ditë të vështira kaloi në verën e vitit 1909 lëvizja kulturore kombëtare në Tiranë. Më 23 korrik, në përvjetorin e shpalljes së kushtetutës, u zhvillua në Tiranë ceremonia e hapjes së klubit të këtij qyteti. Ishte paraparë gjithashtu që më 24 të këtij muaji të çelej një shkollë shqipe e mbrëmjes për të rriturit dhe të fillonte në mënyrë të organizuar mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore turke të Tiranës. Por pikërisht në këtë ditë, me nxitjen e komiteteve xhonturke dhe të klubeve të oficerëve të lidhur me ta, nxënësit sulmuan e goditën në të gjitha shkollat mësuesit atdhetarë, sapo këta u njoftuan se nga ai çast do të fillonin mësimin e gjuhës shqipe. Më 27 korrik, po me shtytjen e klubeve të oficerëve, hynë në Tiranë më shumë se 200 fshatarë të armatosur, që demonstruan në rrugët e qytetit dhe para klubit të oficerëve, duke kërkuar mbylljen e klubit shqiptar dhe arrestimin e 64 anëtarëve të tij. Veprimtarë të tillë të lëvizjes kombëtare në Tiranë, si Refik Toptani e bashkëpunëtorët e tij, ose klerikët atdhetarë Hafiz Ibrahim Dalliu, Beqir Luga etj., u sulmuan drejtpërdrejt dhe u fyen publikisht. Me këto veprime të xhonturqve e të turmave fanatike të këtij rrethi u mbyll klubi kombëtar i Tiranës dhe dështoi orvatja e atdhetarëve tiranas për të futur gjuhën shqipe në shkollat e këtij qyteti. E njëjta gjendje u krijua edhe në Durrës, në kryeqendrën e prefekturës, ku atdhetarët shqiptarë nuk guxonin të hapnin klube e shkolla shqipe, si edhe në nënprefekturën e Kavajës, ku përpjekjet për hapjen e shkollës shqipe e të mësimit shqip ndeshën në kundërshtimin e reaksionit xhonturk dhe të klerikëve fanatikë myslimanë.
Aktet e dhunshme të xhonturqve, sidomos ngjarjet e Tiranës, e bënë gazetën “Dielli” të shkruante në atë kohë se “sot punërat në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit. Sot gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” (“Çështja e Tiranës”, 16 shtator 1909). Ishin këto veprime arbitrare të administratës osmane, që i bënë konsujt e huaj, bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, të arrinin në përfundimin se turqit e rinj “po mbajnë qëndrim armiqësor ndaj nacionalizmit shqiptar”, se “duke zbatuar traditat hamitiane dhe në kundërshtim me premtimet e tyre solemne, ata po persekutojnë çdo shfaqje të ndjenjave kombëtare shqiptare”, se në Turqi po shkohej drejt një diktature ushtarake dhe se kishte rrezik që kushtetuta të kthehej në një iluzion.
Politika turqizuese kundër shkollave e shkrimit shqip dhe konflikti i armatosur me shqiptarët, i nxitur nga administrata ushtarake osmane, zbuloi para popullit shqiptar thelbin reaksionar të regjimit xhonturk.


Ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe Kryengritja shqiptare e vitit 1909 (maj-tetor 1909)


Me rivendosjen e pushtetit të tij në kryeqytet dhe në provinca Komiteti “Bashkim e Përparim”, megjithëse edhe këtë herë fitoren mbi forcat e kundërrevolucionit hamitian të prillit 1909, ia detyronte në një masë të madhe mbështetjes që i dhanë shqiptarët, e vazhdoi më me ngulm e në mënyrë të dhunshme politikën e vet nacionaliste, për të forcuar Perandorinë “një e të pandashme” Osmane, duke i mohuar popullit shqiptar dhe popujve të tjerë joturq çdo të drejtë kombëtare.
Krahas goditjeve kundër lëvizjes arsimore e kulturore shqiptare, në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e xhonturqve ndikuan fuqishëm edhe ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi, të ndërmarra kryekëput me nismën e qeverisë së Stambollit.
Popullsia e Kosovës, edhe pse nuk kishte pranuar të paguante taksat (përfshirë edhe ato të prapambetura), të njihte shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe të dorëzonte armët, nuk pati ndërmarrë ndonjë qëndresë të armatosur kundër pushtetit xhonturk. Megjithatë, Komiteti “Bashkim e Përparim”, duke synuar t’i nënshtronte shqiptarët e Kosovës, t’i çarmatoste për t’i bërë të paaftë për të kundërshtuar, t’i detyronte të paguanin taksat e prapambetura dhe t’i rekrutonte me forcë në ushtrinë osmane, ndërmori ekspedita ndëshkimore të njëpasnjëshme, të komanduara nga Xhavit Pasha, që vazhduan nga pranvera e deri në muajin tetor të vitit 1909.
Për të mënjanuar çdo reagim të opinionit publik evropian dhe të Fuqive të Mëdha kundër dhunës mbi shqiptarët, qeveria turke deklaroi se ekspeditat ushtarake kishin për qëllim të qetësonin elementët “reaksionarë”, përkrahësit e sulltan Abdyl Hamitit dhe “kundërshtarët” e kushtetutës, edhe pse dihej se shqiptarët, duke përfshirë edhe ata të Kosovës, kishin luftuar kundër absolutizmit për vendosjen e regjimit kushtetues dhe për mbrojtjen e tij.
Në fillim të majit të vitit 1909 qeveria xhonturke nisi nga Shkupi drejt Gjakovës një ekspeditë të re ndëshkimore, të drejtuar nga Xhavit Pasha, komandant i Divizionit të 18 të Mitrovicës. Në krye të 10 batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha hyri më 16 maj në Pejë. Pasi la këtu tri batalione “për të mbajtur rregullin”, Xhavit Pasha u hodh në Gjakovë, ku kërkoi nga popullsia e qytetit të dorëzonte armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë, të vileshin taksa të dyfishta për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave. Meqë krerët e Malësisë së Gjakovës që ishin thirrur në qytet, i kundërshtuan këto kërkesa, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione këmbësorie dhe me dy bateri artilerie drejt Malësisë së Gjakovës.
Persekutimi i popullsisë dhe shkatërrimi i fshatrave (Ponoshec etj.) shkaktoi zemërimin e malësorëve, të cilët me forca të bashkuara sulmuan më 12 qershor ushtrinë e Xhavit Pashës në Qafën e Morinës. I goditur nga të katër anët nga kryengritësit, gjenerali turk u gjend në këtë zonë malore në një pozitë të vështirë, u thye keq dhe u detyrua të tërhiqej në Gjakovë.
Për të parandaluar vazhdimin e ekspeditës ushtarake në Shqipëri, deputetët shqiptarë Hasan Prishtina e Fuat Pasha, në fillim të qershorit, paraqitën një interpelancë në parlament, me të cilën kërkuan nga ministri i Brendshëm shpjegime rreth ngjarjeve në Kosovë. Por qeveria turke nuk hoqi dorë nga përdorimi i dhunës për nënshtrimin e shqiptarëve.
Pasi i erdhën përforcime të reja, Xhavit Pasha, në fundin e qershorit të vitit 1909, rifilloi ekspeditën, këtë herë kundër popullsisë së Pejës dhe të Rugovës. Gjatë kësaj fushate të egër ushtritë turke shkatërruan dhe kthyen në gërmadha fshatrat në të dyja anët e Grykës së Rugovës, vranë pleq e fëmijë dhe çnderuan vajza e gra.
Po ato ditë lëvizja u shtri edhe në trevën juglindore të Kosovës. Me nxitjen e krerëve të Malësisë së Gjakovës, të Pejës, të Ferizajt, të Prizrenit dhe të Lumës u mblodhën në Ferizaj rreth 3 000 veta, që kërkuan nga qeveria turke të kthente në detyrat e tyre gjithë nëpunësit shqiptarë të dëbuar si atdhetarë, të emëroheshin në administratën shtetërore vetëm nëpunës shqiptarë, të mos paguhej asnjë lloj takse e re, të ndërpritej çarmatimi i popullsisë së Lumës dhe t’u lejohej shqiptarëve të mbanin armë. Për të shtypur lëvizjen në Ferizaj xhonturqit dërguan forca ushtarake, me të cilat mundën të krijonin vetëm një qetësi të përkohshme.
Në fillim të korrikut Xhavit Pasha u kthye si “fitimtar” në Mitrovicë së bashku me ushtrinë e tij. Por ngjarjet e mëvonshme treguan se, me gjithë raprezaljet që bëri, pashai turk nuk arriti t’i nënshtronte shqiptarët. Kthimi i armëve, regjistrimi i popullsisë dhe mbledhja e taksave u ndërprenë sapo u largua ushtria. Ndërkaq, shqiptarët rindërtuan shumë shpejt kullat e shkatërruara.
Në gjysmën e parë të korrikut të vitit 1909, kur në Shqipërinë e Veriut vijonte ende qëndresa e armatosur kundër ekspeditave të Xhavit Pashës, Ismail Qemali, atë kohë i arratisur në Itali, publikoi thirrjen drejtuar “Vëllezërve shqiptarë!”, e cila, e botuar në formë manifesti në mijëra kopje, u shpërnda në të gjitha anët e Shqipërisë?. Shqiptarët, vinte në dukje Ismail Qemali në këtë thirrje, kanë 100 vjet që po luftojnë për të drejtat njerëzore dhe për lirinë, megjithatë sot rrezikohen të humbasin si komb. Duke njohur thelbin nacionalist të regjimit xhoturk, Ismail Qemali përpiqej të bindte shqiptarët të mos i mbështesnin shpresat te Komiteti “Bashkim e Përparim”. Pas shpalljes së lirisë (kushtetutës), theksonte ai, shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër shpresuan se do të kishin mundësi të punonin për përparimin e gjuhës së tyre, por u gënjyen. Si dëshmi për këtë përmendeshin dhunimet në Shqipërinë e Poshtme, vrasjet që po bënte Xhavit Pasha në Shqipërinë e Sipërme, si edhe përçarjet që xhonturqit po mbillnin midis shqiptarëve.
Ismail Qemali arrinte në përfundimin se rruga e vetme, për shpëtimin e kombit shqiptar nga lakmitë e të huajve, do të ishte lufta për autonominë e Shqipërisë. “Shpresa e jonë, jeta e jonë, - shkruante ai, - lipset të jetë: Vetëurdhrimi i Shqipërisë, nën hijen e Perandorisë Osmane”. Ai parashtroi në këtë dokument programin e vet politik për zgjidhjen e çështjes shqiptare, të cilën e shihte në themelimin e një shteti autonom shqiptar. Për këtë duhej të bashkoheshin të gjitha viset ku flitej gjuha shqipe, të banuara nga popullsia shqiptare, në një vilajet të vetëm, i cili do të mbante emrin Shqipëri, “Vilajeti Shqiptar” (“Arnautlluk Vilajeti”) dhe do të kishte si kryeqytet Ohrin ose Elbasanin. Në kufijtë e Shqipërisë autonome do të përfshiheshin nga vilajeti i Janinës sanxhakët e qendrës (i Janinës), të Prevezës, të Gjirokastrës dhe të Beratit; nga vilajeti i Shkodrës sanxhaku i Shkodrës me Malësinë dhe sanxhaku i Durrësit; nga vilajeti i Manastirit sanxhaku i qendrës (i Manastirit), kazaja e Grebenesë nga sanxhaku i Selfixhesë, sanxhakët Dibrës, të Korçës dhe të Elbasanit; nga vilajeti i Kosovës sanxhakët e Shkupit, të Prishtinës, të Pejës dhe të Prizrenit.
Shqipëria autonome do të qeverisej nga një guvernator i dërguar nga Stambolli, pranë të cilit do të vepronte, po si organ ekzekutiv, Këshilli i Pleqve. Mësimi në të gjitha shkollat do të zhvillohej në gjuhën shqipe. Shqipja do të përdorej, bashkë me turqishten, edhe në shkollat e larta. Gjithë nëpunësit civilë e ushtarakë do të ishin shqiptarë nga kombësia. Ushtria, që do të përbëhej nga shqiptarët, do të shërbente brenda kufijve të Shqipërisë. Ashtu si Sami Frashëri, edhe Ismail Qemali mendonte që organizimi shtetëror i Shqipërisë autonome të ishte i tillë që, kur Perandoria Osmane të shthurej, Shqipëria të qëndronte në këmbë dhe të dilte prej saj si shtet i pavarur.
Ismail Qemali parashtroi në këtë thirrje programin më të plotë dhe më të përshtatshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare, rreth të cilit shpresonte të bashkonte jo vetëm krahun radikal të lëvizjes politiko-kulturore, forcat atdhetare që drejtonin klubet dhe shoqëritë shqiptare, por edhe kryengritësit e Kosovës e të Veriut të Shqipërisë, të cilët luftonin kundër ekspeditave ushtarake të Xhavit Pashës dhe kundër qeverisë xhonturke që i kishte organizuar ato.
Ndërkaq vijoi në Kosovë qëndresa kundërosmane, vatër e së cilës u bë Ferizaj me rrethinat e tij. Lëvizja kryengritëse në Ferizaj ishte e lidhur me veprimtarinë e një komiteti të fshehtë, që filloi të vepronte në këtë rreth në verën e vitit 1909. Me nismën e tij, më 20-22 gusht u mbajt në Ferizaj një manifestim i gjerë i shqiptarëve të armatosur, ku, përveç popullsisë së këtij qyteti dhe të rrethinave të tij, morën pjesë edhe banorë të rretheve të Gjilanit e të Prishtinës, që protestuan kundër taksave të reja, që vuri në atë kohë qeveria xhonturke. Më 22 gusht numri i demonstruesve u shtua duke arritur në 3 000 veta. Po në këtë ditë, forcat ushtarake osmane, të dërguara nga Shkupi e Selaniku, goditën shqiptarët e tubuar në Ferizaj dhe vranë 12 prej tyre e plagosën disa të tjerë. Konflikte të armatosura ndërmjet shqiptarëve e ushtrisë pati edhe në rrugën Ferizaj-Gjilan.
Në ditët e fundit të gushtit lëvizja u përhap në rrethin e Pejës, midis Gucisë e Beranës. Për të ndëshkuar popullsinë e kësaj ane u dërguan ato ditë nga Peja, Shkupi, Prizreni e Selaniku forca të tjera ushtarake, që goditën kryengritësit në hapësirën midis Gucisë e Beranës. Në të njëjtën kohë vijuan përpjekjet edhe me kryengritësit e Rugovës.
Në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit lëvizja përfshiu Lumën e Podrimën, në sanxhakun e Prizrenit. Lumjanët, ashtu si shumica e popullsisë së sanxhakut të Prizrenit, patën luftuar për shpalljen e kushtetutës turke, në korrik të vitit 1908. Qëndresa e tyre e armatosur nuk drejtohej kundër kushtetutës, por kundër politikës së xhonturqve, të cilët shkelën premtimet që u kishin bërë shqiptarëve gjatë revolucionit për të kufizuar taksat, për t’u dhënë të drejtat kombëtare, madje edhe autonominë, dhe kërkonin t’u hiqnin banorëve të këtyre krahinave edhe ato privilegje që i gëzonin prej shekujsh sipas venomeve të tyre, të njohura edhe nga sulltanët osmanë.
Më 3 e 4 shtator rreth 700-800 kryengritës lumjanë, të udhëhequr nga Ramadan Zaskoku, u përgatitën të hynin në Prizren për t’i paraqitur mytesarifit kërkesat e tyre. Megjithatë, për të shmangur konfliktin e armatosur me garnizonin e Prizrenit, që u përgatit të rezistonte, kryengritësit pranuan të shpërndaheshin dhe të dërgonin në Prizren një komision prej 20-30 vetash, i cili do të paraqiste kërkesat e tyre paqësore, që duhej t’u përcilleshin edhe deputetëve shqiptarë të parlamentit.
Por Stambolli ndërmori një fushatë të re ushtarake kundër shqiptarëve. Më 6 shtator 1909 Xhavit Pasha, në krye të 8 batalioneve të këmbësorisë dhe 2 baterive të artilerisë malore, u nis nga Mitrovica për në Prizren. Gjatë rrugës nga Ferizaj për në Prizren ushtria turke sulmoi e shkatërroi krejtësisht katundin Duhl dhe rrënoi gjithashtu 60 shtëpi të katundit Bllacë. Nga Prizreni Xhavit Pasha, në krye të 5 batalioneve, u hodh në Lumë, ku dogji e shkatërroi fshatra të tëra, duke i lënë lumjanët pa shtëpi e katandi. Për t’u shpëtuar masakrave popullsia e Lumës u tërhoq në Has e në zona të tjera malore, përtej Drinit të Bardhë.
Por, i goditur nga kryengritësit lumjanë në perëndim të Prizrenit, Xhavit Pasha, pasi shkatërroi me topa Bllacën e fshatrat e tjera të Lumës, u tërhoq përsëri në Prizren, ku tashmë qenë përqendruar rreth 3 500 ushtarë, me dy bateri malore.
Për të dalë nga gjendja e vështirë, pashai turk dërgoi në Lumë nga Shkupi deputetin shqiptar Nexhip bej Draga, një nga drejtuesit e klubit të atij qyteti, i njohur për ndjenjat atdhetare. Nexhip Draga, ashtu si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, e quante të parakohshme qëndresën e armatosur kundër regjimit xhonturk, prandaj hyri në bisedime me lumjanët dhe i bindi të mos u kundërshtonin ushtrive të Xhavit Pashës. Më 11 shtator Xhavit Pasha, në krye të 5 batalioneve dhe të një baterie malore, u dynd në Lumë. Lumjanët nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre, megjithatë ruajtën për një kohë qetësinë. Ushtria e tij zuri katundin Bicaj, qendrën e kajmekamllëkut të Lumës, ku filloi të çarmatoste banorët. Më 15 shtator, kur u drejtua për në Kolesian, u sulmua gjatë rrugës nga kryengritësit, që vranë e plagosën disa ushtarë dhe e detyruan atë të kthehej përsëri në Bicaj, ku bëri raprezalje të mëdha. Sipas informatave të Xhavit Pashës, kryengritësit lanë në këtë përpjekje 100 të vrarë, ndërsa Bicaj u shkatërrua nga goditjet e artilerisë, që rrafshoi me tokën 37 kulla.
Më 16 shtator, kur ushtria osmane vazhdoi ekspeditën drejt jugut të Bicajt, u godit në pyjet e Kolesianit nga kryengritësit, që pas një përleshjeje të shkurtër u tërhoqën në zonën malore. Edhe këtu Xhavit Pasha shkatërroi krejtësisht fshatin Kolesian, duke përfshirë edhe kullën e udhëheqësit të lumjanëve, Islam Spahiut, si edhe katundet përreth, Nangë, Bushat, Gabricë, Mamëz, Pobreg etj. Gjatë këtyre përleshjeve u plagos edhe drejtuesi tjetër i kryengritësve, Ramadan Zaskoku. Gjithë kryengritësit, që ishin arrestuar gjatë luftimeve dhe qenë mbyllur në kazermat e Bicajt, u pushkatuan pa gjyq, kurse njerëzit u varfëruan deri në atë shkallë sa, sikurse pohojnë pjesëmarrësit turq të kësaj ekspedite, “u mbeti vetëm shpirti, të cilin e jepnin pa dhimbje”.
Xhavit Pasha nuk arriti të depërtonte, siç kishte parashikuar, drejt Drinit, sepse më 19 shtator u sulmua përsëri në Kolesian nga kryengritësit, që këtë herë i shkaktuan humbje edhe më të rënda dhe e detyruan të tërhiqej në Prizren. Së bashku me ushtrinë populli dëboi edhe nëpunësit e administratës osmane dhe gjykatësit e kajmekamllëkut të Bicajt.
Sado që Xhavit Pasha, në relacionet që i çonte Stambollit, i zvogëlonte së tepërmi humbjet e tij, ai pati në luftimet me shqiptarët shumë të vrarë e të plagosur. Shtypi shqiptar, duke u mbështetur në dëshmitë e ushtarëve turq, pjesëmarrës të këtyre luftimeve, shkruante se vetëm në Lumë Xhavit Pasha la rreth 1 000 ushtarë të vrarë (“Dielli”, Boston, 24 shtator 1909: “Pa komplimente”). Vështirë është të përcaktohen dëmet në njerëz të kryengritësve, megjithatë, po të gjykohet nga relacionet konsullore të kohës dhe të dhënat e Xhavit Pashës, arrihet në përfundimin se kryengritësit kanë pasur rreth 300-500 të vrarë, midis të cilëve edhe 8-10 komandantë.
Në intervistën që i dha më 20 shtator 1909 gazetës “Le Progrès de Salonique” (“Përparimi i Selanikut”), Xhavit Pasha deklaroi se qëllimi i ekspeditës ishte “të likuidonte disa rebelë shqiptarë”, megjithatë e pati të vështirë të justifikonte me këtë persekutimet masive e barbare që bëri gjatë fushatës ushtarake në Lumë e në vise të tjera të Shqipërisë së Veriut. Këto, siç i relatonte qeverisë së tij konsulli italian në Shkup, u kryen “me metodat e lashta të barbarisë turke, që turqit nuk i kishin harruar”. Këtë egërsi të xhonturqve e shprehu edhe Xhavit Pasha, kur u deklaroi gazetarëve anglezë, francezë etj., se “nuk do të prehej para se t’ua shtypte kokën shqiptarëve”.
Megjithëkëto mizori, Xhavit Pasha nuk arriti të shtypte qëndresën e shqiptarëve dhe të përballonte goditjet e tyre, rrjedhimisht nuk u largua nga Luma si fitimtar. Personalitetet shtetërore të kohës arritën, atëherë, në përfundimin se ekspedita e tij pësoi disfatë.
Ngjarjet e shtatorit të vitit 1909 në Shqipërinë e Veriut vunë në lëvizje shqiptarët që vepronin në Stamboll e sidomos grupin e deputetëve. Në promemorjen, që doktor Ibrahim Temoja nga Struga dhe doktor Zenel Abedini nga Gjilani i drejtuan nga Stambolli ministrit të Brendshëm, Talat Beut, më 21 shtator 1909, dënohej dhuna ushtarake ndaj shqiptarëve të viseve të veriut si një veprim krejtësisht i paligjshëm dhe i paudhë. Me shqiptarët që ndihmuan për shpalljen e kushtetutës, theksonin autorët e saj, duhet vepruar me këshilla e me urtësi dhe jo siç po bën qeveria, me topa dhe me dyfekë, që nxisin edhe më shumë pakënaqësinë e popullsisë së Shqipërisë. Në këtë dokument thuhej se ishte qeveria ajo që i detyroi shqiptarët të rrëmbenin armët, se ata po mbrojnë të drejtat e tyre të ligjshme, po ashtu siç luftuan për kushtetutën dhe për lirinë e përgjithshme. “Në vend që të përdorni armët kundër tyre, - thuhej në promemorje, - përhapni arsimin dhe zhdukni injorancën”. Por ministri i Brendshëm, Talat Beu, nuk ua vuri veshin as protestave të atdhetarëve shqiptarë, as edhe propozimeve të tyre për të ndaluar gjakderdhjen.
Edhe shtypi patriotik shqiptar e quante qëndresën e shqiptarëve një mbrojtje të ligjshme, të provokuar nga dhuna ushtarake e xhonturqve. “U ranë më qafë pa ndonjë shkak të vërtetë, - shkruante gazeta “Korça” më 14 shtator 1909, - Xhavit Pasha, sikur ndiqte armiqtë, preu e po pret eshtrat e vëllezërve tanë dhe ka lënë shumë etër e nëna pa bij, shumë motra pa vëllezër, shumë gra pa burra dhe foshnja nëpër rrugë”.
Ekspeditat ndëshkimore ashpërsuan marrëdhëniet e xhonturqve me shqiptarët në tërësi. Valiu i Kosovës, Masar Beu, i shkruante ato ditë Portës së Lartë se ekspedita e Xhavit Pashës, në vend që ta qetësonte gjendjen në Lumë, e acaroi edhe më shumë, shkaktoi pakënaqësinë e përgjithshme të popullsisë së Kosovës.
Për këtë u bind edhe Stambolli, që urdhëroi Xhavit Pashën të merrej vesh me kryengritësit. Më 2 tetor ai pranoi propozimet e Mustafa Litës, njërit prej udhëheqësve të kryengritësve, që në emër të të gjthë popullsisë së Lumës i premtoi se shqiptarët e kësaj zone do t’u nënshtroheshin urdhrave të qeverisë, me kusht që ekspedita e tij ushtarake të tërhiqej nga Luma. Pas kësaj ndodhi tërheqja e Xhavit Pashës dhe e ushtrisë së tij nga Luma e Prizreni, që shkaktoi habinë e bashkëkohësve të huaj në Turqi e jashtë saj. Më 5 tetor Xhavit Pasha ishte kthyer tanimë në Mitrovicë.
Por, pa përfunduar ende ekspedita ushtarake në Lumë, shpërtheu kryengritja në Malësinë e Dibrës, ku, përveç popullsisë vendase, ishin mbledhur edhe shumë nga kryengritësit kosovarë. Këtu u mbajt një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta nga Malësia, Dibra e Poshtme, Mati e Mirdita, që vijoi dy ditë me radhë, më 14 e 15 shtator. Në tubim u kërkua që shqiptarët të luftonin për vetëqeverisjen e atdheut të tyre. Për të penguar shtrirjen e lëvizjes në gjithë sanxhakun e Dibrës, Porta e Lartë, përveç batalioneve që ndodheshin në qytetin e Dibrës, dërgoi më 27 shtator forca të tjera ushtarake nga Selaniku.
Megjithatë, lëvizja u shtri edhe në Dibrën e Poshtme, ku mori përmasa edhe më të mëdha. Shqiptarët braktisën fshatrat e zunë grykat malore për t’i bërë pritë ushtrisë osmane. Këtu u përqendruan, në dhjetëditshin e parë të tetorit, forcat kryesore ushtarake osmane. Komanda e ekspeditës kundër Dibrës së Poshtme iu besua Xhavit Beut, i cili më 26 tetor 1909, në krye të 300 ushtarëve të pajisur me topa, u fut midis fshatrave Dardhë e Rexhë, që njihej si zona ku kryengritësit zhvillonin tubimet e tyre, ndërsa një forcë tjetër ushtarake u dërgua në Mat dhe në rrethet e tij. Megjithatë, Xhavit Beu shumë shpejt u detyrua të tërhiqte ushtritë e tij nga Dibra e Poshtme dhe nga Malësia, pa arritur ta nënshtronte popullsinë e tyre.
Ekspeditat ushtarake e dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha mbi shqiptarët provuan se qëllimi i xhonturqve nuk ishte “të mbronin” rendin kushtetues, të kërcënuar gjoja nga “reaksionarët shqiptarë”, por të vendosnin një regjim të centralizuar të skajshëm në Perandorinë Osmane. Me këto masa Komiteti “Bashkim e Përparim” synonte të pengonte gjithashtu zgjerimin e lëvizjes kombëtare, kulturore dhe autonomiste në Shqipëri, pjesë e së cilës ishte edhe kryengritja që po zhvillohej atëherë në krahinat veriore të vendit.
Në memorandumin që kryengritësit e Gegërisë i dorëzuan qeverisë turke, në fundin e tetorit të vitit 1909, krahas amnistisë për pjesëmarrësit në kryengritje, parashtroheshin edhe kërkesa me karakter kombëtar, si futja e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe emërimi në Shqipëri i nëpunësve që e njihnin vendin. Shqiptarët e zonave malore u treguan gjithashtu të gatshëm të hiqnin dorë nga disa prej venomeve të tyre, por kërkuan që t’i jepej popullsisë së zonave të afërta me kufirin me Malin e Zi e drejta për mbajtjen e armëve, që të ndërtoheshin fortifikata në kufi dhe të ndryshonte mënyra e mbledhjes së taksave sipas gjendjes së vendit.
Kërkesa të njëjta me këto i parashtruan qeverisë turke edhe klubi shqiptar i Stambollit së bashku me klubet e tjera të Shqipërisë.
Dhuna ushtarake mbi shqiptarët u denoncua botërisht nga shqiptarët e Stambollit. Në fund të tetorit u formua një Komitet Nismëtar Kombëtar, i përbërë nga doktor Zenel Abedini, doktor Ibrahim Temoja dhe Mehmet pashë Dëralla (Tetova), i cili organizoi në Aksaraj të Stambollit dy tubime të rëndësishme, njërin më 27 tetor dhe një tjetër më 5 e 8 nëntor 1909. Si në mbledhjen e parë, ashtu edhe në të dytën morën pjesë dhjetëra veta, intelektualë të profesioneve të ndryshme dhe deputetë, që përfaqësonin të katër vilajetet shqiptare. Në mbledhjen e nëntorit u miratua një promemorje, në të cilën përshkruhej gjendja tragjike, që ishte krijuar në Shqipërinë e Veriut për shkak të operacioneve ushtarake të qeverisë. Vihej theksi në mënyrë të veçantë në ndihmesën e shqiptarëve për shpalljen e kushtetutës më 1908 dhe për mbrojtjen e saj gjatë ngjarjeve kundërrevolucionare të 13 prillit 1909. Ishin forcat ushtarake qeveritare, thuhej në promemorje, ato që përdorën të parat forcën, që ngjallën tmerr kudo ku shkelën dhe u bënë shkak për armiqësimin e popullsisë me qeverinë. Në këto rrethana, shqiptarët u detyruan të ngrenë flamurin e kryengritjes. Edhe për ngjarjet e Lumës bëhej fajtore qeveria që deshi t'i shtypte ato me ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës, që përdori armët dhe dogji fshatrat e Lumës e të Prizrenit. Edhe pse ushtria u tërhoq, ajo la pas zona të shkretuara dhe urrejtjen e popullit.
Me qëllim që në të ardhmen të mos ndodhnin ngjarje të tilla, atdhetarët shqiptarë të Stambollit i propozonin qeverisë të ndërmerrte këto masa: të dërgohej në Shqipërinë e Veriut një komision për të bërë hetimet në vend për shkaqet e ngjarjeve që u parashtruan më lart; të gjithë ata që kishin bërë veprime të këqija të dënoheshin sipas ligjeve; të ngriheshin organet e rregullta të drejtësisë; të emëroheshin në ato zona të Shqipërisë së Veriut nëpunës, që dinin gjuhën e vendit dhe që do të ndihmonin në përparimin e popullsisë; të ngriheshin fortifikime në kufirin me Malin e Zi për t'i mbrojtur ato vise nga sulmet e malazezëve; të mos shtrihej në vilajetet e Shkodrës, të Kosovës e të Manastirit shërbimi i detyrueshëm ushtarak, i cili nuk ka qenë njohur asnjëherë nga popullsia; të ndërtoheshin sa më parë rrugët, ku të gjenin punë banorët e varfër të atyre viseve, të cilët detyroheshin të shkonin në emigracion në Serbi, në Bullgari e në Hungari; të hapeshin shkolla fillore në fshatra e në ato qytete ku nuk kishte të tilla.
Promemorja iu dorëzua më 13 nëntor 1909 ministrit të Brendshëm, Talat Beut, për t’ia përcjellë qeverisë. Ajo u nënshkrua gjithashtu nga deputetët shqiptarë të parlamentit, të cilët kërkuan që Xhavit Pasha të largohej nga Rumelia dhe të hidhej në gjyq si shkaktar i trazirave në Gegëri.
Mbledhjet, që u organizuan nga atdhetarët shqiptarë e nga grupi i deputetëve, patën jehonë në Stamboll dhe në opinionin publik në përgjithësi; ato treguan, siç shkruante gazeta “Lirija” e Selanikut më 12 dhjetor 1909, se “shqiptarët qenkan të zotë dhe kur duan mund të mblidhen e të kuvendojnë për të mirën e kombit”.
Dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha dhe nga ushtria osmane mbi shqiptarët e thelloi edhe më shumë hendekun midis popullit shqiptar e xhonturqve, forcoi te shqiptarët bindjen se interesat e tyre si komb ishin krejt të veçantë nga ata të xhonturqve. Në një korrespondencë të dërguar nga Shkupi dhe të botuar në gazetën “Dielli” më 26 nëntor 1909, thuhej se “kombëtaria pati prej sjelljeve të turqve një fitim të madh”, se “pas ngjarjeve të Lumës filloi të gjallërohet edhe më tepër lëvizja kombëtare në Kosovë, u përhapën aq shumë idetë dhe dëshirat për vetëqeverimin e Shqipërisë, sa nuk ishte menduar kurrë e që as me një propagandë 20-vjeçare nuk do të kishim mundur t’i arrinim”.


Kongresi i Dibrës (23-29 korrik 1909)


Ngjarjet në Shqipëri e vunë qeverinë xhonturke në një pozitë të vështirë, nga e cila ajo u përpoq të dilte duke thirrur një kongres në Dibër më 23 korrik 1909, ditën e përvjetorit të shpalljes së kushtetutës.
Kongresi u organizua me nismën e Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”, i cili për të krijuar përshtypjen se ky tubim ishte thirrur nga shqiptarët, ia ngarkoi shpërndarjen e ftesave një komisioni kushtetues vendas, të formuar posaçërisht për këtë qëllim në Dibër. Ndërkaq xhonturqit nuk hoqën dorë nga synimi për t’i dhënë këtij Kongresi një karakter të përgjithshëm osman, prandaj shpallën se qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje do të ishte përcaktimi i “qëndrimit që do të mbahej kundrejt projekteve të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë”, si edhe forcimi i “veprimtarisë së përbashkët për lulëzimin e Perandorisë dhe për mënjanimin e shkaqeve të pakënaqësisë dhe të ftohjes” midis elementëve të saj. Në Kongres u ftuan të marrin pjesë jo vetëm shqiptarët, por edhe kombësitë e tjera të gjashtë vilajeteve të Turqisë Evropiane.
Në të vërtetë, duke thirrur Kongresin e Dibrës, xhonturqit synonin të realizonin atë detyrë që nuk mundën ta kryenin me anë të ekspeditave ushtarake: të nënshtronin shqiptarët dhe t’i detyronin të hiqnin dorë nga lufta për çlirimin kombëtar ose, siç thuhej në dokumentet e kohës, “për pavarësinë e Shqipërisë”. Valiu i provincës së Manastirit, Fahri Pasha, vetëm dy ditë para hapjes së Kongresit, u kumtoi përfaqësuesve të huaj konsullorë në Manastir se “qëllimi i thirrjes së Kongresit të Dibrës është që të ndikohet me mjete paqësore te shqiptarët për t’i qëndruar besnik kushtetutës dhe qeverisë turke”. Me këtë Kongres xhonturqit shpresonin gjithashtu të forconin lidhjet me parinë e Shqipërisë dhe të krijonin para botës së jashtme përshtypjen se turqit e rinj dhe shqiptarët kishin qëllime të përbashkëta dhe se ndërmjet tyre ishte vendosur një bashkëpunim i ngushtë. Ata shpresonin gjithashtu që me tubime të tilla të fitonin kohë dhe, pasi të stabilizonin gjendjen në vend, të shtypnin me dhunë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Për të tërhequr në Kongres vetëm përkrahësit e tyre dhe për të mos u dhënë kohë klubeve shqiptare, sidomos atyre të viseve të Shqipërisë së Jugut, që ishin më larg Dibrës, të dërgonin përfaqësuesit e vet në këtë mbledhje, xhonturqit i shpallën ftesat e tyre vetëm 5-6 ditë para Kongresit. Ftesat iu dërguan kryesisht parisë e krerëve klerikë myslimanë, nga radhët e të cilëve komitetet xhonturke dhe valinjtë shpejtuan të zgjidhnin si delegatë të Kongresit ithtarët e tyre. Megjithatë, klubet shqiptare, sidomos ai i Manastirit dhe i Selanikut, që në atë kohë po përgatisnin thirrjen e Kongresit kombëtar të Elbasanit, ndonëse u gjendën të papërgatitur, vepruan në mënyrë energjike, zhvilluan një veprimtari të dendur organizative për të dërguar në Kongresin e Dibrës delegatët e tyre nga radhët e intelektualëve atdhetarë, disa prej të cilëve do të shkonin drejtpërdrejt nga Dibra në Elbasan.
Në Kongres morën pjesë 325 delegatë nga qytetet e ndryshme të vilajeteve shqiptare dhe nga viset e tjera të Turqisë Evropiane. Shumica e tyre ishin shqiptarë, myslimanë e të krishterë. Por krahas tyre kishte edhe delegatë turq, 16 sllavo-maqedonë, 15 grekë, disa serbë e vllehë. Përbërja e Kongresit qe heterogjene: një pjesë e mirë qenë klerikë të lartë dhe çifligarë turkomanë, nëpunës, mësues e drejtorë shkollash (turke e të huaja) dhe intelektualë me prirje xhonturke, ndërsa disa ishin oficerë xhonturq të veshur civilë. Por në Kongres morën pjesë edhe mjaft përfaqësues të forcave atdhetare të lëvizjes kombëtare, laikë e klerikë, të dërguar kryesisht nga klubet e shoqëritë atdhetare, midis të cilëve qenë Vehbi efendi Dibra, Sotir Peci, Fehim Zavalani, Dervish Hima, Loni Logori, Hafiz Ali Korça, Llambi Kota, Abdyl Ypi (Starja), Aqif pashë Elbasani, Beniamin Nosi, Andrea Ballamaçi, Qazim Beu (kryetar i klubit “Bashkimi” të Dibrës), Jusuf Karahasani (nga Malësia e Dibrës), Haxhi Hafiz Ibrahim efendiu (nga klubi i Shkupit), Murat Aga (nga Gjakova) etj.
Për t’iu përgjigjur qëllimeve që shtruan xhonturqit dhe për shkak të përbërjes së tij, kuvendi mori emrin “Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman”.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Vehbi efendi Dibra, myfti i këtij sanxhaku, një nga personalitetet me ndikim në trevat shqiptare dhe i njohur njëherazi për atdhetarizmin e tij. Qysh në fillim të punimeve të Kongresit, xhonturqit u orvatën t’u impononin delegatëve programin e vet prej 4 pikash, të përgatitur qysh më parë nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, që kishte për qëllim të detyronte shqiptarët dhe përfaqësuesit e kombësive të tjera joturke të pranonin doktrinën e “osmanizmit”, të shprehnin, krahas besnikërisë ndaj kushtetutës, edhe gatishmërinë për të mbrojtur Perandorinë Osmane nga rreziku i jashtëm dhe nga çdo lëvizje e brendshme kryengritëse.
Më 24 korrik, ditën e dytë të Kongresit, kryetari i tij, i detyruar të zbatonte rendin e ditës të përcaktuar qysh më parë nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, parashtroi rezolutën prej 4 pikash, që ishte paraparë të nënshkruhej pa diskutim nga gjithë delegatët dhe t’i dërgohej në formën e një peticioni parlamentit turk. Por këto përpjekje të xhonturqve për t’i kufizuar punimet e Kongresit vetëm me miratimin e kësaj rezolute, hasën në kundërshtimin e vendosur të atdhetarëve shqiptarë, “të delegatëve nacionalistë”, siç thuhet në dokumentet bashkëkohëse, të cilët nuk pranuan të nënshkruanin verbërisht dhe pa diskutim programin e paraqitur nga Komiteti.
Për shkak të qëndresës së atdhetarëve shqiptarë, xhonturqit dhe përkrahësit e tyre u detyruan të tërhiqeshin, pranuan që punimet e mëtejshme të Kongresit të vijonin nëpërmjet një Komisioni prej 40 delegatësh, të cilëve, me qëllim që të neutralizohej grupi i atdhetarëve shqiptarë, iu shtuan edhe pesë funksionarë osmanë, të caktuar nga Komiteti “Bashkim e Përparim”. Komisioni, që zgjodhi si kryetar Vehbi Dibrën, u ngarkua të hartonte vendimet përfundimtare të Kongresit të Dibrës.
Punimet e mëtejshme të Kongresit (të Komisionit), që zgjatën disa ditë me radhë dhe u zhvilluan në gjuhën shqipe, u karakterizuan nga një konfrontim i ashpër midis dy grupimeve politike, atij proturk, që përkrahte programin e paraqitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim”, dhe grupit të atdhetarëve shqiptarë, që kërkonin të përfshiheshin në program kërkesa të tilla kombëtare, si futja në shkolla e mësimit të detyrueshëm të gjuhës shqipe dhe themelimi i shkollave shqipe në gjithë Shqipërinë. Këto kërkesa, si edhe ajo e mësimit të shqipes me alfabetin e Kongresit të Manastirit, ndeshën në kundërshtimin e xhonturqve dhe të delegatëve turkomanë shqiptarë, sidomos të disa klerikëve të lartë myslimanë të dërguar nga valiu i Shkodrës e i Kosovës.
Megjithatë, në saje të këmbënguljes së atdhetarëve shqiptarë, Kongresi, në mbledhjen e tij të fundit më 28 korrik, miratoi një program tjetër prej 17 pikash, të përgatitur nga Komisioni e të përbërë prej dy pjesësh: pjesa e parë, prej 5 pikash, që gjatë diskutimeve u quajtën “nene të bashkimit” ose “bashkimtare”, përfaqësonte programin e paraqitur nga xhonturqit me disa ndryshime që iu bënë në Kongres, nën trysninë e delegatëve shqiptarë. Në këtë pjesë shprehej uniteti i të gjithë osmanllinjve dhe besnikëria e shqiptarëve ndaj osmanizmit, vendosmëria e tyre për të respektuar regjimin kushtetues, për të mbrojtur me armë në dorë qeverinë kushtetuese, në rast se do të kërcënohej nga jashtë ose nga ata që brenda vendit do t’u shërbenin ideve të huaja; kërkohej gjithashtu që gjithë shqiptarët të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kjo pjesë e programit, me gjithë ndryshimet që pësoi në Kongres, ruajti në thelb karakterin e saj xhonturk. Në pjesën e dytë të programit, të përbërë nga 12 pika, të cilat gjatë punimeve të Kongresit u quajtën “nenet dytësore ose të nevojshme” (për shqiptarët - shën. i aut.), megjithëse në mënyrë mjaft të moderuar, u përfshinë disa nga kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e rrymës kombëtare shqiptare. Një pjesë e mirë e masave që përfshiheshin këtu kishin të bënin me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik e kulturor të vilajeteve të Turqisë Evropiane. Parashikohej ndërtimi në këto vilajete i hekurudhave dhe i rrugëve automobilistike; tharja e kënetave dhe sistemimi i lumenjve; krijimi në Turqinë Evropiane i shkollave normale turke për mësues dhe i shkollave të larta për tregti e mjeshtëri (profesionale), në të cilat të mësohej filozofia fetare, morali islam e Kurani; ngritja në një nga qendrat e Turqisë Evropiane e një universiteti turk; likuidimi i menjëhershëm i “Shoqërisë së duhanit të Perandorisë Osmane” (“Régie des tabacs…”) etj.
Krahas këtyre përfshiheshin edhe disa masa të veçanta për Shqipërinë. Kërkohej që të “hapeshin në Shqipëri, ku arsimi është më i prapambetur, shkolla fillore, të mesme dhe të larta për tregëti e mjeshtëri, ku gjuha shqipe të mësohej lirisht në kufijtë e dëshëruar”. Mësimi i gjuhës shqipe dhe sasia e orëve për të i liheshin për t’i caktuar çdo lokaliteti të veçantë. Një masë e tillë, edhe pse krijonte mundësinë për mësimin e gjuhës shqipe, ishte larg kërkesës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për themelimin e shkollave kombëtare shqipe dhe për futjen e mësimit të detyruar të shqipes në shkolla. Vendimi që u mor në lidhje me alfabetin e gjuhës shqipe, për të përdorur “lirisht alfabetin turk ose shqiptar”, ishte gjysmak dhe u çelte rrugën xhonturqve e gjithë kundërshtarëve të alfabetit shqip për të penguar e për të luftuar përhapjen e shkrimit shqip.
Në këtë pjesë të programit, po me këmbënguljen e shqiptarëve, kërkohej që “në emërimin e nëpunësve t’u jepet përparësi banorëve vendas që njihnin karakterin dhe zakonet e vendit”, që të hiqeshin shkollat fetare (të krijuara për shqiptarët ortodoksë e për vllehët) nga administrimi i kishës dhe t’i jepeshin Ministrisë së Arsimit, si dhe të njihej gjuha e vendit në komunitetet fetare.
Duke qenë i organizuar nga xhonturqit dhe duke pasur në përbërjen e vet një shumicë delegatësh turkomanë, si edhe delegatë nga kombësitë e tjera të Turqisë Evropiane, Kongresi i Dibrës, me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë, sikurse theksohet në dokumentet bashkëkohëse, nuk arriti të kthehej në një manifestim të pavarur dhe kombëtar shqiptar. Në vendimet e botuara në formën e një broshure të veçantë në Manastir më 1909 (1325), ky tubim mbante emrin “Kongresi kushtetues i përbashkët shqiptaro-osman”. Po këtë emërtim do të kishin edhe kongreset e tjera, të cilat, sipas vendimit që u mor në Dibër, do të thirreshin çdo vit në një nga qytetet e Turqisë Evropiane?. Po kështu, komisionet, që Kongresi rekomandonte të krijoheshin në qendra të ndryshme të Rumelisë, “për të bashkuar të gjitha kombet e Perandorisë Osmane” do të quheshin “Bashkimi i Kombeve” (“Ittihad-i Anasir”).
Megjithatë, ka rëndësi të veçantë fakti që atdhetarët shqiptarë e shndërruan Kongresin e Dibrës në një arenë të luftës kundër reaksionit xhonturk, mbrojtën të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe i detyruan organizatorët e tij xhonturq të pranonin disa nga kërkesat e tyre, të cilat, ndonëse nuk shprehnin në mënyrë të plotë aspiratat e kombit shqiptar, binin ndesh me politikën e osmanizimit të ndjekur nga xhonturqit. Prandaj Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe ithtarët e tij në Shqipëri, si myftiu i Manastirit, Rexhep efendi Tetova etj., i dhanë popullaritet, me anën e shtypit, të mitingjeve e të mjeteve të tjera, asaj pjese të vendimeve që bënte fjalë për unitetin e shqiptarëve, si “osmanllinj”, me turqit dhe nuk përfillën aspak masat që parashikonin mësimin, qoftë edhe me kufizime, të gjuhës shqipe në shkolla.
Por as vendimet e Kongresit të Dibrës, as propaganda xhonturke për bashkëpunimin e shqiptarëve me Komitetin “Bashkim e Përparim” nuk mundën të mbulonin kundërshtitë e kombit shqiptar me regjimin turqve të rinj.



Kongresi Kombëtar i Elbasanit (2-8 shtator 1909)


Kongresi i Dibrës nuk e ndryshoi vendimin e marrë qysh më parë nga rrethet atdhetare për të mbledhur një kongres kombëtar në Elbasan, i cili do të shqyrtonte në mënyrë të veçantë problemin e shkollës shqipe që ishte bërë objekt i sulmeve të xhonturqve, përgatitjen e mësuesve, organizimin në shkallë kombëtare të rrjetit të shkollave shqipe, drejtimin e përqendruar të tyre nga një institucion kombëtar dhe sigurimin e mjeteve financiare për mbajtjen e tyre. Thirrja e tij bëhej e domosdoshme edhe për shkak të rritjes së rrjetit të shkollave shqipe pas Kongresit të Manastirit.
Pak kohë para thirrjes së Kongresit (më 3 korrik 1909), Ministria e Arsimit e Turqisë, nën trysninë e kërkesave këmbëngulëse të shqiptarëve, u detyrua të njoftonte vilajetet që të përfshinin në programin mësimor të shkollave shtetërore, qytetëse (ruzhdie) dhe në gjimnazet (idadie), mësimin e gjuhës së vendit (shqipe) dhe që mësuesit e kësaj gjuhe të paguheshin nga buxheti i shtetit. Kjo ishte një rethanë që favorizonte punimet e Kongresit të Elbasanit për çështjet e arsimit shqiptar.
Kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, i cili, qysh në fund të marsit njoftoi për këtë klubet e shoqëritë shqiptare, ndërsa me përgatitjen e tij të drejtpërdrejtë u morën klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit, që u shpërndanë ftesat klubeve dhe shoqërive shqiptare brenda e jashtë vendit.
Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit 1908 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Në të morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla të Shqipërisë, si Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj. Nuk mundën të dërgonin delegatët e tyre Vlora, për shkak të terrorit të xhonturqve mbi atdhetarët e këtij qyteti, Shkodra, për arsye të veprimtarisë së reaksionit xhonturk, të përkrahur nga klerikët konservatorë dhe elementët fanatikë turkomanë, si edhe vilajeti i Kosovës, po për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike, që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, klubi i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mithat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan në mënyrë paraprake se do t’i njihnin vendimet e këtij Kongresi. Po ashtu nuk u përfaqësuan edhe shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Josif Haxhi Mima, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhi Ademi, Selman Blloshmi, Andrea Konomi, Idhomenë Kosturi etj.
Punimet e Kongresit u drejtuan nga një kryesi e zgjedhur nga delegatët dhe e përbërë nga Dervish bej Biçaku (kryetar), Mithat Frashëri (nënkryetar) dhe Simon Shuteriqi e Josif Haxhi Mima (sekretarë).
Ashtu siç ishte parashikuar, në Kongres u shqyrtuan tri çështje themelore: çelja e një shkolle normale dhe masat e nevojshme për të; krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, për organizimin dhe për financimin e shkollave shqipe; masat për bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin Vendimet ose, siç u quajt ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Në Kongres u miratua edhe një rregullore e veçantë e Shkollës Normale, e përpunuar nga një komision i posaçëm. Për t’i vënë shkollat shqipe nën një drejtim unik e të përqendruar në shkallë kombëtare, Kongresi vendosi që të krijohej në Korçë Shoqëria qendrore shkollore “Përparimi”. Sipas statutit të saj të veçantë ajo do të quhej Shoqëria e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi” dhe do të kishte për detyrë të kujdesej për mbajtjen e administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave të nevojshëm. Pranë shoqërisë krijohej edhe një arkë e përgjithshme, që do të plotësohej me kontributin e klubeve, të shoqërive dhe të atdhetarëve të veçantë. Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte lirisht dhe pa pengesa veprimtarinë e saj, Kongresi kërkoi që ajo të njihej zyrtarisht si “person juridik” nga qeveria turke; u hartua një rregullore e veçantë e kësaj shoqërie, e cila do t’i paraqitej gjithashtu për miratim qeverisë. Shoqëria duhej të kërkonte ndihmën financiare të shtetit turk.
Kongresi ngarkoi “të gjitha klubet dhe shoqëritë, si edhe çdo shqiptar, të përpiqeshin të vinin gjuhën shqipe në të gjitha shkollat e vendit”. Në mënyrë të veçantë u ngarkua klubi qendror (i Manastirit) që të “nxirrte lejen që gjuha shqipe të hynte zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, ndërsa me pikën 8 të Vendimeve, Kongresi i Elbasanit ngarkonte klubin qendror që sa më parë të “kërkonte futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie)”. Përmbushja e këtyre kërkesave do të shënonte një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe dhe për themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri. Kongresi ngarkonte gjithë atdhetarët shqiptarë që të kërkonin nga këshillat e vilajeteve hapjen e shkollave bujqësore, aq të nevojshme për popullsinë e zonave bujqësore të vendit.
Në Kongres u diskutuan gjithashtu disa çështje organizative dhe politike. Për të forcuar bashkëpunimin, lidhjet organizative dhe bashkërendimin e veprimeve ndërmjet të gjitha klubeve e shoqërive, u vendos që të gjitha klubet e shoqëritë shqiptare të drejtoheshin nga një klub qendror. Në pajtim me këtë Kongresi zgjodhi si klub qendror (për dy vjet) klubin e Manastirit, i cili qëndronte në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Për të bashkërenduar dhe për të organizuar më mirë e në përmasa kombëtare veprimtarinë politiko-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, u miratua një Rregullore e përgjithshme e klubeve dhe e shoqërive shqiptare, ku përcaktoheshin detyrat e tyre dhe format e lidhjeve e të bashkëpunimit ndërmjet tyre.
Në mbledhjet e mbyllura e të shpeshta në Kongres delegatët shprehën mosbesimin ndaj regjimit xhonturk dhe Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”, të cilët në shumë qytete të Shqipërisë, si në Strugë, në Tiranë, në Gjirokastër, në Filat etj., nxitnin komitetet lokale që t’u kundërviheshin aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Në emër të delegatëve të Kongresit iu dërgua kryeministrit turk një telegram, në të cilin protestohej kundër dhunës mbi atdhetarët shqiptarë në Vlorë e në qendra të tjera dhe kërkohej lirimi i bejlerëve atdhetarë të arrestuar. Po në këto mbledhje delegatët u shprehën për një organizim më të mirë të komiteteve të fshehta dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet tyre.
Në Kongres u shfaq mendimi se, në kushtet kur xhonturqit nuk pranonin t’i njihnin popullit shqiptar të drejtat më elementare kombëtare e njerëzore për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga arbitrariteti e zgjedha e turqve të rinj, shqiptarët duhej të organizonin luftën e armatosur për të siguruar autonominë e Shqipërisë dhe për këtë qëllim populli shqiptar duhej të bashkëpunonte me popujt e tjerë të shtypur të Turqisë Evropiane, me maqedonët, vllehët etj., që luftonin gjithashtu për çlirimin e tyre kombëtar.
Kongresi dënoi ndërhyrjet e fuqive të huaja në Shqipëri që ishin forcuar në fillim të shek. XX, e veçanërisht pas aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austro-Hungaria.
Në këtë Kongres u vendos gjithashtu që pas tri vjetësh, më 1912, të mbahej po në Elbasan një kuvend tjetër, që do të shqyrtonte “nevojat e Shqipërisë”, programin e të cilit do ta përgatisnin shoqëritë e këtij qyteti.
Kongresi i Elbasanit i dha një shtytje të re lëvizjes për shkollën dhe për arsimin kombëtar në përgjithësi. Të mbështetur në vendimet e tij, atdhetarët shqiptarë ngritën në Korçë, më 20 shtator 1909, Shoqërinë qendrore shkollore “Përparimi”, në kryesinë e së cilës u zgjodhën atdhetarët e njohur Orhan Pojani (kryetar), Stavri Karoli, Idhomenë Kosturi e Mihal Gramenoja.
Me qëllim që Shoqëria “Përparimi” të ushtronte ligjërisht të gjitha kompetencat e saj si një institucion qendror e drejtues i arsimit kombëtar, kryetari i saj Orhan Pojani, duke pasur mbështetjen e deputetëve atdhetarë shqiptarë të parlamentit, bëri përçapje pranë Këshillit të Shtetit në Stamboll për të siguruar njohjen e saj zyrtare si person juridik. Megjithëse kjo kërkesë u kundërshtua nga qeveria turke, Shoqëria “Përparimi” u kthye në të vërtetë në një organizatë arsimore kombëtare dhe dha një ndihmë të çmuar për organizimin e drejtimin e arsimit shqiptar. Ajo dha një ndihmesë të veçantë për sigurimin e fondeve të nevojshme financiare për Shkollën Normale të Elbasanit dhe për shkollat e tjera shqipe. Duke iu përgjigjur thirrjes që shpërndau për këtë qëllim brenda e jashtë Shqipërisë, dhjetëra klube dhe shoqëri atdhetare të vendit, organet e shtypit shqiptar, shoqëritë e kolonive të mërgimit dhe qindra atdhetarë derdhën në arkën e saj shuma të mëdha të hollash. Brenda një kohe të shkurtër u mblodhën për nevojat e Shkollës Normale dhe të shkollave të tjera 1 000 lira turke. Në mënyrë të veçantë rreth 340 atdhetarë dhanë ndihmën e tyre në të holla.
Më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan Shkolla Normale (pedagogjike), që ishte shkolla e parë e mesme kombëtare shqipe. Mësuesit e saj të parë ishin atdhetarë të njohur dhe njerëz të shquar në lëmin e kulturës, si Aleksandër Xhuvani (i diplomuar në Greqi për filologji, i dalluar në fushën e letërsisë), Sotir Peci (i diplomuar gjithashtu në Greqi për matematikë-fizikë, drejtor i gazetës “Kombi”) etj. Drejtor i parë i saj u caktua Luigj Gurakuqi?, i cili vuri të gjitha forcat dhe aftësitë e tij në shërbim të arsimit kombëtar. Në Shkollën Normale jepnin gjithashtu mësim Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza dhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
Shkolla Normale kishte gjashtë klasa, me një plan mësimor prej 30 lëndësh, humanitare, të shkencave të natyrës etj. Ajo dallohej për karakterin e saj kombëtar, që përcaktohej nga përmbajtja e lëndëve dhe nga fakti se pranonte nxënës të të gjitha besimeve fetare, myslimanë e të krishterë. Atdhetarët bashkëkohës e çmonin atë si një vatër të formimit atdhetar të brezit të ri.
Qysh në vitin e parë të themelimit të saj (1909-1910) Shkolla Normale e Elbasanit pati 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Disa prej tyre, rreth 50 nxënës, kishin ardhur nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e Dibra, të dërguar nga klubet shqiptare, si ai i Shkupit, i Dibrës etj. dhe me kujdesin e veçantë të atdhetarëve Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj.
Shkolla shqipe u hapën në këtë periudhë pas Kongresit të Elbasanit edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Në fund të shtatorit u bë në Korçë përurimi i shkollës së riorganizuar të djemve (i mësonjëtores së parë shqipe të vitit 1887), çelur qysh në pranverën e vitit 1909, e cila ishte një nga shkollat më të plota me pesë klasa dhe pesë mësues. Në tetor u hapën shkolla shqipe në Progër, në Cukaj të Martaneshit, në Verlen të Bilishtit, në Margëllëç, ndërsa në muajin dhjetor u çel shkolla shqipe në Negovan (nën drejtimin e Petro Nini Luarasit) dhe në fshatin Koshtan të Tepelenës.
Me përpjekjet e Klubit Arsimor të Shkupit, të Hasan Prishtinës e të atdhetarëve të tjerë kosovarë, në vjeshtën e vitit 1909 u hapën shkolla shqipe në vilajetin e Kosovës, në Moravë, në Gjilan dhe në fshatin Pozharan, ku mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth. Shkolla shqipe kanë qenë ngritur në këtë kohë edhe në Prizren, në Gjakovë, në Pejë dhe në Vuçiternë. Në janar të vitit 1910 klubi i Shkupit ngriti një shkollë private shqipe në këtë qytet, ndërsa në shkurt u hap shkolla shqipe në Mitrovicë.
Në mars-prill të vitit 1910 u çelën shkolla shqipe në Mesare të Leskovikut, në Labovën e Poshtme (nga klubi “Drita” i Gjirokastrës), në fshatra të Çamërisë, si në Ninat, Konispol, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek etj. Në verën e atij viti u hapën shkolla shqipe në Tepelenë, në Tiranë, në Vlorë, në Zerqan, në Kaninë, në Leskovik etj. U bënë përçapje për ngritjen e shkollave të tjera shqipe pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në fillim të vitit 1910 klubi i Dibrës mori nismën për hapjen e një numri të madh shkollash shqipe në këtë rreth.
Gjatë vitit shkollor 1909-1910, përveç qyteteve të tjera, gjuha shqipe u fut edhe në gjimnazet turke të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe të Shkupit (ku jepte mësim Bedri Pejani). Shqipja filloi të mësohej gjithashtu në shkollën “Edep” të Shkupit, që mbahej nga klubi “Rinia patriotike” (“Shubani vatan”) të këtij qyteti. Sipas të dhënave të shtypit shqiptar të kohës, në vjeshtën e vitit 1909 gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse në të gjitha gjimnazet (idadijet) turke të Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse (ruzhdie). Meqë Ministria e Arsimit, qysh në korrikun e vitit 1909, kishte lejuar mësimin e gjuhëve të vendit në gjimnazet turke, mësuesit e gjuhës shqipe në këto shkolla u emëruan nga organet e saj.
Por këto shkolla ndiqeshin nga një numër i kufizuar nxënësish, prandaj atdhetarët shqiptarë vijuan të kërkonin që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat fillore të vendit, rrjeti i të cilave ishte më i gjerë. Në fundin e vitit shkollor 1909-1910 mësimi i shqipes u fut edhe në shkollën qytetëse të Prevezës, në atë të Lurosit, në shkollat fillore turke të Kolonjës, të Oparit, të Devollit, të Përmetit, të Elbasanit dhe të disa qendrave të Kosovës. Në fillim të vitit 1910 përfaqësues të popullsisë së Ohrit kërkuan nga parlamenti që gjuha shqipe të mësohej në të gjitha shkollat shtetërore të kësaj prefekture.
Me gjithë pengesat e shovinistëve grekë, atdhetarët shqiptarë gjatë vitit 1910 arritën të fusnin mësimin e shqipes edhe në shkollat e tjera greke, si në ato të Elbasanit, të Beratit, të Kavajës dhe të Labovës së Poshtme.
Por përhapja e mëtejshme e shkollave dhe e shkrimit shqip u pengua për shkak të shpërthimit të reaksionit xhonturk kundër kulturës dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.
Reaksioni xhonturk dhe qëndresa kundër tij (1909-1910)
Megjithëse Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” kishte deklaruar se nuk do të përzihej në çështjen e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe, në të vërtetë ai mobilizoi kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë kundër klubeve e shkollave shqipe gjithë administratën shtetërore, qendrore e lokale, klerikët fanatikë myslimanë dhe ekspeditat e gjeneralëve osmanë.
Xhonturqit u mbështetën në këtë veprimtari në ligjin mbi “Bandat”, që parashikonte masa shumë të rrepta për të gjithë ata që merrnin pjesë në çetat e armatosura dhe për të afërmit e tyre, si dhe në ligjin “Mbi shoqëritë”, që ndalonte të gjitha organizatat kombëtare, përveç atyre osmane. Këto dy ligje u miratuan nga parlamenti turk në vjeshtën e vitit 1909, me gjithë kundërshtimin e deputetëve të kombësive joturke.
Në shtator të vitit 1909 me urdhër të valiut të Kosovës u mbyll shkolla shqipe e Pejës, ndërsa në janar u dëmtua dhe më pas u mbyll shkolla shqipe e Gjilanit. Në shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore turke. Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetarë të tjerë kosovarë protestuan menjëherë kundër këtyre veprimeve dhe kërkuan nga Stambolli largimin e valiut nga Kosova.
Veprime të njëjta kundër shkollave shqipe u ndërmorën në vilajetin e Janinës, ku drejtoria e arsimit në fillim kundërshtoi kërkesat për hapjen e shkollave të reja shqipe (në Leskovik, Filat etj.), ndërsa në mars të vitit 1910 urdhëroi të ndalohej mësimi i gjuhëve të tjera në shkolla, përveç turqishtes.
Në fillim të vitit 1910 ministri i Arsimit deklaroi se “qeveria turke do të qëndrojë neutrale në punët e alfabetit, por në shkollat shtetërore do të vërë në zbatim alfabetin arab”. Pas kësaj administrata osmane filloi të fuste me forcë në të gjitha shkollat e vendit alfabetin arab për mësimin e shqipes. Sikurse theksonte ato ditë kryeministri turk, Ibrahim Haki pasha, qeveria e Stambollit e trajtonte çështjen e alfabetit shqip si një problem politik, shihte në përdorimin e alfabetit latin për shkrimin e shqipes hapin e parë për shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia.
Në përpjekjet e tyre për të penguar përhapjen e shkollës e të shkrimit shqip xhonturqit u mbështetën te klerikët konservatorë dhe tek elementët e tjerë turkomanë nga radhët e shqiptarëve. Kjo i dha mundësi Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim” ta paraqiste konfliktin rreth alfabetit shqip si një çështje të brendshme të shqiptarëve.
Myftiu i Manastirit, Rexhep Nuredini, që ishte autor i njërës prej tri abetareve shqipe me shkronja arabe, bënte propagandë kundër alfabetit shqip të Kongresit të Manastirit në vise të ndryshme të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut (deri në Vlorë), duke mobilizuar për këtë qëllim edhe klubet xhonturke të oficerëve. Po kështu vepronin myftinjtë e Korçës, të Gjirokastrës, të Kavajës etj., ndërsa ai i Prishtinës dhe i Dibrës nxorën qarkore, në të cilat u bënin thirrje gjithë klerikëve myslimanë të organizonin mitingje për të përkrahur alfabetin arab.
Të nxitur nga xhonturqit, një grup prej 14 deputetësh të parlamentit, që u paraqitën si shprehës “të ndjenjave të popullit shqiptar”, edhe pse mjaft prej tyre nuk dinin të shkruanin e të lexonin shqip, kërkuan nga kryeministri turk në janar të vitit 1910 që të përdorej alfabeti arab për shkrimin e shqipes dhe të ndalohej ai latin. Kishte midis tyre edhe deputetë shqiptarë të njohur për qëndrimet e tyre antikombëtare, si Mahmut Bedriu (Peja), Haxhi Ali Elbasani, Fuat Pasha i Prishtinës, Sait Efendiu (Idrizi) i Shkupit, Hasan Basriu i Dibrës, Riza Efendiu i Shkodrës etj.
Përkundrazi, deputetët atdhetarë, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Shahin Kolonja etj., të zemëruar nga veprimet e parlamentarëve turkomanë, i dërguan kryeministrit një letër proteste, ku kërkuan që të respektoheshin të drejtat e ligjshme të shqiptarëve, të liheshin ata të lirë të përdornin alfabetin që dëshironin dhe që administrata qeveritare të mos ndërhynte.
Në bashkëpunim me elementët turkomanë, si Sait Efendiu (deputet i Shkupit), Arif Hiqmeti etj., valiu i Kosovës, Masar Beu, më 2 shkurt të vitit 1910 organizoi një miting në një nga xhamitë e Shkupit, në të cilën klerikët fanatikë i shpallën shkronjat latine në kundërshtim me fenë islame dhe kërkuan që të ndalohej përdorimi i tyre për gjuhën shqipe. Më 6 shkurt u mbajt një miting tjetër në një nga xhamitë e Manastirit, ku u kërkua të hiqej alfabeti latin për gjuhën shqipe dhe të futej ai arab, me të cilin ishin shkruar edhe librat e shenjtë. Mitingje të tilla në përkrahje të alfabetit arab u mbajtën në shkurt të atij viti edhe në Elbasan, në Gjakovë, në Korçë, në Gjilan, në Vuçiternë, në Mitrovicë e në qendra të tjera, në të cilat, sipas dëshmive të bashkëkohësve, morën pjesë vetëm klerikët konservatorë myslimanë dhe një grusht fanatikësh turkomanë.
Disa nga krerët turkomanë shqiptarë, duke pasur përkrahjen e xhonturqve, formuan në Stamboll më 4 mars 1910 shoqërinë me emrin “Rrethi arsimor shqiptar” (“Arnavud mahfel mearifi”), të kryesuar nga kleriku e senatori Haxhi Ali Elbasani, që ishte edhe deputet i parlamentit, Mahmut Bedriu, deputet i Pejës etj. Shoqëria ose “Mahfeli”, siç u quajt në atë kohë, filloi të punonte për të përhapur në Shqipëri arsimin me shkronja arabe, duke botuar libra e gazeta me këtë alfabet, që të forconte kështu “lidhjet e shqiptarëve me atdheun osman”.
Me gjithë përpjekjet e xhonturqve për ta shtrirë veprimtarinë e “Mahfelit” në vilajetin e Kosovës e në viset e tjera shqiptare, ajo u kufizua kryesisht në Stamboll. Edhe këtu iu kundërvunë atij shumë atdhetarë të Stambollit, që formuan “Shoqatën e intelektualëve shqiptarë”, e cila mbronte alfabetin shqip të Kongresit të Manastirit.
I nxitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim”, edhe Shejhylislami i propozoi Ministrisë së Arsimit që të ndalonte futjen e alfabetit latin për shkrimin e shqipes dhe më 5 prill, me anën e një qarkoreje të veçantë u kërkoi të njëjtën gjë gjithë myftinjve të Shqipërisë. Shejhylislami dhe fill pas tij shehlerët e hoxhallarët fanatikë e turkomanë mallkuan alfabetin latin, u ndaluan myslimanëve ta përdornin atë dhe kërkuan prej tyre të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me shkronjat “e shenjta” të Kuranit.
Në luftën kundër shkollës e kulturës kombëtare shqiptare turqit e rinj patën përkrahjen e dhespotëve ortodoksë grekë dhe të klerikëve grekomanë shqiptarë, të cilët, me ndihmën e bandave të andartëve që vepronin lirisht edhe pas shpalljes së kushtetutës, terrorizonin popullsinë e Negovanit, të Bellkamenit dhe të fshatrave të Shqipërisë së Jugut e të Mesme, që kërkonte çeljen e shkollave shqipe.
Këto veprime të xhonturqve shkaktuan zemërim të thellë tek atdhetarët dhe te populli shqiptar, që u ngritën për mbrojtjen e shkollës e të shkrimit shqip dhe të të drejtave kombëtare. Në krye të kësaj qëndrese, thuajse të përgjithshme, u vunë klubet e shoqëritë atdhetare, si klubi “Bashkimi” i Manastirit, klubi “Dituria” i Gjirokastrës, klubet e Korçës, të Elbasanit, të Pogradecit, të Kolonjës etj. Ato protestuan pranë qeverisë turke kundër ndjekjeve që po u bëheshin gjuhës shqipe dhe atdhetarëve shqiptarë.
Paria e Prishtinës, në një letër që i dërgonte në fund të dhjetorit të vitit 1909 deputetit të saj, Hasan Prishtina, në emër të popullsisë së kësaj treve, protestonte kundër përpjekjeve që po bëheshin për t’i detyruar shqiptarët të përdornin alfabetin arab, theksonte se alfabeti latin është më i përshtatshëm për gjuhën shqipe, se përdorimi i tij nuk krijon ndonjë shqetësim as nga pikëpamja politike, as edhe nga ajo fetare. Në këtë dokument i kërkohej Hasan Prishtinës që të ndërmjetësonte pranë qeverisë që mësimet në shkollat fillore të bëheshin në gjuhën shqipe dhe që ajo të jepej me alfabetin latin.
Orvatjet e qeverisë turke në fillim të vitit 1910 për të futur në shkolla alfabetin arab për mësimin e shqipes, hasën në qëndresën e vendosur të mësuesve dhe të nxënësve, që në shumë qytete të Shqipërisë, si në Korçë, Berat, Durrës, Janinë, Shkup e në vende të tjera, braktisën shkollat turke dhe protestuan kundër autoriteteve shtetërore.
Edhe populli i Elbasanit iu përgjigj mitingut të klerikëve fanatikë e turkomanë myslimanë me një manifestim masiv kundër futjes së alfabetit arab, i cili u organizua më 18 shkurt 1910 në një nga sheshet e qytetit, ku morën pjesë rreth 7 000 qytetarë e fshatarë të ardhur nga Shpati dhe nga katundet e tjera të Elbasanit. Në këtë miting populli kërkoi nga qeveria dhe nga parlamenti të pranonin përdorimin e alfabetit shqiptar (latin) për shkrimin e gjuhës shqipe.
Më 27 shkurt u organizua nga klubi “Dituria” një miting i madh në Korçë në mbrojtje të abëcësë shqipe, ku morën pjesë rreth 15 000 veta nga qyteti e nga rrethi i Korçës, nga Devolli, nga Kolonja, nga Opari e nga Pogradeci. Në emër të popullit të mbledhur në këtë tubim iu dërguan telegrame proteste, kundër futjes së alfabetit arab, qeverisë turke dhe deputetëve shqiptarë të parlamentit.
Një pjesëmarrje të gjerë pati edhe mitingu që u zhvillua në Berat më 28 shkurt, ku qenë të pranishëm rreth 15 000 veta, banorë të qytetit e të fshatrave të rrethit. Në telegramet e protestës, që iu dërguan qeverisë turke në emër të popullit të Beratit, theksohej se, duke futur alfabetin arab “qeveria synon t’i lërë shqiptarët në padije si gjer më sot dhe të futë grindje e përçarje ndërmjet atyre myslimanë dhe ortodoksë”. Mitingje të tilla u mbajtën edhe në Tepelenë, në Përmet dhe në Skrapar.
Telegrame proteste kundër përdorimit të alfabetit arab dhe për mbrojtjen e alfabetit latin iu dërguan qeverisë e parlamentit turk edhe në emër të popullit të Gjirokastrës (nga Shoqëria “Bashkimi”), të Çamërisë (nga klubi i Filatit), të Shkupit, të Ohrit, të Vlorës, të Prishtinës, të Mitrovicës, të Gramshit, të Përmetit, të Frashërit, të Tepelenës, të Konicës, të Leskovikut etj.
Duke vënë theksin në përmasat e kësaj lëvizjeje, konsulli francez në Shkodër i shkruante qeverisë së tij, në shkurt të vitit 1910, se tërë Shqipëria është ngritur kundër përpjekjeve të qeverisë turke për t’i detyruar shqiptarët të përdorin alfabetin arab, si dhe për të mbrojtur alfabetin shqip të vendosur në Kongresin e Manastirit.
Mitingjet e zhvilluara nga klubet shqiptare në shkurt të vitit 1910, si nga shkalla e organizimit e rregulli që zotëroi në to, nga përmbajtja kombëtare e përparimtare e kërkesave të tyre, ashtu edhe nga përmasat që morën, ishin ngjarje të reja për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të rralla e të papara deri atëherë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë Perandorinë Osmane.


Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910)


Në këtë gjendje të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Në Kongres morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera. Kongresit i erdhën telegrame përshëndetjeje nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe nga shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.
Sikurse dëshmon “Zëdhënia” që klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndau me këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të kulturës kombëtare kundër reaksionit xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të xhonturqve. Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një manifestim politik e kombëtar shqiptar. Si në fjalimet e delegatëve, ashtu edhe në vendimet e Kongresit u shpreh protesta kundër përndjekjeve që po u bëheshin shkollës e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe nga qeveria turke.
Dervish Hima, që mbajti edhe fjalën e hapjes në Kongres, foli “për nevojat e zhvillimit të arsimit, të përhapjes së diturisë dhe të përparimit të kombit shqiptar”. Ai dhe delegatët e tjerë, si Ferit Ypi, Tefik Panariti etj., kritikuan Komitetin Qendror “Bashkim e Përparim”, i cili, në kundërshtim me premtimet që u kishte bërë shqiptarëve, po u mohonte të drejtën e arsimit kombëtar dhe të përdorimit të lirë të gjuhës shqipe, ndërhynte egërsisht në çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, që ishte një e drejtë e natyrshme e njerëzore si për çdo popull. Ky qëndrim i xhonturqve u cilësua nga delegatët si një përpjekje për të përçarë shqiptarët sipas dasive fetare, për të osmanizuar myslimanët shqiptarë dhe për të penguar përparimin kulturor dhe emancipimin politik të kombit shqiptar. “Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, theksoi Dervish Hima në Kongres, prandaj “ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t’i mbrojmë me çdo mjet shkronjat tona kombëtare…”.
Kongresi tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, nga Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia, u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Petro N. Luarasi theksoi në fjalën e tij se këta klerikë fanatikë e grekomanë, të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen sepse çojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip. Gjatë 5 vjetëve të fundit ishin vrarë në Negovan nga bandat greke 45 shqiptarë. Për të paralizuar këtë veprimtari Petro Nini Luarasi, përveç të tjerave, i propozoi Kongresit që të kërkonte që kisha shqiptare të ndahej nga Patrikana greke.
Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit ishin Programi prej 10 pikash dhe një Promemorje prej 4 pikash, që iu dërgua qeverisë turke. Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe të teksteve shkollore shqipe. Për këtë qëllim do të ngrihej pranë klubit qendror një komision arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi, i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore, të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht e anasjelltas. Parashikohej të hapej në Shkup një shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë të Elbasanit, dhe të themelohej këtu një gazetë e re në shqip dhe në turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni publik evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Kongresi ngarkonte klubet dhe gjithë atdhetarët shqiptarë që të punonin për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të shkollave shqipe, për sigurimin e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe të mjeteve të nevojshme financiare.
Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa: të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha. Promemorja ngarkonte klubin qendror shqiptar që të këshillohej me Shejhylislamin rreth “dëmit” që gjoja i shkaktohej fesë myslimane nga përdorimi i alfabetit latin për mësimin e shqipes.
Kongresi mori masa edhe për forcimin e lidhjeve organizative ndërmjet klubeve shqiptare dhe për bashkërendimin e veprimtarisë së tyre. U vendos që klubet shqiptare të kishin një rregullore të njëjtë dhe të detyrueshme për të gjithë. Kjo rregullore a kanonizëm e përgjithshme do të njihej zyrtarisht edhe prej qeverisë turke. Një vendim i tillë ishte marrë edhe në Kongresin e Elbasanit, por nuk ishte vënë në zbatim. Të gjitha klubet do të drejtoheshin nga klubi qendror shqiptar, atributet e të cilit tani, ndryshe nga vendimet që ishin marrë në kongreset e mëparshme, do t’i kishte klubi i Stambollit. Kongresi mendoi se duke e shpërngulur qendrën udhëheqëse të klubeve nga Manastiri në Stamboll do të krijohej një udhëheqje e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku të bashkoheshin drejtuesit e klubeve dhe deputetët atdhetarë shqiptarë të parlamentit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja etj. Këta deputetë parashikohej të përfshiheshin edhe në kryesinë qendrore të klubit të Stambollit.
Megjithatë, vendimi i Kongresit të Dytë të Manastirit, për të caktuar si klub qendror atë të Stambollit, nuk u pëlqye nga rrethet e gjera atdhetare të vendit. Edhe ngjarjet e mëvonshme, sidomos qëndrimi i udhëheqjes së këtij klubi ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910, kur ajo mori hapur në mbrojtje xhonturqit, provuan se ky vendim ishte i gabuar.
Po kështu u vendos që të thirrej në korrik të vitit 1910 një kongres më i gjerë në Janinë, i cili, krahas problemeve të tjera, do të zgjidhte përfundimisht problemin e alfabetit, duke zgjedhur njërën prej dy abëcëve latine, të miratuara nga Kongresi i Parë i Manastirit.
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme. Por, ndërsa për komitetet e fshehta u mor vendim që të zgjeroheshin e forcoheshin më tej, për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme nuk u mor ndonjë masë. Kjo çështje u la të diskutohej e të vendosej në kongresin e ardhshëm. Sipas të dhënave të bashkëkohësve, në mbledhjet e fshehta u hartua edhe një program politik, të cilin ata e quanin platformë “të autonomisë së Shqipërisë”, ku, përveç të tjerave, parashikohej njohja zyrtare e kombit shqiptar, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe njohja e saj si gjuhë zyrtare. Megjithatë, ky program nuk u përfshi në asnjërin nga dy aktet e shpallura botërisht të Kongresit.
Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në pragun e këtij kuvendi, në shkurt-mars të vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërërsi. Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910.

Nessun commento:

Posta un commento